Vetura ndaloi pranë restorantit „Podgorica“, që ndodhej në periferi të qytetit. Pasi e shtypi sustën e ziles, derën e hapi një vajzë e veshur me uniformën e kamerieres. Hyri brenda, kurse ajo e mbylli derën me bravë. Në korridorin e ngushtë e priti pronari. Ishte një burrë rreth të pesëdhjetave, me mustaqe dhe flokë pis të zeza, të bojatisura. Ishte malazez, i ikur nga Shqipëria para tridhjetë vitesh, i lindur dhe i rritur në një fshat në rrethin e Shkodrës. E fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe. Pasi kaluan tri shkallë, u ndodhën para banakut modern. Prapa tij i përshëndetën dy vajza. Kaluan sallën e madhe dhe të rregulluar bukur. Tavolinat ishin të radhitura në pesë rreshta dhe të mbuluara me cohë të bardhë. Në ballë ndodhej një derë e madhe pakëz e hapur. Kaluan në sallën tjetër, e cila ishte edhe më e madhe dhe më e gjerë se e para. Në fundin e saj shiheshin dy
pastruese, duke rregulluar karriget dhe duke pastruar rrëmujën e një nate më parë. Kjo sallë përdorej si kabare, apo rezervohej nga miq të zgjedhur, për orgji, darka dhe ahengje të porositura. Në ballë ndodhej skena me perde të hapura dhe në brendi shiheshin instrumente muzikore. Në këndin e djathtë ishin shkallët e ndërtuara në mënyrë rrethore, që të shpinin në katin e 227 dytë. Ishin të veshura me tepih, ndërsa mbajtëset anësore të metalta dhe me ngjyrë të artë shkëlqyese. Ngjitën shkallët. Kaluan korridorin e gjatë dhe u gjendën përballë një dere. Pronari e shtyu derën. Ndaloj jashtë pragut, duke i dhënë shenjë me dorë, me një përulje të lehtë, në shenjë respekti, që ai të hynte i pari. Dhoma ishte e madhe, e shndritshme dhe e mobiluar bukur. Në këndin e majtë ishte një tavolinë e madhe në formë të germës “L”. Mbi tavolinë shiheshin dosje të hapura dhe shkresa, si dhe monitori i madh i kompjuterit. Në anën tjetër të tavolinës ishte një kolltuk i veshur me saftjan, kurse pranë dritares një vazo e madhe me kurorën e blertë të një limoni. Në ballë ishte i vendosur një televizor i madh, kurse pranë tij një divan dhe një tavolinë e ulët. Pronari i dha shenjë të ulej në divan, pastaj duke ngritë receptorin e telefonit lajmëroi kamerieren që të vinte për të marrë porositë. Derisa kamerierja ishte duke i marrë porositë, pronari fiku televizorin që ishte duke transmetuar hyrjen triumfale të trupave ndërkombëtare në Kosovë. “Këtu je në vend të sigurt,” – tha pronari i buzëqeshur, sikur donte t’ia tërhiqte vëmendjen nga pamjet në televizor. “Ju faleminderit”, – ia ktheu Besimi, me një çudi të përmbajtur. Pikërisht në këtë restorant ishte zënë me serbët para ca vitesh dhe pikërisht ky burrë që tani ndodhej i ulur ballë tij e kishte shpëtuar. Të ketë qenë e tëra një kurdisje, apo është një rrjet që unë nuk jam i njoftuar për të? Dhe vazhdoi: – „Të gjitha shpresat i kam të varura te ju.” 228 “Ke arsye të plotë, miku im. Ja, e sheh! Unë rrezikoj veten për të mbrojtur ty. Ne jemi si vëllezër, ndaj ia kemi me borxh njëri-tjetrit ndihmën.” „Ashtu është.“ – tha Besimi mendueshëm. Dera u hap. Ishte kamerierja. Me tabaka në dorë dhe me hapa të shpejtë i solli pijet e porositura. Ajo, pasi ju tha “ju bëftë mirë”, doli. Pronari u ngrit dhe prapë mori dëgjuesen e telefonit. “Çdo gjë është në rregull. Mirupafshim!“ – tha dhe lëshoi dëgjuesen mbi aparat. Pastaj, me hapa të lehtë, u ul në vendin e vet, duke marrë gotën në dorë. – „Epo, gëzuar, dhe mirë se na erdhe!” “Gëzuar dhe mirë se ju gjeta! ” – tha duke ngritur gotën e konjakut. Vetëm sa i çiku buzët dhe e la mbi tavolinë. E ndjeu se ishte i uritur. Pronari sikur e kuptoi. “Dëshironi të hani diç?” “Oh, me gjithë dëshirë!” “Me fal, se po ju lë vetëm për pak kohë,” – tha pronari dhe doli. I dukej si në ëndërr. Me një gëzim të përmbajtur u shtriq, duke ngritur duart lartë. Shpëtova kësaj radhe, mendoi. Befas i shkuan sytë te ora e madhe e varur në murin përballë. Nëntë pa një çerek. Ishte e mundur të jetë kaq herët? Pronari i solli mëngjesin. Në tabaka ishte edhe gazeta ditore. Dashamirësia dhe sjellja e ëmbël që e kishte pasur në fillim, i kishte tretur. Vetullat i kishte varur mbi sy. Gojën e kishte kyçur. Pasi i vuri tabakun përpara, me gishtin tregues i tregoi germat e zeza mbi gazetë. Njoftimi ishte rrëqethës. Një palë mornica të ftohta ia përshkuan tërë trupin. Në vend që të hante, 229 ai mori gazetën. Në faqen e parë, me titull të madh shkruante: “U arrestua dhunuesi dhe vrasësi i bukuroshes çeke” Pasi e lexoi njoftimin, ngriti kokën drejt pronarit. Një palë djersë të ftohta ia përshkuan ballin, edhe ashtu të verdhë. Sytë sikur ju fikën. Tëmthat ju bë sikur i kullonin gjak nga plagët që kishte marrë gjatë depërtimit në mes të hekurave dhe për një çast iu bë se akoma e kishte kokën në mes të atyre hekurave vertikalë, që ia shtypnin pa mëshirë. Një frikë tinëzare ia përshkoi gjithë trupin. Mendimet i vinin të shpeshta, duke mos ia lëshuar vendin njëra-tjetrës, por duke u grumbulluar njëra mbi tjetrën, të paqarta, të ngatërruara dhe të frikshme. Asnjë ide pozitive, sado e vogël, nuk i vinte e kthjellët, e pastër dhe e arsyeshme për momentin. Të largohej nga këtu? Ku të shkonte? Vetura i kishte mbetur në qytet, bile edhe sikur ta kishte pranë, nuk do të guxonte ta përdorte! Të qëndronte, ishte fare pranë atyre që e kërkonin dhe ishte rrezik jo vetëm për të, por edhe për të tjerët. Të kthehej në atdhe, ishte frika tjetër edhe më e rëndë sesa burgu këtu! Ishte frika e hakmarrjes, e vrasjes! Pfffiiiuuu! psherëtiu i dëshpëruar! I vetmi shteg i hapur për momentin iu duk se ishte e kthyera e tij atje ku ishin urdhërdhënësit e tij. Balli i shndriti nga hareja! Kjo zgjati vetëm disa çaste. Prapë u zymtua! Si të shkonte në gojën e tyre, në këtë kohë që ata nuk ia kishin më nevojën. Ata e kishin shtrydhur si limonin, deri në pikën e fundit, ndaj mbetjen e tij do ta hidhnin në koshin e plehrave. Ishte hera e parë që ia mori inat Belit. Qysh nga fillimi e kishte mbajtur me 230 lajka se edhe ai do t’i ndihmonte në planet e tij, por sa herë që ia kishte kujtuar premtimin, ai i kishte ikur bisedës me mjeshtri, duke e shtyrë deri në pafundësi. Pa dashur, mendja i shkoi të thesari i tij i fshehur në bodrumin e Muradifit. Sigurisht se Beli