http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20Bovari
Pjesa Tretë
     Kreu IV
 S’kaloi shumë kohë dhe Leoni filloi të mbahej mbi shokët, i shmangej shoqërisë me ta, dhe i la krejt pas dore dosjet.
Letrat e saj i priste, i lexonte dhe i rilexonte. I shkruante asaj. E sillte atë ndër mend me gjithë ofshin e epsheve dhe kujtimeve të tij. Në vend që dëshira për ta parë sërish t’i zbehej, meqë e kishte
larg, i shtohej më keq, aq sa një të shtunë në mëngjes iku nga zyra.
Kur nga maja e kodrës shqoi në luginë kambanën e kishës me flamurin e saj prej llamarine që vërtitej nga era, ndjeu atë lloj kënaqësie të përzier me fryrje ngadhënjyese dhe me përmallim egoist që duhet të shijojnë edhe milionerët kur vijnë të vizitojnë fshatin e tyre.
U soll vërdallë shtëpisë së saj. Në kuzhinë ndriçonte një dritë. Përgjoi se mos i zinin sytë hijen e saj mbrapa perdeve. Nuk u duk asgjë.
Teto Lëfransuai kur e pa, lëshoi gjithë ato britma habie, dhe iu duk “i rritur dhe i holluar”, ndërsa, Artemizës, përkundrazi iu duk “i shëndoshur dhe i nxirë”.
Darkë hëngri në sallën e vogël si dikur, por këtë radhë vetëm, pa tagrambledhësin; në të vërtetë Bineu, i lodhur më në fund së prituriDallëndyshen, kishte vendosur njëherë e përgjithmonë ta hante darkën një orë më herët, dhe, tani, shtrohej në tryezë në orën pesë fiks dhe, megjithatë, në shumicën e rasteve vazhdonte të thoshte se karakatina vinte me vonesë.
Më në fund Leoni vendosi; shkoi e trokiti në derën e shtëpisë së mjekut. Zonja ndodhej në dhomën e saj dhe zbriti pas një çerek ore. Zotëria u duk shumë i gëzuar që e shihte atë përsëri; mirëpo gjithë mbrëmjen s’luajti vendit, bile as të nesërmen gjithë ditën e ditës.
Vetëm për vetëm, ai e takoi në mbrëmje, shumë vonë, mbrapa kopshtit, në rrugicë; - po në rrugicë, ashtu siç bënte ajo dhe me atë tjetrin! Binte shi me suferinë dhe ata bisedonin nën një çadër, në dritën e vetëtimave.
E kishin shumë të vështirë të ndaheshin nga njëri-tjetri.
- Më mirë të vdes! – i thoshte Ema.
Ajo përdridhej në krahun e tij, duke qarë.
- Mirupafshim!... mirupafshim!... kur do të të shoh përsëri?
U kthyen të dy mbrapsht që të putheshin edhe një herë; dhe pikërisht në këtë rrethanë ai i premtoi se së shpejti do të gjente vazhdimisht rastin, duke bërë ç’është e mundur, që të shiheshin lirisht, të paktën një herë në javë. Ema nuk e vinte në dyshim. Bile ishte gjithë shpresa. Priste t’i vinin edhe para.
Kështu, ajo bleu për dhomën e saj një palë perde të verdha me vija të gjera, që ia kishte lavdëruar zoti Lërë për lirësinë; kishte dëshirë të blinte edhe një qilim, dhe Lërëi, si i tha “që s’bëhej kiameti për një qilim” mori përsipër, gjithë mirësjellje, që t’ia gjente. Ajo s’bënte dot më pa shërbimet e tij. Çonte dhe e thërriste njëzet herë në ditë, dhe ai i linte në vend punët e tij, pa bërë zë. Po kështu s’e merrte njeri me mend se pse teto Roleja hante tek ajo drekë ditë për ditë dhe i shkonte për vizitë fill vetëm.
Pikërisht në atë kohë, domethënë nga fillimi i dimrit, u duk që asaj i lindi një dëshirë e zjarrtë për muzikë.
