http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20BovariPjesa Tretë
     Kreu II
 Kur mbërriti në han, zonja Bovari u çudit që nuk e pa karrocën e postës. Iveri që e kishte pritur pesëdhjetë e tri minuta, më në fund kishte ikur.
Megjithatë asgjë nuk e shtrëngonte që të nisej; mirëpo kishte dhënë fjalën që do të kthehej atë mbrëmje. Për më tepër e priste edhe Sharli dhe tashmë ndiente në zemër atë
përulje të fëlliqur që, për shumë gra, është njëkohësisht si ndëshkim dhe shpërblesë e shkeljes së kurorës.
Shpejt e shpejt bëri gati valixhen, pagoi llogarinë, mori me qira një kaloshinë dhe, duke e nxitur karrocierin, duke i dhënë atij zemër, duke e pyetur në çdo çast për orën dhe kilometrat e bëra, arriti ta kapte Dallëndyshen aty te shtëpitë e para të Kinkapmuasë.
Sa zuri vend në një qoshe, mbylli sytë dhe i hapi rrëzë kodrës, ku dalloi nga larg Felisitenë, e cila kishte dalë në plan të parë përpara shtëpisë së nallbanit. Iveri i mbajti kuajt dhe kuzhinierja, duke u ngritur me majë të gishtërinjve deri te dritarja, i tha tinës:
- Zonjë, duhet të shkoni menjëherë te zoti Ome. Është fjala për një punë.
Fshati ishte i qetë si zakonisht. Në qoshe të rrugëve, kishte pirgje të vogla ngjyrë trëndafili që nxirrnin avull, sepse ishte koha e reçelrave dhe të gjithë në Jonvil, e përgatisnin zahirenë e tyre në të njëjtën ditë. Mirëpo përpara dyqanit të farmacistit, të binte në sy një pirg shumë më i madh, që ua kalonte gjithë të tjerëve, ashtu si një laborator që del mbi kuzhinat shtëpiake, si nevoja e përgjithshme që vihet mbi tekat vetjake.
Ajo hyri. Kolltuku i madh ishte kthyer përmbys, bile dhe “Feneri i Ruanit” ishte lënë përdhe, midis dy havanëve. Ajo shtyu derën e korridorit dhe, mu në mes të kuzhinës, midis qypave të murrmë, plot me rrush frëngu të shkërmoqur, me sheqer të shtypur, me sheqer me kokërr, midis peshoreve mbi tryezë, tasave në zjarr, asaj i zunë sytë të gjithë Ometë, të mëdhenj e të vegjël, me përparëse që u vinin deri në fyt dhe me pirunj në duar. Justini që qëndronte në këmbë, e mbante kokën ulur, kurse farmacisti i bërtiste:

- Po pse? Çfarë ka?
- Çfarë ka? – u përgjigj farmacisti. – Ja po bëjmë reçelra; ato po vlojnë; mirëpo ishin gati duke u derdhur dhe unë urdhërova të më sillnin një enë tjetër. Ndërsa ai nga plogështia, nga përtacia, ka shkuar e ka marrë, në laboratorin tim, varur në gozhdë, çelësin e kafarnaumit!
Kështu e quante farmacisti një depo, nën çati, të mbushur plot me enë dhe me sende të zanatit të tij. Shpesh herë ai rrinte vetëm aty për orë të tëra duke ngjitur etiketa, duke hedhur lëngje nga një enë në tjetrën, duke paketuar; dhe e mbante atë jo si ndonjë magazinë të thjeshtë, por si ndonjë vend me të vërtetë të shenjtë, prej të cilit dilnin pastaj, të përpunuara nga duart e tij gjithfarë hapesh, kokrrash të mëdha vezake, çajra bimësh, locionesh e shurupesh, që do t’ia hapnin famën rreth e përqark. S’linte njeri të fuste këmbët aty brenda; madje aq shumë e nderonte ai atë zgëq sa e pastronte vetë me fshesë në dorë. Në fund të fundit, nëse farmacia që i kishte dyert të hapura për këdo, ishte vendi ku ai nxirrte sheshit krenarinë e tij, kafarnaumi ishte streha, ku Omeu, duke u përqendruar vetë shkrihej i tëri nga kënaqësia që i jepte kryerja e punëve më të çmuara; prandaj hutimi i Justinit i dukej kulmi i mungesës së respektit; dhe më i kuq në fytyrë se rrushi i frëngut, ai e ngrinte e ulte:
- Po, atë të kafarnaumit! Çelësin që mbyll acidet dhe alkalet kaustike! Të marrë tjetri një tas që e mbaj rezervë! Një tas me kapak, dhe që ndofta s’kam për ta përdorur kurrë! Çdo gjë ka rëndësinë e vet në veprimet delikate të mjeshtërisë sonë! Po dreqi e mori! Ja që duhen bërë dallime dhe mos përdoren për nevoja thuajse shtëpiake ato që janë të caktuara për nevoja farmaceutike. Është njësoj si të presësh copa-copa një pulë me skalpel, me bisturi, njësoj si gjykatësi të...