tani do t’i bartë në ndonjë vend të sigurt. Pastaj, e kishte njoftuar që të vinte vetë e ta dërgonte në një bazë të sigurt, për të cilën sa e sa herë i kishte folur, e jo të organizonte njerëz të tjerë dhe t’i ngatërronte edhe më keq punët. Sigurisht është i zënë me… Instinktivisht, me dorën e djathtë, fshiu gjakun në tëmtha që i shkonte rrëke tatëpjetë faqes. Pastaj, me sy të zgurdulluar shikoi dorën. Nuk ishte gjak, por djersë. Djersë që i rridhnin nga frika. “Është kohë trazirash, që as qeni nuk e njeh të zonë, ndaj unë mendoj se ti duhet të largohesh në një shtet tjetër, të përzihesh me të dëbuarit e tjerë shqiptarë dhe të kërkosh azil politik,” – tha pronari, duke u përpjekur ta merrte veten. “Ashtu kam menduar edhe unë, por do ta pleqërojmë edhe me Belin,“ – tha Besimi, duke shikuar nga ora. Dukej se kishte ndalur. Iu bë se ishte mëngjesi më i gjatë që kishte përjetuar ndonjë herë në jetën e tij. * Mugëtira e trishtë që e rrethonte, si dhe zhurma tipike e muzikës serbe që vinte nga salla e madhe, e bënë Besimin të ndjehej i mërzitur. Kënga buçiste hovehove, duke e dridhur lehtë dyshemenë nën këmbët e tij. I mërzitur dhe i frikësuar tej mase, lëshoi rëndë trupin e tij amorf mbi divan. Iu bë se edhe ajri u zhvendos, duke i lëkundur lehtë gjethet e fikut. 231 Dera trokiti lehtë dhe akoma pa arritur që të thoshte “hyr”, ajo u hap ashtu lehtë, siç kishte trokitur. Besimi brofi në këmbë, kur e pa Belin. Si gjithmonë i heshtur dhe serioz. Pasi u përqafuan shqiptarçe, u ulën të dy ballë njëri-tjetrit. Pas përshëndetjeve të zakonshme, Besimi i tregoi në imtësi se si i kishte ndodhur. Beli në fund i vuri dorën lehtë mbi sup, pastaj duke e goditur në shenjë miqësie, i tregoj në pika të shkurtra për planet që i kishte: “Jemi në një kohë krize, ndaj ne duhet të tërhiqemi, pa rënë në duart e policisë vendase,“ – e nisi bisedën i qetë Beli. Pasi u kollit nja dy-tri herë, sikur donte që përmes kollës t’i nxirje fjalët që edhe ashtu i kishte të pakta, vazhdoi me të njëjtin ton: – „Ka ardhur koha që punën tonë t’ua lëmë të tjerëve. Pjesën më të madhe të inventarit, lëndën e parë si dhe produktet finale që i kemi të deponuara në magazinat tona, duhet t’i shesim. Laboratorin e kam shitur me një çmim premtues. Çdo gjë që mund të shndërrohet në para të gatshme, ne duhet ta bëjmë dhe atë një orë e më parë. Një pjesë të thesarit, si fjala vjen pikturat e shtrenjta, xhevahiret, orët dhe të gjitha bizhuteritë që i kemi, duhet t’i marrim me vete. Këtu nuk guxojmë t’i qesim në shitje, kurse atje të ne i ha pazari!…” “Si do të organizojmë transportin?“ – pyeti Besimi. “E kam rregulluar. Përmes ndihmave humanitare. Doganimin e tyre e kanë marrë përsipër njerëzit tanë të konsullatës.” Mugëtira e mbrëmjes kishte zënë të trashej. Pas një dite me vapë, mbrëmja sikur kishte sjellë me vete 232 freskun. Ajri, nga dera e hapur e ballkonit hynte i qetë, duke e mbushur dhomën me freski, si dhe duke i tundur perdet e lehta. Dera u hap, duke sjellë me vete edhe një insert të zhurmshëm të muzikës që vinte pa ndërprerë nga salla poshtë, ku, siç dukej, tani kishte filluar me tension të shtuar orgjia dhe ahengu. Në dhomë u duk pronari, kurse pas tij ishte një grua e re, e veshur me një fustan të shkurtër dhe me gotën e shampanjës në dorë. Belit i ndriti fytyra. Lehtë u ngrit në këmbë duke ia zgjatur dorën e tij të mbushur plot me mansheta gruas së re, kurse në gisht Besimi pa unazën e tij të madhe, me një gurë rubini në mes, që shkëlqente në dritën e poçit elektrik. Ata nuk u ulën. Biseda zhvillohej në këmbë. Edhe Besimi rrinte në këmbë. Asnjëherë nuk e kishte parë më të hareshëm se tani Belin. Ai fliste, qeshte dhe bënte shaka, pastaj të tre qeshnin me të madhe. Besimi dëgjonte pa ndonjë përshtypje, bile çuditej se nga ju vinte gjithë ai disponim. Po, helbete, ata nuk e kishin hallin e tij. Nuk i kujtohej sa kishte zgjatur ajo bisedë dhe ato shaka pa kripë, por u përmend vetëm atëherë kur dëgjoi Belin të thoshte se po ikim. Pronari nuk e kundërshtoi. Pasi hapi derën, nga poshtë erdhi vala e muzikës. Në korridor dëgjohej edhe më e theksuar. Kaluan përmes sallës së madhe, gjysmë të errët, që buçiste nga të goditurat e tupanëve dhe zallahia e instrumenteve të tjera dhe, sakaq, u gjendën në oborrin e gjerë. Besimi u kthye nga pronari, duke ia zgjatur dorën dhe duke e falënderuar përzemërsisht për ndihmën që ia kishte ofruar në çastet më kritike. Gruaja e re nuk kishte dalë 233 fare për t’i përcjellë. Hynë në veturën e tipit “Cryssler”, që ndodhej e parkuar prapa ndërtesës. Në kabinën luksoze, lartë në mes të xhamit të përparmë ishte i varur një flamur me shkabën dykrerëshe në formë trekëndëshi e me thekë të verdhë. Në anën e djathë të kabinës, po ashtu në xhamin e përparmë, ishte e varur një xhufkë e mbështjellë me fjongo të ngjyrave kuq e zi, pastaj në mënyra të çrregullt vareshin edhe shumë xhingla të tjera, që as në gjoksin dhe duart e tij nuk ishin të pakta. Beli ndezi motorin. Pasi e nxori veturën në rrugën kryesore dhe mori drejtimin e qytetit Zürich, Beli zgjati dorën dhe futi kasetën në manjetofon. Buçiti muzika. Pastaj, me një zë si të përvajshëm, filloi kënga me melos turk, por me fjalët shqip. Muzika vazhdonte me ritmet e saj, Beli e ndiqte me vërshëllimë. Besimi kishte thartuar turinjtë dhe pa e bërë të gjatë zgjati dorën dhe ia uli zërin manjetofonit. Beli ktheu kokën nga ai, por pasi nuk vërejti gjë në fytyrën e tij sepse ishte errësirë, shtypi gazin më vrull, duke dalë nga rruga kryesore në autostradë. Tani, pasi i dukej se e kishte kaluar rrezikun, Besimin e hante meraku i thesarit. Nuk i kishte mbetur asgjë në këtë jetë, vetëm ato gjëra të çmueshme që për fitimin e tyre e kishte futur edhe kokën sa e sa herë në rrezik. “Ç’u bë me thesarin tim?