Një mbrëmje kur Sharli po e dëgjonte, ajo i ra me pahir katër herë rresht të njëjtës pjesë, dhe të katërta herët, i hipi inati me veten, ndërsa ai, pa vënë re ndonjë ndryshim, bërtiste:
- Të lumtë!... shumë mirë!... S’ke pse ta ndërpresësh! Jepi, vazhdo!
- Jo! jo! Kjo është e tmerrshme! Më kanë zënë gishtërinjtë ndryshk.
Të nesërmen, ai iu lut t’i luante edhe ndonjë pjesë tjetër.
- Prishur mos qoftë, sa për të bërë ty qejfin!
Dhe vetë Sharli e pranoi që kishte pësuar njëfarë rënie në krahasim me përpara. Ajo u binte notave gabim, ngatërronte kohët; pastaj, si u ndal në çast, i tha:
- Ah! Kam marrë fund! Kam nevojë për disa mësime, mirëpo...
Ajo kafshoi buzët dhe shtoi:
- Njëzet franga ora, është shumë shtrenjtë!
- Po, vërtet..., është ca..., - i tha Sharli duke u zgërdhirë si budalla. – Sidoqoftë, ma do mendja se ndofta mund të gjejmë më lirë, sepse ka artistë pa emër, që ia vlejnë më tepër se ata që janë në zë.
- Po hajde m’i gjej se! – i tha Ema.
Të nesërmen, kur u kthye në shtëpi, ai i hodhi një vështrim plot dhelpëri dhe më në fund s’iu durua dot pa i thënë:
- Sa kokëfortë tregohesh nganjëherë! Isha në Barfësher sot! Dhe ja! Zonja Liezhar më siguroi se tri vajzat e saj, që janë në manastirin Mëshira, marrin mësime me pesëdhjetë groshë orën, dhe nga një mjeshtre e përmendur, pale!
Ajo ngriti supet dhe nuk e hapi më veglën e saj muzikore.
Mirëpo kur i kalonte pranë (në rast se Bovariu ndodhej aty), ajo psherëtinte:
- Ah! Pianoja ime e shkretë!
Dhe kur i vinte njeri, nuk rrinte pa i thënë se e kishte lënë fare muzikën dhe se tani s’i hynte dot më, për arsye madhore. Atëherë njerëzit i qanin hallin. Ishte me të vërtetë për të ardhur keq për të që kishte gjithë atë talent! I folën bile dhe Bovariu. E bënin me turp, dhe sidomos farmacisti, që i tha:
- Gabim e keni! Kurrë s’duhen lënë djerrë prirjet që të jep natyra. Pastaj, pa mendoni njëherë, i dashur, se po e futët zonjën të studiojë, më vonë keni për të kursyer shpenzimet për përgatitjen muzikore të fëmijës suaj! Mua më duket se nënat duhet t’i mësojnë vetë fëmijët e tyre. Është ideja e Rusoit kjo, ndofta pak si tepër e re, por ama do të vijë koha dhe do të ngadhmojë, jam i sigurt, njëlloj si të ushqyerit e foshnjës me qumështin e nënës dhe vaksinimi.
Kështu pra, Sharli ia zuri në gojë dhe njëherë çështjen e pianos. Ema iu përgjigj vrazhdë se do të qe më mirë që ta shisnin. Të ndahej prej kësaj pianoje të shkretë që i kishte dhënë gjithë ato kënaqësi në sqimën e saj, ishte për zonjën Bovari si vetëvrasje e papërcaktuar e një pjese të vetes së saj.
- Po të duash..., - i thoshte ai, - ndonjë mësim, herë pas here, ma do mendja se, në fund të fundit nuk do të na kushtojë aq sa të rrënohemi keq.
- Mirëpo mësimet – ia kthente ajo, - po s’u ndoqën rregullisht, s’ke ç’i do.
Ja pra si ia arriti ajo të merrte leje nga i shoqi për të shkuar në qytet, një herë në javë, të takonte dashnorin e saj. Bile pas një muaji flitej se ajo kishte bërë përparime të mëdha.
eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Popular Posts

Blog Archive