- Po qetësohu tani! – i thoshte zonja Ome.
Ndërsa Atalia, duke e tërhequr nga redingota, e thërriste:
- Babi! Babi!
- Jo, lërmëni! – vazhdoi farmacisti, - lërmëni! Dreqi ta hajë! Më mirë të bëhesh bakall, për fjalë të nderit! Hajde, jepi kështu! Mos përfill asgjë! Thyej! Sakato! Le të ikin shushunjat! Digj mullagat! Vër kastraveca turshi nëpër enë qelqi! Gris fashat!
- Por ju kishit për të...? – i tha Ema.
- Pastaj? E di ti ç’rrezik të kanosej?... S’të zunë gjë sytë, në qoshe, në të majtë, në raftin e tretë? Fol, përgjigju, nxirr një fjalë nga goja!
- Nuk... e di, - belbëzoi djaloshi.
- Ah! Nuk e ditke! Mirë pra, e di unë atëherë! E pe një shishe qelqi të kaltër, të vulosur me dyllë të verdhë, që ka brenda pluhur të bardhë, mbi të cilën kam shkruar: I rrezikshëm! dhe e di ti se ç’ka aty? arsenik! dhe ti shkove dhe e preke, more një enë që ishte ngjitur me të!
- Ngjitur me të, - bërtiti zonja Ome duke lidhur duart, - arsenik? do të na helmojë të gjithëve!
Dhe fëmijët filluan të lëshonin ca klithma sikur të ndienin në bark dhimbje të llahtarshme.
- Ose do të helmoje ndonjë të sëmurë! – vazhdonte farmacisti. – Doje që unë të shkoja në bankën e të akuzuarve si kriminel në gjyq? Të më shihje që më hiqnin zvarrë për në gijotinë? Pse s’e dije ti se me sa kujdes i ambalazhoj e magazinoj unë gjërat, ndonëse kësaj pune ia kam marrë dorën si jo më mirë? Shpesh herë më zë tmerri edhe mua vetë, kur mendoj për përgjegjësinë që kam përsipër! Sepse na merr shpirtin qeveria, dhe ligjet absurde që janë shkruar për ne na qëndrojnë mbi kokë si shpata e Damokleut!
Emës nuk i shkonte më mendja të pyeste se përse e donin, ndërsa farmacisti s’pushonte me fjalët e tij të rrëmbyera:
- Ja sa mirënjohës je për të mirat që të kemi bërë! Ja si ma shpërblen kujdesin atëror fund e krye që s’ta kam kursyer asnjëherë! Sepse ku do të ishe pa mua? Ç’do të bëje? Kush të ushqen, të edukon, të vesh e t’i siguron të gjitha që të zësh dhe ti një ditë, me nder, një vend në shoqëri? Mirëpo që të arrish këtë, duhet të të rrjedhë djersa çurg ta kapësh lopatën e lundrës e të mos lëshosh, dhe të të bëhen, si i thonë fjalës, duart kallo: Fabricando fit faber, age quad agis.Footnote
Aq i pezmatuar ishte sa thoshte citate latine. Kishte për të thënë dhe në kinezçe e në groenlandisht po t’i kishte njohur këto dy gjuhë; sepse e kishte zënë një nga ato kriza gjatë të cilave tërë shpirti nxjerr pa dallim gjithë ç’mban përbrenda, si oqeani që, në stuhi, hapet që nga leshterikët e brigjeve deri në rërën e humnerave të tij.