“ – pyeti më në fund Besimi, duke shikuar nga Beli me ata sytë e tij të akullt, por pasi nuk arriti të dallonte gjë në fytyrën e Belit, iu bë se edhe sytë e tij e kishin harruar zakonin e vjetër të zhbirimit. Vite të tëra ai nuk kishte bërë gjë tjetër, por vetëm kishte zhbiruar, hetuar e spiunuar njerëzit, 234 duke i marrë në qafë. Kishte akoma nga ata, që për shkakun e zhbirimit të syve të tij, kalbeshin në burgjet e ftohta dhe të largëta serbe, kurse fëmijët e tyre kishin mbetur barkthatë, zhele-zhele dhe vaji i sokakut. Por, kësaj radhe ai nuk e kishte hedhur shikimin drejt Belit për zhbirim, për hetim, për spiunim por e kishte hedhur thjeshtë për kuriozitet. “Si gjithmonë. Ç’do gjë është në vend të sigurt!” – tha Beli pa prishur fare terezinë e vet për shqetësimin e tij. “Ndodhen në bodrumin e Muradifit, apo i ke larguar që andej?” – pyeti prapë Besimi. “I kam larguar… me t’u dhënë lajmi për vetëvrasjen e vajzës çeke, unë të kërkova, por pasi nuk të gjeta, shkova e lajmërova Kolin dhe me ndihmën e tij të gjitha gjësendet i rregulluam në bazë,” – sqaroi Beli. Besimi sikur u qetësua pak. Ktheu prapë kokën drejt tij. Edhe pse nuk arriti të dallonte gjë, prapë i erdhi një valë gëzimi në gjithë qenien e tij. Shikonte me admirim shpëtimtarin e tij. Por, sakaq, vala e gëzimit sikur u tret. Vendin e saj e zuri vala e frikës dhe shumë pyetjeve që sa e sa herë ia kishte shtruar vetës, por pa përgjigje. Shpëtimtari nuk mund ta mbronte gjithë jetën, këtë e kishte të qartë! Ai e kishte nxjerrë nga dallgët e shfrenuara të rrebeshit dhe ishte i sigurt se do ta tërhiqte deri në bregun e qetë! Po pastaj? Ç’të bënte pastaj? Ku të mbytej? Nga t’ia mbante? Të qëndronte akoma në këtë shtet, ishte e pamundur. Të shkonte në një shtet tjetër, ishte e mundur, por thesarin s’e merrte dot me vete. Ta linte në duart e të tjerëve, ishte një punë që nuk bëhej. Nuk ia kishte besën askujt. Tani kishte 235 filluar të dyshonte edhe në Belin. Ky dyshim nuk i vinte nga ndonjë mashtrim sado i vogël nga ana e tij, por në natyrën e tij tani më ishte krijuar një bindje e tillë. Pastaj, fjala e tij, se do ta merrte me vete gjithë bizhuterinë, sikur zgjuan një ndjenjë frike në shpirtin e tij. Po unë ku do të mbetëm? Ndoshta edhe unë do të udhëtojë me të, mendoi dhe thellë në shpirt sikur ndjeu një lehtësim. Vetura doli nga magjistralja, duke e ngadalësuar shpejtësinë. Pasi hyri në rrugën kryesore, u pa se shpejt do të futej në unazën periferike të qytetit të madh. Dritat e neonit shndrisnin rrugët, tani pothuaj të boshatisura. Semaforët ishin shkyçur, duke lëshuar dritë të verdhë. Në udhëkryqin e parë vetura mori në të majtë, në një rrugë të klasës të dytë, që të shpinte thellë në zonën periferike të qytetit plak. Krejt rrugës, derisa arritën pranë një ndërtese buzë mali, nuk folën. Vetura ndaloj në oborrin e ngushtë të një shtëpie përdhese. Pasi Beli fiku motorin, si dhe dritat, vendin përreth e mbuloi një shtresë e trashë errësire, sa që Besimi nuk pa se ku po e hidhte këmbën. Kur u afruan pranë shkallëve të betonit, në mënyrë automatike u ndez drita që ishte e varur mbi derën e hyrjes. Nga jashtë Besimi dalloi një vilë të bukur, të rrethuar me kangjella hekuri që dukeshin të vendosura mbi një mur të ultë çimentoje. Beli hapi derën. Në korridorin e gjerë në këmbë i priste një vajzë e re, me një pelerinë nate të hedhur krahëve, pa kujdes. Ishte hera e parë që Besimi vizitonte shtëpinë ku banonte Beli. Ishte një apartament luksoz, me orendi druri të skalitura me mjeshtri të lartë artistike. Në dhomën e gjerë të pritjes ishte një divan i madh, i mbështjellë 236 me lëkurë të zezë, kurse në ballë kishte zënë vend një televizor i madh i tipit “Philips” me madhësi 16:9, fjala e fundit e teknikës. Vajza, pas përshëndetjeve në gjuhën serbe, iku në kuzhinë duke u çapitur me hapin e saj të ëmbël. Për një çast Besimit i mbetën sytë në vithet dhe kofshët e saj gjysmë lakuriq, që pelerina nuk i mbulonte dot. Pasi ajo ishte zhdukur në kuzhinë, Beli gjithë ngazëllim ju drejtua Besimit, duke u përpjekur të mos linte asnjë shteg dyshimi: “Është nga Serbia. Pas arrestimit tuaj, domosdo edhe mua m’u desh të kërkoj vend më të sigurt, ndaj erdha në banesën e saj!” – tha Beli me zë të ulët që mos të dëgjonte ajo. “Epo, mirë bëre ti!” – ia ktheu Besimi. Deshi të thoshte edhe diç, por prania e saj në derë e bëri Besimin të ndërpriste bisedën, duke ia hedhur një vështrim dashamirës vajzës, e cila me tabaka në dorë afrohej drejt tavolinës së ulët. Në çdo hap që hidhte, kofsha e djathtë, e bardhë dhe e plotë shfaqej jashtë cepit të shtrembër të pelerinës, që si pa dashur e ngacmoi këndshëm epshin e fjetur të Besimit. Ajo u përkul lehtë për t’i vendosur kafetë mbi syprinën e tavolinës, ku edhe kësaj radhe Besimi mbërtheu si pa të keq shikimin e tij plot epsh të përmbajtur në gjoksin e saj të bardhë, që varej këndshëm nën këmishën e natës. Për sa kohë ajo qëndroi në atë pozitë, Besimi lëbyri sytë duke zgjatur turinjtë si feçkë thiu. Ajo e kishte diktuar me kohë peshën e vështrimit të tij, ndaj në mënyrë edhe më provokuese, si pa dashje, zbulonte një çikë pjesët e trupit dhe pastaj me naze i mbulonte si pa të keq. 237 Pasi hëngrën darkë, vajza solli verë. Biseda filloi e qetë. Vajza pyeti për të kaluarën e tij, pastaj për gjendjen e tanishme. Beli, pasi kishte thartuar turinjtë, e ndërroi bisedën, duke i treguar Besimit për laboratorin, si dhe shumë detaje që për Besimin ishin të panjohura. Ai nuk kishte pasur asnjëherë rastin ta vizitonte laboratorin, sepse detyra e tij kishte qenë shpërndarja dhe gjetja e mënyrave për shitjen e drogave që prodhoheshin aty. Pasi e pa se Besimi nuk e kishte të qartë, Beli futi video-kasetën në rekorder dhe, duke i parë pamjet, Beli i sqaronte për funksionin e aparaturave. Befas syri i zuri Zefin, duke punuar në një repart me një epruvetë në dorë. Pa i kaluar habia e parë, pa edhe Hutin. “Edhe këta punojnë këtu!?“ – pyeti Besimi, pa mundur ta fshehë kureshtjen. “Po, pse a s’të kanë treguar, a?“ – tha Beli, edhe ai i habitur me padijen e tij. “Jo!“ – tha Besimi i prekur në sedër. “Ëëëë?!... Po ata e kanë blerë laboratorin!” – tha si pa të keq Beli. “Si!? E kanë blerë laboratorin, kurse ti bën incizime private?… E di ç’do të thotë kjo kasetë, po ra në duart e policisë?” – tha Besimi i tronditur, dhe mendja i shkoi te tragjedia që e kishin pësuar anëtarët e familjes së Hutit në Kosovë. Ata ishin masakruar brutalisht nga “tigrat” për shkak se Huti nuk kishte mundur t’ua paguante borxhet për drogën që e kishte marrë prej tyre veresie! Sikur nuk mjaftonte kjo që i kishte ndodhur, tani edhe incizimi i tij në laborator!... o zot, po kjo të bën të çmendësh! “Harroje! Brenda dy apo tre ditësh, ne do të ikim 238 që këtej. Pastaj edhe kasetën do ta zhdukim! ” “Po, po, por ai do të vazhdojë të mbetet këtu dhe...” – tha Besimi disi i ndrojtur “Ju lutëm, lëni ato biseda. Unë u gëzova kur ju pashë. Beli me ka folur sa e sa herë për ju…ziveli!” – e ndërpreu vajza e pakënaqur me bisedën e tyre, duke e ngritur lart gotën e verës. “Ziveli…” - ia kthyen të dy gati njëzëri. Biseda rrodhi tek pikturat që Beli i mbante të fshehura në bazën e tij. Ato ishin piktura të vjetra dhe të rralla, të punuara nga autorë të mëdhenj. Kishin një vlerë të madhe artistike. Qysh tani ishin të shitura. Dy prej tyre ia kishte shitur politikanit rus Zhirinovski, kurse të tjerat do t’i dërgonte në Serbi, ku do t’i shiste përmes porosisë. Pasi gjatë bisedës kishin kthyer edhe disa gota me fund, vajza u ngrit, dhe ashtu duke u kalamendur nga pija, arriti pranë radio-studios duke lëshuar muzikë. Pastaj arriti te dera, duke fikur dritat. Vendin e zuri drita e mekur e ca qirinjve, që ishin vendosur në shandanë në këndin e dollapit. Drita vinte edhe nga televizori, ku tani shfaqeshin skena erotike, të cilat të pranishmëve edhe më tepër u ndillnin epsh. “Këtu jemi të veçuar nga rrethi dhe fqinjët, ndaj, nëse dëshironi, ne mund të bëjmë muzikë dhe të hedhim valle deri në mëngjes,” – tha vajza, duke mos e përcaktuar se me cilin fliste. Pa i dhënë përgjigje propozimit të saj, ata hynë në valle. Rakia, muzika, dëfrimi sikur e kishin bërë të veten. Vajza, ashtu e hallakatur siç ishte, e hoqi pelerinën duke mbetur vetëm në këmishën e hollë të natës. Be239 simit i shndritën sytë. Dëshira ia donte të jetë i ngjitur për trupin e saj, por prania e Belit… E ndjeu se ishte i tepërt në këtë mes, ndaj kërkoi të largohej. Gruaja e re e tërhoqi nga vetja, duke e puthur. Beli këqyri me buzë në gaz. Pastaj ajo u afrua edhe më pranë tij dhe me lëvizje të ngathëta të gishtërinjve të saj të hollë filloj t’ia shpërthekonte kopsat e këmishës. Kurse Beli kishte filluar ta zbaviste, duke ia ledhatuar shpinën dhe belin. Pasi Beli ia hoqi nga trupi atë tis të hollë që e mbulonte akoma trupin e saj të bëshëm, duart e tij plot mansheta, zinxhirë e unaza ia përkëdhelnin vithet e saj nga prapa, kurse Besimi e ledhatonte me dorë gushën dhe faqen e saj. Një “ah” plot epsh dhe si e mbytur doli nga goja e saj… * Zilja e telefonit binte me ngulm. Besimi u përmend. Pas pak pushoi. Drita e diellit kishte rënë nga dritarja drejt e në shtratin e përbashkët, ku ishin të shtrirë që të tre. Ajo ishte e shtrirë fare pranë tij. Flokët e saj të shpupuritura ishin shpërndarë butësisht mbi jastëk dhe, pa dashur, ia kujtuan flokët e arta të Bardhës. Me një nostalgji të theksuar psherëtiu. Prapë ra zilja e telefonit. Besimi ngriti kokën. Në anën tjetër të shtratit nuk e pa Belin. Vajza vazhdonte gjumin e shkujdesur. Besimi e tundi. Ajo u përmend. Porsa u bë gati të merrte telefonin, ai u ndërpre. Ajo prapë e futi në përqafim Besimin. Pas pak telefoni ra përsëri. “Ku është Beli?” – pyeti ajo. “Nuk e di,“ - u përgjigj Besimi. “Izvolte!” – tha ajo, pasi e kishte marrë telefonin. 240 Besimi iku në banje. Zhurma e njohur e ujit, si dhe shkuma e sapunit, për një çast ia larguan të gjitha mendimet që e torturonin sa herë i kujtonte. Edhe zbavitja e një nate më parë kishte qenë mrekulli jetëshkurtër në shpirtin e tij të trazuar. Iku pija, iku mrekullia, mendoi. Derisa po rruhej, fytyra e tij e mbuluar me shkumën e sapunit i dukej si gjithherë normale, por pasi ishte rruar dhe fytyra i kishte mbetur e lëmuar, pa shkumë e pa qime, iu duk se ishte shfaqur lakuriq, ashtu siç ishte në të vërtetë, pa maskë, e zbehtë, e mjerë, e frikësuar. Pa dashje iu bë se i qe çjerrë maska e dyfytyrësisë së tij. E vërteta lakuriqe se cili ishte dhe se çfarë misioni kishte kryer deri tani, kishte dalë në shesh. Pasi e kishte parë edhe Bardha këtë çjerrje maske, ishte e kotë të përpiqeshe ta mbuloje këtë të vërtetë të hidhur. Nuk mbulohet dielli me shoshë. U plaka para kohe, tha, por për të mos e dëshpëruar edhe më keq veten, e ndryshoi në çast: u zbulova para kohe! Kishte frikë nga ajo e vërtetë, sikur nga xhebraili. Pranë pasqyrës pa fytyrën e vet. Sytë iu dukën të menduar dhe të trishtuar bashkë, disi të rritur çuditërisht, të fryrë, apo të mbufatur nga pija e mbrëmshme dhe gjumi i gjatë dhe i shqetësuar, që e kishte bërë derisa e kishte zgjuar ai telefon i mallkuar. Por, brengat nuk kishte fuqi që t’i dëbonte nga qenia e tij. Nuk i largonte dot as rakia, as ekstaza as… o Zot!... – dhe psherëtiu i dëshpëruar. Pasi u kthye në dhomën e ndejës, pa vajzën që ishte veshur bukur. Fustani i saj ishte i shkurtër, mini. Bluza ishte e ngushtë dhe e shkurtër dhe një pjesë e barkut shfaqej lakuriq. Flokët i kishte lidhur me një fjongo mëndafshi me ngjyrë të verdhë. Buzët i kishte 241 mbushur me bojë të kuqe, ndërsa kapakët e syve i kishte shminkatur me ngjyrë vjollce. Një copë herë Besimit i mbetën sytë e gozhduar mbi fytyrën e saj të bukur. Për një çast mbeti i nemitur nga ajo bukuri. Vallë, ishte ajo që mbrëmë?… “Të pëlqen ky model?” “Shumë!” – u përgjigj shkurt Besimi. “Ua, se gati harrova! Beli tha mos të dalësh nga shtëpia, derisa të kthehet ai.” “Mirë. Të tha gjë, kur kthehet?” “Dikur në mbrëmje. Në dollap ka bukë. Përgatit çka të duash dhe ha drekë. Mirupafshim…” - tha ajo, duke ia kthyer shpinën plot naze. Besimi mbeti prapë në vetminë e tij të trishtë dhe të frikshme. Sikurse edhe një ditë më parë, edhe sot duhej të rrinte fare i vetmuar. Ishte një rreth që i ndillte frikë dhe trishtim bashkë. Në rrethin e tij, edhe pse ishte i vetmuar, gjente shokë dhe dita i kalonte rrufeshëm, pa u ndierë fare, bile shumë herë çuditej se sa shpejt ikte. Kjo ndodhte kur së bashku me ta luante letra, barbut, apo ndonjë lojë tjetër bixhozi. Nga dritarja me grila të kaltra vinte zhurma, tutje nga rruga. Dita kishte filluar të zymtohej. Ca re të errëta ishin shfaqur në pjesën veri-perëndimore të qytetit. Një erë e lehtë kishte filluar t’i rrihte pamëshirshëm grilat, zhurma e të cilave e bëri nervoz, me atë zukatje mbytëse që lëshonin. Ai mbylli dritaret, pastaj si