Dhe vazhdoi:
- Kam filluar të pendohem si dreqi që të mora ty përsëri! S’do mend që do të kisha bërë më mirë të të lija qysh atëherë të qelbeshe në mjerimin dhe zhulin ku linde! S’ke për të vlejtur kurrë për gjë tjetër ti, veçse për të ruajtur bagëtitë me brirë! Për shkencat s’ta pret fare. Edhe një etiketë mezi e ngjit! Dhe prapëseprapë këtu, tek unë jeton, pallë ariu bën, porsi veshka në mes të dhjamit je, ha e pi si ta ka qejfi!
Mirëpo Ema, duke u kthyer nga zonja Ome pyeti:
- Më njoftuan të vij...
- Oh! O zot! – e ndërpreu atë, ajo zonjë grua e trishtuar në fytyrë, si t’ju them?... Kjo është fatkeqësi!
Ajo s’e mbaroi fjalën. Farmacisti sokëllinte:
- Zbraze! Laje! Çoje në vend! Nxito të them!
Dhe duke tundur e shkundur prej jakës së bluzës Justinin, këtij i ra nga xhepi një libër.
Djali u përkul. Mirëpo Omeu u tregua më i shpejtë dhe, si e mori librin, nisi ta shikonte gjithë vëmendje, me sy të çakërryer dhe me gojë hapur.
- Dashuria... bashkëshortore! – tha ai duke i ndarë me ngadalë këta dy fjalë. – Ah! shumë mirë! bukur fort! Paska edhe ilustrime! Ah! Kjo na qenka, ç’na qenka!
Zonja Ome iu afrua.
- Jo, mos e prek!
Fëmijët deshën të shihnin figurat.
- Dilni jashtë! – i urdhëroi ai prerazi.
Dhe ata dolën.
Në fillim i ra dhomës kryq e tërthor me hapa të mëdhenj, librin e mbante të hapur në duar, sytë i vërtiste rreth e rrotull, frymë mezi merrte, fytyra i ishte buhavitur gati sa s’i binte pika. Pastaj shkoi drejt e te çiraku dhe, si u ngul pincë mu para tij, me duar kryq, i tha:
- Po s’paske lënë ves pa marrë, mor fatzi e punëzi?... Ki kujdes se po merr rrokullimën!... Si s’ta preu mendja që ky libër i ndyrë, mund t’u binte në dorë fëmijëve, të m’u fuste xixën në tru, t’m’i cenonte pastërtinë. Atalisë, të më prishte Napoleonin! Ai është burrë tani. Të paktën, a je i sigurt që nuk e kanë lexuar? Ma vërteton dot këtë?...
- Po hë, zotëri, - ia bëri Ema, - kishit gjë për të më thënë?...
- Po, tamam, zonjë... Ju ka vdekur vjehrri!
Dhe me të vërtetë, xha Bovariu kishte vdekur para dy ditësh, papritmas, nga apopleksia, kur po ngrihej nga tryeza, ndërsa Sharli, nga kujdesi i tepërt për Emën si e ndjeshme që qe, i ishte lutur zotit Ome t’ia thoshte me kujdes këtë lajm të tmerrshëm.
Dhe ai e kishte rrahur me mendje mirë e mirë fjalinë, e kishte rrumbullakosur, limuar, i kishte futur ritëm; ishte një kryevepër urtësie dhe parashtrimi të shkallëshkallshëm, shprehjesh të holla dhe takti; mirëpo inati doli mbi retorikën.
Ema, që s’kërkoi të mësonte më tej ndonjë hollësi, doli më në fund nga farmacia; sepse Omeu ia nisi përsëri nga qortimet. Megjithatë, filloi të binte, dhe, tashmë murmuriste me një ton atëror:
- Jo se e hedh poshtë krejtësisht këtë vepër! Autori i saj ka qenë mjek. Aty ka disa anë shkencore që burri s’bën keq t’i dijë dhe, do të thosha, duhet t’i dijë. Por më vonë, më vonë! Prit të paktën të bëhesh njëherë vetë burrë dhe të piqesh si karakter.
Kur Ema i ra çokut të derës të shtëpisë, Sharli që e priste i doli përpara me krahëhapur dhe i tha me zë të përvajshëm:
- Ah! Moj e dashur...
Dhe u përkul me ngadalë për ta puthur. Mirëpo sa i ndjeu buzët e tij, atë e pushtoi kujtimi i atij tjetrit, dhe vuri dorën mbi fytyrë duke u dridhur e tëra.