nëpër ëndërr iu kujtuan skenat e laboratorit me Zefin dhe Hutin, që një natë më parë i kishte parë në videokasetë. Nga kureshtja u ulë pranë televizorit dhe duke kontrolluar kasetat me radhë, u dha të gjente kasetën 242 që i kishte të incizuara ato pamje të rrezikshme. Kishte shumë kaseta. Një pjesë e madhe e tyre nuk kishin asnjë mbishkrim. Një pjesë tjetër ishin origjinale, me foton e ndonjë aktori të njohur. Në mesin e tyre gjeti edhe shumë filma pornografikë të metrazhit të gjatë. Kishte edhe shumë filma jugosllavë, pastaj koncerte, këngë, valle e muzikë klasike. Por atë që e kërkonte, nuk e gjeti se nuk e gjeti. Këqyri edhe në pjesët e tjera të dollapit duke hallakatur, por nuk gjeti gjë. Mugëtira ishte trashur. Të bëhej se tani kishte filluar të binte nata, edhe pse ishte mesi i ditës. Befas qiellin e çau një shkreptimë, sa që për një çast i ndriti edhe dhomat gjysmë të errëta dhe pothuaj në të njëjtën kohë, plasi një gjëmim i fortë, sa që për një çast Besimit ju bë se e gërreu krejt atë vend, duke e rrotulluar dheun, sikur plugu kur e lëvron tokën. Nga gjëma e fortë edhe xhamat e banesës u dridhen dhe sakaq ia plasi një shi i rreptë, i shoqëruar me breshër dhe me furtunë. Një si mjegull e dendur e mbështolli krejt shtëpinë. Nga rruga matanë nuk dallohej asgjë. Vetëm kokrrat e breshëri dhe pikat e shiut dukeshin si një litar i gjatë, i pandërprerë, që fillin e kishte diku lart në qiell dhe fundin në tokë, ja, aty pranë mureve të shtëpisë. Iu bë se ata ishin litarë shpëtimi, litarë që do ta largonin një herë e përgjithmonë nga këto vuajtje të rënda të tokës dhe do ta degdisnin atje lartë, në një vend të sigurt… në amshim! Pa dashur i buçitën në vesh, por tani me zërin e bubullimës, fjalët e t’et: “Ti për ne je i vdekur! ” Nuk i kujtohej se sa kishte qëndruar në këtë gjendje. Shiu kishte pushuar, por jo edhe mugëtira dhe gjëma e motit që përsëritej herë pas here. Me hap të rëndë u 243 afrua pranë dritares. Poshtë, në fundin e kopshtit, prapa tarabave pa një grua. Ajo shikonte në drejtim të tij. Për një copë herë Besimi nuk ia shqiti sytë, pastaj me një frikë në palcë u largua nga dritarja. Me duket se me njohu, tha i fiksuar dhe prapë ktheu kokën nga andej, nga kopshti. Gruaja nuk ishte më aty. Duhet të largohem nga ky vend i mallkuar, mendoi dhe me shpresa të humbura u shtri në shtratin, ku e kishte kaluar natën. Nuk i kujtohej sesi këmbët veta e kishin futur në këtë dhomë. Ashtu i shtrirë siç ishte, iu bë së dëgjoi derën të hapej, pastaj zëra burrash. Hapi sytë i frikësuar. Erdhën, i paska lajmëruar gruaja, që më pa pak më parë. Në maje të gishtërinjve u afrua pranë dritares, që të hidhej jashtë, në rast se do ta sulmonte dikush. Pasi vuri re edhe një herë, zërat erdhën më të qartë dhe me të kapshëm. Ishte zëri i Belit kurse zëri i bashkëbiseduesit të tij ishte i panjohur. Hapi derën ngadalë. Tani e kuptoi se ishte vërtetë Beli me një burrë tjetër. Me hapa të plogësht, sikur kishte dhembje në të dy këmbët, hyri në dhomën e ndejës. Beli ishte me kurriz nga dera, kurse mysafiri me fytyrë. Kur e pa Besimin, ai zgurdulloi sytë i çuditur. Beli vërejti ndryshimin e tij, ndaj ktheu kokën nga dera. “Si e kalove ditën, u mërzite?” – pyeti Beli në shqip, porsa shikimi i tij u ndesh me shikimin e Besimit. “Mirë, besa. Të faleminderit për ndihmën që me ke ofruar,” – tha Besimi, duke u afruar pranë Belit. Burri, pasi ia shtrëngoi dorën, ia tha emrin: “Gorani. Gëzohem që ju njoha. Me ka folur Beli 244 për ju,” – tha Gorani duke u rehatuar edhe më mirë në kolltukun ku ishte ulur. “Edhe mua me vjen mirë që ju njoha,” – ia ktheu shkurt Besimi. “Nga Kosova jeni?” – pyeti Gorani. “Me falni, ç’doni të pini?” – pyeti Beli, pasi ishte ngritur në këmbë. “Ç’të ketë… ndonjë lëng, ju lutëm,“ – tha Gorani. “Ashtu edhe unë, ndonjë lëng!“ – tha Besimi dhe vazhdoi, duke iu drejtuar Goranit: – „Po , nga Kosova.” “Nga cili qytet?” – pyeti me kureshtje Gorani. “Nga rrethi i qytetit P.” “Atje kam shërbyer disa vite. E di ku gjendet fshati Eshkë?“ „Po. Është fqinj me fshatin tim. Njeh ndonjërin nga ky fshat?“ „Ekzakt jo, por kam shërbyer për një kohë të gjatë,“ – tha ai duke e shikuar ngultas në sy. Besimi për një çast mbeti i hutuar. Ishte i sigurt se para veti kishte një fytyrë të njohur, por assesi nuk i kujtohej se ku e kishte takuar. “E njeh Ker Ademkurtin?” – pyeti Gorani, duke shikuar nga dera, sikur donte t’i largohej shikimit të turbullt të Besimit. “Po. Ç’të lidh ty me të?” “Asgjë, vetëm e njoh pak…” “Ky ka shërbyer në Kosovë,” – ndërhyri Beli qëllimisht, dhe deshi të vazhdonte, por zilja e telefonit bëri që biseda të ndërpritej. Beli mori dëgjuesen. 245 “Izvolte…stooo!?... “ – dhe për një çast fytyra e tij mori një pamje të vrarë. Fytyra iu bë edhe më e ngrysur. Largoi dëgjuesen nga veshi, edhe pse zëri nga ana tjetër dëgjohej si zukatje zekthi. Pastaj, pa e bërë të gjatë, e lëshoi dëgjuesen mbi aparat. Me një lëvizje të ngadaltë u kthye nga t’pranishmit. Vetullat i kishin rënë mbi sy. Buza e poshtme ju dridh lehtë, përvajshëm. Duart ju dukën të tepërta dhe me nervozë i lëvizte, duke mos gjetur pozicion të përshtatshëm sesi t’i mbante. “O, Zot, është e mundur kjo? Aleksi…!? Aleksi është gjetur i vrarë në veturën e tij, buzë një mali, jo larg hotelit të tij. Kohë e keqe. Atje u gjend i vrarë Nebojsha, kurse këtu Aleksi…” – tha me zë të përvajshëm dhe me dhembje të papërmbajtur. Filloi të vërtitej sa lartë poshtë, pa gjetur ngushëllim. Lajmi ra si bombë në mesin e tyre. Këto vrasje të kreut sekret serb ishin ndjellakeqe. Ishte e pamundur që në këto vrasje të kishte ndonjë ndikim nga jashtë. Bëheshin nga brenda radhëve të tyre dhe kjo vinte si pasojë e ndonjë xhelozie të çmendur, apo nga ndonjë qërim hesapesh nga rivalët e tyre mafiozë. “Kur është vrarë?