Megjithatë, i ktheu një përgjigje.
- Po, e di... e di.
Ai i tregoi letrën, me anën e së cilës e ëma i tregonte ndodhinë, pa kurrfarë hipokrizie sentimentale. Vetëm se i vinte keq që të shoqit nuk iu bënë shërbimet fetare, ngaqë vdekja e rrëmbeu në Dudvilë, mu në mes të rrugës, në pragun e një lokali, pas një dreke patriotike me ca ish-oficerë.
Ema ia ktheu letrën, pastaj në darkë, për njerëzi, u shtir sikur i vinte vështirë të hante. Mirëpo, meqë ai e nxiste, nisi të hante përsëri mbarë, ndërsa Sharli, përballë saj, rrinte pa lëvizur, i dërrmuar shpirtërisht.
Herë pas here, si ngrinte kokën, i hidhte asaj një vështrim të gjatë me sytë gjithë pikëllim. Në një çast i tha duke psherëtirë:
- Doja, ta shihja edhe njëherë!
Ajo heshtte. Më në fund, si e kuptoi që duhej të fliste, e pyeti:
- Ç’moshë kishte babai yt?
- Pesëdhjetë e tetë!
- Ah!
Dhe kjo qe e gjitha.
Pas një çerek ore, ai shtoi:
- Po e shkreta nënë?... Si do të vejë halli i saj tani?
Ajo bëri një gjest për t’i thënë se nuk e dinte.
Duke e parë aq të heshtur, Sharli kujtonte se ajo ishte e pikëlluar dhe e shtrëngonte veten të mos nxirrte fjalë nga goja, që të mos ia acaronte më keq atë dhimbje që e kishte prekur thellë. Megjithatë, duke mposhtur të vetën, e pyeti:
- U kënaqe dje?
- Po.
Kur ngritën mbulesën, as Bovariu, as Ema nuk u çuan nga tryeza dhe sa më shumë e shikonte të shoqin në fytyrë, monotonia e asaj pamjeje po i fshinte ca nga ca nga zemra çdo ndjenjë mëshire. I dukej ngordhalaq, i dobët, një zero, me një fjalë një i mjerë nga të gjitha anët. Si të shpëtonte prej tij? S’kishte të mbaruar ajo mbrëmje! Po e mpinte të tërën diçka topitëse si të ishte avull opiumi.
Dëgjuan në korridor trokitjen e thatë të një bastuni mbi dërrasa. Ishte Hipoliti që po sillte plaçkat e zonjës. Për t’i lënë ato, përshkoi me mundim të madh një çerek rrethi e këmbën e tij të drunjtë.
“As që i vete më mendja!” – thoshte me vete ajo duke vështruar atë të gjorin, që i kullonin pika djerse nga flokët e dendur kuqalashë.
Bovariu kërkonte në fund të qeses së vet ndonjë kacidhe, dhe, pa e bërë veten se e ndiente se sa poshtëruese ishte për të edhe vetëm prania e atij njeriu që qëndronte aty në këmbë, si qortim i gjallë ndaj marrëzisë së tij të pashërueshme, sa vuri re mbi oxhak manushaqet e Leonit, tha:
- Pa shih! Paske një alamet buqete të bukur!
- Po, - u përgjigj ajo me mospërfillje, - i bleva qëparë... te një lypsare.
Sharli i mori manushaqet dhe, duke freskuar me to sytë e skuqur nga lotët, u merrte erë lehtë-lehtë. Ajo ia rrëmbeu nga dora, dhe shkoi t’i vendoste në një gotë me ujë.
Të nesërmen, mbërriti zonja Bovari, nëna. Ajo bashkë me të birin qanë shumë. Ema, duke nxjerrë si shkak se do të bënte disa porosi, u zhduk.
Ditën tjetër, vranë mendjen së bashku për punët e zisë. Shkuan e u ulën, me gjithë kutinë e punëdores, në anë të lumit, nën tendë.