“ – pyeti Gorani me një pikëllim të heshtur në fytyrën e tij. “Sot në mëngjes është gjetur nga kalimtarë të rastit. Policia thotë se ka gjasa të jetë vrarë natën e fundit,” – sqaroi Beli. Pas gjithë asaj shtrëngate që kishte derdhur si me shtambë ujin mbi tokën e ngrohtë nga dielli, tani retë kishin filluar të zvarriteshin tufa-tufa e të çrregullta, si një ushtri e thyer në vijën e frontit. Beli një copë herë nuk u ndje, u ngrit në këmbë dhe, ashtu i heshtur, doli. 246 Pas tij u ngrit edhe Gorani. “Pas kësaj tragjedie, jam i shtrënguar të marr masa. Me duhet të takohem me një shok për këshilla. Ti, Besim, qëndro këtu. Nuk do të vonohem dhe do të kthehem me një vendim të koordinuar për veprime të mëtejshme. Mirupafshim!” – tha Beli, duke nxjerrë vetëm kryet në derë. “Mirupafshim,” – ia ktheu, Besimi duke u tkurrur edhe më tepër nën trysninë e misterit. Për disa çaste mbeti si i ngrirë në mes të dhomës. Nuk dinte se nga t’ia fillonte mendimeve. Gjërat ishin të ngatërruara, sa për një çast iu bë se të gjitha këto i lëvizte një dorë mekanike e fshehur dhe tinëzare. Befas një shkendi dyshimi i erdhi krejt e vetme, por e largët. Goranin, që pak më parë e kishte pranë, e kishte parë diku, ishte fytyrë e njohur dhe, si një shirit filmi, kujtesa filloi t’ia shkoqiste gjërat: Iu kujtua kafeneja në qendër të qytetit, pronari i saj Ejup Agiq, pastaj… “Është i ulur në të majtë të derës, i vetëm fare. Ai gjithmonë rri i vetmuar dhe në kujtime. Thonë se është rritur jetim,“ – i buçitën këto fjalë në vesh. Po, po! Ky është. Gorani i tmerrshëm! Një frikë tinëzare ia mbështolli krejt qenien e tij. Shumë mendime të frikshme dhe ndjellakeqe i loznin në trurin e tij të lodhur. Tani ishte i sigurt se ai ishte dërguar nga policia sekrete për ta vrarë atë, edhe Aleks Peroviçin… Po Keri? Ç’hynë këtu Keri? Pse më pyeti? Dale një herë, dale! Dhe u ngrit në këmbë. Tani vërejti se dhoma ishte e errët fare. Vetë këmbët e shpurën drejt derës dhe, pasi ndrydhi sustën, ndezi llambën elektrike. Dhoma u mbush dritë dhe nga drita e fortë puliti sytë, duke i ulur në dysheme. Në divanin 247 përballë, ku pak çaste më parë kishte qenë i ulur Gorani, pa xhaketën e tij të stilit ushtarak, të hedhur ashtu pa kujdes. Pasi shikoi nga dera, me rrëmbim u afrua pranë dhe me një shpejtësi të rrufeshme me dorën e tij të stërvitur për kontrolle të shpejta, sa hap e mbyll sytë, i nxori nga xhepat të gjitha gjësendet. Në fund fare gjeti letërnjoftimin të lëshuar nga organet zvicerane. E hapi me të shpejtë. Nuk desh t’u besonte syve: Name: Ademkurti, Vorname: Agron, Geburtsdatum: 9. 08. 1975, Ort: Eshkë… Një ngazëllim i beftë ia përshkoi gjithë qenien. Tani ishte i sigurt se ai nuk ishte i dërguar për vrasjen e tyre, por sigurisht është duke u hakmarrë kundër atyre që e kanë sjellë në këtë gjendje. Mendja prapë i fluturoi në shtëpinë e tij. Iu kujtuan flakët dhe pa babanë e plagosur në mes të oborrit. Dhe iu bë se pa me sytë e tij Goranin e tmerrshëm, duke ia futur flakën shtëpisë së tij. Pastaj thesarin në dorën e Babiqit... Pa e bërë të gjatë, i futi të gjitha gjërat në xhepa, ashtu siç kishin qenë. Disi i lehtësuar, me buzën në gaz, fiku dritën dhe doli në ballkon. Nga ajo kodrinë, ku ndodhej vila, si në shuplakë të dorës shiheshin dritat si një prushanë e madhe që vezullonin në qytet. Në rrugën matanë qarkullonin automjetet me fara të ndezur. Një freski e lehtë bëri gjethet e pemëve në kopsht të shushuritnin dhe mendja sakaq i shkoi në selishtën e tij që ishte para shtëpisë. Një aromë e këndshme i gudulisi flegrat e hundës. Ishte aromë e trëndafilit që kishte shpërthyer plot me gonxhe atje tutje, në kopsht, kurse errësira sa vinte e bëhej më dendur. 248 * Serbja e bukur kishte kohë që ishte kthyer në banesë. Ajo kishte përgatitur darkën dhe bashkë me Besimin kishin ngrënë, duke cakërruar gotat e verës. Biseda zhvillohej e qetë. Besimi ishte liruar krejt nga stresi i frikës. Hezitimet, mëdyshjet dhe ankthi dukej se i qenë darovitur. Tani e ndiente veten shumë të sigurt, pasi zbulimi që kishte bërë ishte një udhërrëfyes. Ishte i sigurt se Gorani, i konvertuar tanimë në Agron, do të ishte një mburojë e gjallë dhe një shpëtim i sigurt, që, siç dukej, vetë Zoti ia kishte dërguar si një engjëll për ta shpëtuar nga fatkeqësitë dhe për t’i rrëfyer rrugën drejt shpëtimit të sigurt, deri në largimin nga ky vend i mallkuar. Tani nuk i kishte mbetur asgjë, vetëm ta vazhdonte dëfrimin e një nate më parë, por tani vetëm ai me serben e bukur. Pas pijes dhe dëfrimit, kishte ardhur koha e gjumit. Kokën e kishte të rënduar, por mendjen ende të kthjellët. Pesha e rëndë e natës sa vinte dhe rëndohej mbi qepallat e tij. U shtri të flinte në një dyshek që ia solli vajza, kurse ajo u mbyll në dhomën e saj. Dua të fle e patrazuar nga askush, tha ajo, duke i uruar natën e mirë me një puthje të lezetshme. Nuk i kujtohej se sa kishte fjetur, kur dëgjoi derën të hapej vajtueshëm. Si një hije e frikshme, në maje të gishtërinjve, ajo u afrua pranë dyshekut ku ishte i shtrirë Besimi. Në atë gjysmerrësirë, Besimi njohu Belin. “Në gjumë je?“ – pyeti Beli me një zë pëshpëritës. 249 “Isha, por tani sa u zgjova. Ç’kemi?“ “Ngrehu! Me duket se na kanë rënë në gjurmë. Sipas informatave që kam, nesër herët në mëngjes… shpejt, shpejt!” “Kush të tha?” – pyeti Besimi, me sy të zgurdulluar. Beli nuk vërejti gjë në mimikën e tij, por nga zëri e njohu se i kishte hyrë frika në palcë. “Eja, shpejt! Pasi të dalim jashtë, të tregoj çdo gjë! Ngutu, ngutu!” Besimi tani ishte në këmbë, i gatshëm për të dalë. Beli priu i pari dhe sakaq u gjend në Ballkon. Me një të kërcyer u gjend në kopsht. Pas tij u hodh edhe Besimi. Fresku i natës ia përshkoj ballin e djersitur. Jashtë vazhdonte të binte një shi i imtë dhe herë pas here qiellin e çante ndonjë vetëtimë gjarpërore. Pas saj, si e mbytur, dëgjohej krisma e largët e motit me një gërrhamë të venitur. Pasi kaluan mes për mes kopshtit me lule, u gjenden në skajin verior. Regëtima e dritës së neonit, që mezi arrinte deri të cepi kopshtit, ua mundësoi t’i gjenin kangjellat dhe, pasi u ngjitën fort pas tyre, ata u gjendën jashtë kopshtit, në rrugën e ngushtë. Me hapa të lehtë dhe të shpejtë, ata u afruan pranë parkingut të veturave. Beli hapi derën. Sakaq të dy u gjendën në veturë. Pasi u rehatua mirë në ulësen e tij, Beli ndezi motorin. Ju duk një zhurmë alarmuese gërrhama e motorit. Beli nuk pati kohë të merrej me atë gërrhamë. Duke i lëvizur me shpejtësi duart mbi timon, sakaq u gjend në rrugë. Kur vetura u gjend në rrugën kryesore, dritat e neonit depërtonin në kabinën luksoze të veturës. Besimi, porsa hapi gojën për t’i treguar Belit për sa kishte 250 parë në xhepat e Goranit, vëmendjen ia tërhoqi ndryshimi i vogël në kabinën e veturës, që e bëri të ndërronte mendje, duke mos nxjerrë zë. Në vend të flamurit shqiptar, në xhamin e përparmë ishte i varur flamuri serb, kurse xhufka në anën tjetër nuk ishte fare aty. Në dorë, jashtë zakonit të tij, Beli kishte vënë dorëza. Për t’u bindur se ky ndryshim ishte i pranueshëm, pa pyetur fare Belin, shtyu kasetën duke e lëshuar manjetofonin. Kabinën e mbushën tingujt e një kënge çetnike. Kjo e papritur e bëri të dyshonte, se diç nuk ishte në rregull. Duke u përballur me një ndryshim të theksuar dhe duke e marrë parasysh frikën e tij të tepruar se gjoja kishin rënë në gjurmët e policisë, disi e ndjeu veten të futur në një grackë. Pa dashje iu bë se akoma koka e tij gjendej në mes të hekurave. Tëmthat iu bë se iu frynë dhe e ndjeu se zemra i rrihte me një ritëm të shpejtuar. “Ku po me çon?” – mori zemër më në fund dhe pyeti. “Mos ke frikë. E vërejta shqetësimin tënd. E kam ndryshuar kabinën, sepse sot gjithë ditën kam pasur punë me njerëzit e konsullatës. Tani unë po të dërgoj në një zonë kufitare, që nuk kontrollohet natën dhe ti, sakaq, do të gjendesh në anën tjetër të kufirit. Atje të presin njerëzit e mi. Çdo gjë është e organizuar mirë. Thesarin në përgjithësi e kam nisur. Pasi të kalosh Austrinë, do t’i bashkohesh karvanit të kamionëve dhe bashkë me ndihmat humanitare, ti si përcjellës i tyre, do të jesh në Beograd. Edhe dokumentet e udhëtimit i ke gati. Pasi të kalojmë kufirin, do ti marrësh dhe…mirupafshim në tokën e lirë!” – tha Beli me një qeshje të papërmbajtur 251 Vetura mori një kahe që të nxirrte në një zonë kufitare. Në tabelë mundi të lexonte: Zoll 40 km. Paska kohë mjaft, mendoi. Frika iu kishte darovitë. Pas fjalëve të Belit, e ndiente veten më të sigurt. Nuk e kishte të qartë akoma se sa do të qëndronte Beli në këtë vend, por tekefundit kjo nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë. Rëndësi tani kishte largimi i tij nga ky vend dhe atë sa më parë. Pastaj, të gjitha rregullohen. I shkujdesur ndezi një cigare për veti e një për Belin. Shiu vazhdonte të binte. Rrallë, tek-tuk, vinte ndonjë veturë nga ana e kundërt. Diku larg, fare prapa tyre, u dukën dritat e gjata të një veture që vinte pas tyre, me një shpejtësi të madhe. Beli shau nëpër dhëmb, sepse dritat e gjata nga reflektimi i pasqyrave i binin në sy. Vetura u afrua dhe doli në anën e kundërt, duke i kaluar me një shpejtësi marramendëse. Derisa u afruan buzë malit, ata nuk folën fare. Pasi Beli e ndaloi veturën, i fiku dritat dhe me një shpejtësi të vogël filloi ta ngiste drejt malit. Nga errësira e dendur mezi dallohej rruga. Beli mbante mesin e rrugës. Mali nuk ishte larg. Vetura sa vinte dhe afrohej. Beli fiku edhe motorin. Vetura tani ecte ngadalë, se rruga kishte marrë të tatëpjetën. Fare buzë mali, në një shesh të gjerë në anën e majtë, Beli e parkoi veturën. “Është mirë që këtë pjesë të shkurtër rruge ta bëjmë në këmbë. Vetëm një zhurmë sado e vogël në këtë qetësi nate, do të mjaftonte për të na zbuluar.” “Mirë, ecim në këmbë. Është larg që këtej?” “Rreth njëqind metra. Eja pas meje, në distancë,“ – tha Beli dhe sakaq u zhduk në dendësinë e malit. Besimi e ndiqte pas. Errësira ishte e madhe. Ata ecnin në 252 një distancë, por pa mundur ta shquanin njëri-tjetrin. Beli ndezi pranë këmbëve të tij llambën e xhepit, që e kishte marrë me vete, para se të dilte nga vetura. Shiu vazhdonte të binte me intensitet të shtuar. Dëgjoheshin vetëm pikat e shiut, që binin mbi gjethet e lisave, me zhurmë monotone, si dhe hapat e tyre. Befas Beli ndaloi. Pasi e hodhi dritën rreth e qark tij, u kthye nga Besimi, i cili ishte afruar tani fare pranë. “A ke marrë armë me vete?” – pyeti Beli me zë të ulët. “Jo. E harrova, por besoj se nuk do të kem nevojë për të,“ – u përgjigj po ashtu me zë të ultë Besimi. “Ti nuk do të kesh nevojë për të, kurse unë që kam nevojë, e kam marrë me vete, ja ku e kam!“ – dhe sakaq e nxori armën nga brezi. Në dritën e llambës Besimi pa revolen në dorën e tij. Ju duk se ishte e madhe, me tytë të gjatë. Por nuk pati kohë të mendonte gjatë për formën e saj, sepse ai vrullshëm e ktheu tytën në drejtim të tij. “Kështu, pra, këtu përfundon misioni ynë shoku Fer Gergjlekaj.” “Cili mision!? ” – pyeti i hutuar dhe i fiksuar Besimi. “Misioni sekret!” – u përgjigj qetë, ndërkaq drita e llambës luajti duke ndërruar pozicionin. Pastaj dëgjoj zhurmën e njohur të hekurt, gjatë tërheqjes së çarkut. “Ç’pate!?... Mos luaj me armë, Ylber!…” – tha me zë shpotitës, që ju bë se nuk ishte zëri i tij. Mornica të akullta ia përshkruan tërë trupin, duke iu ngjitur nga fundi i këmbëve, deri në tepën e kresë, por atje arritën të nxehta, të përvëluara, sa që djersët i dolën nga 253 ankthi, duke u bashkuar me ujin e pikave të shiut që i shkonte rreke ballit dhe faqeve. Leqet e këmbëve zunë t’i dridheshin. “Nuk jam Ylber Kraça, por jam Moma... Momçillo Milivojeviq!” “Si!?... kurse unë?!...” “Po, pikërisht. Kështu i kemi pasur rolet!“ “Ç’kërkon nga unë?“ – tha Besimi me zë lutës. “Në emër të Serbisë…“ - dhe fjalët e tjera nuk i dëgjoi. Dëgjoj vetëm një vërshëllimë të shurdhër, të shoqëruar me një flakë regëtuese, si dhe dhembjen djegëse në mes të barkut. Pastaj ndjeu edhe një therje tjetër të zjarrtë në gjoks dhe instinktivisht u bë gërmuq, duke mbajtur plagët me të dy duart. Ndjeu se sytë po i errësoheshin, kurse drita e llambës sa vinte e venitej. E pa se nuk do të mbahej dot në këmbë, ndaj zgjati ngadalë dorën e majtë, për ta mbështetur sado pak diku në tokë, por tani as tokën nuk e gjente dot. Nuk e dinte se në ç’formë ishte duke qëndruar në mes të asaj hapësire të errët dhe të patrajtë. Drita e llambës filloi të sillej dhe të merrte trajta të ndryshme, ndërsa dheu dhe balta e lagur ju përplas pamëshirshëm fytyrës. Ndjeu pikat e shiut që i binin mbi fytyrë. Iu bë se ato po ia freskonin faqet dhe ballin që i digjeshin flakë. Qenkam i shtrirë mbi kurriz, mendoi, dhe u përpoq të ngrihej, por trupi nuk ju bind. Gjuha iu kishte trashur, kurse goja i qe mbushur me shije gjaku. Si në ëndërr hetoi një palë duar që po e tundnin. E mori me mend se ishin duke ia marrë gjësendet e pakta që i kishte nëpër xhepa. Ato lëvizje i ndjeu edhe mbi dorë që rrëshqitshëm ia nxorën orën, unazën, pastaj ia hoqën gjerdanin nga qafa. Si 254 në agoni dëgjoj hapa që largoheshin, por disi ata hapa ishin të rëndë, të largët e të humbur. Qerpikët i kishte plumb të rëndë. Me mundim arriti t’i hapte sytë. Asgjë nuk dalloi. Errësirë dhe qetësi. I mbylli prapë sytë. Kishte dëshirë të flinte, të pushonte dhe pastaj… nga me erdhi kjo shije e gjakut në gojë që s’po me shqitet? Ah, sikur të kisha një pikë ujë!