Sharli mendonte për të atin dhe çuditej me vete që ndiente gjithë atë dashuri për atë njeri, të cilin kishte kujtuar se deri atëherë e kishte dashur fare pak. Zonja Bovari, nëna mendonte për të shoqin. Edhe ditët më të këqija të shkuara i dukeshin tani se ishin për t’i pasur zili. Gjithçka po shuhej përballë dhimbjes instinktive që ndiente, ngaqë ia kishin kaluar aq gjatë bashkë të mësuar me njëri-tjetrin; dhe, herë pas here, ndërsa shtynte gjilpërën, i zbriste një pikë e madhe loti gjatë hundës dhe i qëndronte aty e varur për një çast. Ema mendonte se s’kishte as dyzet e tetë orë që ata të dy kishin qenë bashkë, larg syve të botës, të dalldisur, që s’kishin të ngopur së sodituri njëri-tjetrin. Përpiqej të sillte ndër mend hollësitë më të imëta të asaj dite të shkuar. Mirëpo e turbullonte prania e vjehrrës dhe e të shoqit. Qejfi ia kishte të mos dëgjonte më asgjë, të mos shihte asgjë, që të mos shqetësohej gjatë prehjes shpirtërore që ndiente duke përjetuar çaste nga ajo dashuri e cila, sido që të bënte ajo, vinte duke u fikur, prej ndijimeve të jashtme.
Ajo shqepte astarin e një fustani, fijet e të cilit përhapeshin rreth saj; nëna Bovari, pa i ngritur sytë, kërciste gërshërët, ndërsa Sharli, me pantoflat prej cohe të trashë dhe me redingotën e vjetër të murrme që e mbante si petk dhome, rrinte me duar në xhepa dhe nuk fliste as ai; aty pranë tyre, Berta, me përparëse të vogël të bardhë, gërryente me lopatë rërën e udhëkalimeve.
Papritmas, panë të hynte nga trina zotin Lërë, tregtarin e stofrave.
Kishte ardhur t’u shprehte gatishmërinë për t’i ndihmuar me shërbimet e tij, duke pasur parasysh gjëmën që i gjeti. Ema i tha se s’kishte nevojë për gjë. Tregtari nuk e quajti veten të mundur.
- Ju kërkoj një mijë herë të falur, - iu përgjigj ai, - kisha dëshirë të bisedoja veças me ju.
Pastaj, me zë të ulët shtoi:
- Lidhur me atë çështjen..., a e dini?
Sharli u bë flakë i kuq deri në majë të veshëve.
- Ah! po..., vërtet.
Dhe, i turbulluar siç ishte, u kthye nga e shoqja:
- Nuk do të mundje dot... e dashur...?
Ajo u duk që e kuptoi, sepse u ngrit, dhe Sharli i tha së ëmës:
- S’është gjë fare! Me siguri është fjala për ndonjë vogëlsi shtëpiake.
Ai s’donte kurrsesi që ajo ta merrte vesh punën e kambialit, sepse i ruhej qortimeve të saj.
Porsa u ndodhën vetëm për vetëm, zoti Lërë, nisi ta përgëzonte Emën, me fjalë mjaft të drejtpërdrejta, për trashëgiminë, pastaj zuri të fliste për gjëra të parëndësishme, për pemët frutore, për vjeljet dhe për shëndetin e tij, që i shkonte gjithmonë ja ashtu herë mirë e herë keq. Dhe me të vërtetë atij po i binte bretku duke punuar, ndonëse, pavarësisht se ç’thoshin të tjerët, s’nxirrte fitim as sa të lyente bukën me gjalpë.
Ema e linte të fliste. Kishte dy ditë që po mërzitej jashtëzakonisht shumë!
- Dhe ja tani jeni shëruar plotësisht? – vazhdoi ai. – Për besë, i shkreti burri juaj, e pashë vetë që u trondit rëndë atëherë! Është njeri shumë i mirë, megjithëse bashkë kemi bërë fjalë.
Ajo e pyeti se për çfarë kishin bërë fjalë, sepse Sharli nuk i kishte treguar që kishte kundërshtuar ta furnizonte atë me mallrat e tij.
- Po ju e dini mirë! – i tha Lërëi. E kishim për ato kërkesat tuaja të vogla, për çantat e udhëtimit.
Ai e kishte ulur kapelën mbi sy, dhe, me duart lidhur mbrapa shpine, duke buzëqeshur e fërshëllyer lehtë e lehtë, e vështronte atë mu në sy, në mënyrë të padurueshme. T’i kishte rënë në erë ndonjë gjëje? Ajo u hallakat në gjithfarë dyshimesh. Megjithatë, më në fund, ai e mori fjalën përsëri:
- Tani jemi pajtuar, dhe erdha prapë t’i propozoj një ujdi.
Gjithë puna ishte ta përsëriste kambialin e nënshkruar nga Bovariu. Zotëria, tek e fundit, do të vepronte si t’i vinte për mbarë; s’kishte pse ta prishte gjakun, sidomos tani që do të kishte një mal me telashe.
- Madje, do të bënte më mirë, t’ia linte këtë barrë ndonjë tjetri, juve, për shembull, me një prokurë, do të ishte e udhës, dhe atëherë ne të dy së bashku do të bënim tregtira të vogla...
Ajo s’kuptonte gjë. Ai heshti. Pastaj, duke kaluar në tregtinë e ti, Lërëi tha se zonja s’duhej të rrinte pa marrë diçka. Ai do t’i dërgonte një stof të bukur leshi të zi, dymbëdhjetë metra, sa për të bërë një fustan.
- Ky që keni është i mirë për në shtëpi. Ju duhet një tjetër për vizita. E pikasa unë me të parën, kur hyra brenda. Kam sy amerikani unë.
Stofin nuk e dërgoi me njeri, por erdhi e solli vetë. Pastaj u duk përsëri për ta matur; erdhi sërish kaq e kaq herë me shkaqe të tjera në majë të gjuhës, duke u përpjekur, në çdo rast, të tregohej dashamirës, i gjindshëm, duke u vetëkthyer në vasal, siç do të kishte thënë Omeu, dhe vazhdimisht duke i futur kalimthi në vesh Emës këshilla lidhur me prokurën. Kambialin s’e zinte fare në gojë. Ajo as që mendonte për të; Sharli, kur ajo filloi ta merrte veten pas sëmundjes, diçka i kishte përmendur për këtë çështje; mirëpo asaj ia kishin tronditur mendjen aq shumë tallaze, saqë nuk i kujtohej më gjë për të. Bile ajo iu shmang çdo bisede për punë parash; nëna Bovari u çudit dhe e shpjegoi këtë ndryshim të gjendjes së saj me ndjenjat fetare që kishte fituar gjatë sëmundjes.
Mirëpo, sapo iku ajo, Ema e mahniti Bovariun me arsyetimin e saj të shëndoshë praktik. Lindte nevoja për të marrë të dhëna, për të verifikuar hipotekat, për të parë nëse ishte rasti për ndonjë shitje në ankand apo për ndonjë likuidim. Ajo përdorte terma teknike, si t’i vinte për mbarë, shqiptonte fjalë të mëdha për rregull, për të ardhmen, për parashikime dhe i frynte vazhdimisht telashet e trashëgimisë: deri sa një ditë, i tregoi atij modelin e një prokure të përgjithshme “për të drejtuar dhe qeverisur çështjet e tij tregtare, për të rregulluar gjithë huatë, për të nënshkruar dhe xhiruar gjithë kambialet, për të paguar gjithë shumat e parave, etj.”
Ajo kishte përfituar nga mësimet e Lërëit.
Sharli, e pyeti pa djallëzi nga vinte ai dokument.
- Nga zoti Gijomen.
Dhe, me gjakftohtësinë më të madhe, ajo shtoi:
- Nuk i zë shumë besë, atij. Sa të keq e kanë namin noterët! Ndofta të këshilloheshim... Njohim vetëm... Oh! Asnjeri.
- Vetëm në qoftë se Leoni..., - u përgjigj Sharli, që po vriste mendjen.
Mirëpo ishte e vështirë të merreshin vesh me letra. Atëherë ajo u tregua e gatshme ta bënte këtë udhëtim. Ai gjithë mirësjellje i tha se s’ishte punë për të. Ajo ngulmoi. U ndeshën kush e kush të tregohej më dashamirës ndaj tjetrit. Më në fund, ajo bërtiti me një zë kundërshtues të shtirur:
- Jo, të lutem, jam për të shkuar unë.
- Sa e mirë që je! – i tha ai, duke e puthur në ballë.
Që të nesërmen, ajo ia hipi Dallëndyshes, për në Ruan që të këshillohej me zotin Leon; dhe qëndroi aty tri ditë.

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Popular Posts

Blog Archive