… Shiu vazhdonte me ritmin e tij. Shushurima e gjetheve nën pikat e shiut dukej se e prishte atë heshtje varri. Qiellin e çau një vetëtimë gjarpërore, pastaj e vonuar, gati e shurdhër u dëgjua gjëma e motit, si gërrhatje gjumi dimëror. Tutje, në fundin e rrugicës malore, u dëgjua refreni i këngës çetnike, pastaj ushtima e motorit të veturës, duke e shuar fare atë zë të çjerrë e të frikshëm, që iu bë se vinte nga amshimi. Diku, në mesin e pyllit, u dëgjua cicërima e një zogu. Pastaj iu bë se dëgjoi zërin e qyqes. Vallë, kë e vajton ajo qyqe me atë zë të trishtuar? Por, këto zëra shpezësh nuk ishin ndonjë vajtim. Ishin shenjat e para se po agonte dita e re. * Kishte kohë që priste në atë lokal të vogël në periferi të qytetit. Ndodhej pranë rrugës kryesore, që çonte drejt qytetit, jo larg „hajmit“ të azilantëve. E priste Belin, pastaj së bashku do të shkonin pranë një magazine, ku ishin të deponuara shumë ndihma humanitare, që u dedikoheshin refugjatëve serb nga Kosova. Aty do të bëhej ngarkesa në kamionë të mëdhenj. Gorani ishte caktuar në një detyrë speciale dhe ishte vartës i Belit. Në fshehtësi të thellë do të merreshin me ngarkimin e një kamioni, jo me ndihma, por me thesar të vjed255 hur dhe para të fituara nga kontrabanda e drogës, që kapnin një shumë rreth pesëmbëdhjetë milionë dollarë. Për këtë detyrë ishin caktuar njerëzit më besnikë, kurse kontrolli bëhej nga policë sekret serbë të veshur me petkun diplomatik. Kafenë e kishte pirë kaherë. Vështrimin e mbante drejt rrugës. Mendimet i shkonin vërdallë. Kishte disa ditë që nuk e kishte takuar Besimin, të cilin e kishte trajtuar si e vetmja lidhje që mund t’i ndihmonte në gjetjen familjes se tij, pastaj kishte edhe shumë gjëra që duhej t’ia sqaronte, të cilave ai qorras iu besonte. E kishte pyetur Belin, por ai i kishte thënë se e kishte dërguar në një bazë më të sigurt, sepse krejt policia ishin vënë në kërkim të tij. Për disa ditë rresht Beli qëllimisht ishte mënjanuar nga Gorani. Këtë e kishte bërë gjoja për shkaqe sigurie. Goranit nuk iu kishte mbushur mendja. Kishte kërkuar të takohej me ish-kolegun e tij të punës, detektivin Mariq, që tani shërbente si nëpunës i konsullatës. Sipas bisedës, dilte se Beli atë e kishte mënjanuar për shkaqe korrupsioni. Ishin marrë të gjitha masat që kjo gjendje të evitohej. Kishte filluar të mërzitej me pritjen e gjatë. Me nervozë mori njërën nga gazetat që ndodhej në raftin pranë banakut. Pasi filloi të shfletonte, pa një fotografi dhe iu duk e njohur. Pasi ia picërroi mirë sytë, nën të ishte dhënë emri: „Mal Dalani, u gjet i vrarë me dy plumba në gjoks, dhjetë km larg kufirit gjerman“. Fytyra në fotografi ishte e Besimit. Ai ishte në dijeni se ai para organeve vendase kishte emër tjetër. Tani e kishte të qartë sesi kishin rrjedhur ngjarjet. “Beli”, tha me 256 vete dhe u ngrit në këmbë i xhindosur, duke turfulluar nga inati. Pasi bëri pagesën, me nguti doli nga lokali. Por, sakaq, u step. Beli kishte arrirë dhe tani po dilte nga vetura. Ai i buzëqeshi, kur e pa dhe prapë u ul në vendin e vet. Pas tij, në veturë hyri Gorani. I shtrëngoi dorën, pa mundur ta fshehte zemërimin. Beli këtë zemërim të tij e mori si shkak të vonesës. Ai, pa shikuar fare, merrej me një video-kasetë që e rrotullonte nëpër duar, duke kërkuar mënyrën më të përshtatshme për ta futur në një zarf që ishte shumë më i madh se sa video-kaseta. Pasi e futi disi, e mbylli zarfin, pa vënë re shikimin zhbirues të Goranit, mori lapsin dhe mbi të, me germa të mëdha e të shtrembëruara, shënoi: Kripo – Zürich. Pastaj, si pa të keq, ia lëshoi në dorë zarfin dhe ndezi motorin. Vetura doli në rrugë, duke u përzier me lumin e madh të veturave dhe makinave të tjera. Pasi hynë në qytet, Beli ndaloi veturën pranë një kutie poste. Mori zarfin nga dora e Goranit dhe e hodhi në kuti, pastaj qetë-qetë vazhduan rrugën. Vetura doli nga qyteti dhe u fut në qarkun periferik të anës tjetër. Kaluan një fushë futbolli, të rrethuar me tela katrorë. Pastaj iu futën rrugës që shpinte në një zonë industriale. Ndërtesat e mëdha dhe sheshe të gjëra para, si dhe postblloqe të mëdhenj të shpedicionit. Derisa arritën në cak, pranë një magazine të tillë shpeditive, ata nuk folën fare. Depoja ishte e madhe. Mallrat ishin të paketuara në pako mesatare dhe të njëjta. Ishin të ndara në dy grumbuj. Beli mori dokumentacionin dhe, në bazë të etiketave të ngjitura mbi pako, i krahasonte duke shikuar në dokumentet sekrete, që i mori me vete nga vetura. 257 „Fillo të ngarkosh nga pakot e fundit,“ - i tha Beli një burri që rrinte i ulur mbi një pako të madhe. – „Së pari bjere pakon këtu, të bëj regjistrimin në notes,“ – vazhdoi ai me zë të lartë, pasi që burri ishte larguar. – „Kurse ti, Goran, merri ato pako dhe sa më shpejt hidhi në kamion. Renditi sa më mirë, në mënyrë që në fund të ketë vend për të gjitha. Ku janë të tjerët?“ – iu drejtua burrit që tani ishte afruar fare pranë tij, me pako në dorë. „Në kthinën tjetër, duke bërë ambalazhimet e fundit!“ – u përgjigj burri. „Ka shumë për t’u ambalazhuar?“ „Jo. Pjesën më të madhe e kemi ambalazhuar sot në mëngjes. Tani kanë mbetur fare pak.“ „Mirë! Shpejt! Shpejt, se koha nuk pret,“ – bërtiti Beli, duke ju drejtuar dy burrave që posa u dukën në fundin e errët të repartit dhe me ton kërcënues iu drejtua Goranit, që kishte marrë në dorë një pako dhe e çonte drejt kamionit. – „Jo atë, jo! Ku dreqi i ke sytë, hej?! Mos i përziej si lesh arapi, se pastaj nuk i ndanë dot. E sheh se të gjitha janë të njëjta? Këtë grumbull pakosh nuk guxon ta ngarkosh fare. Aty janë të paketuara ilaçet, të cilat mbesin këtu, kurse këtu është i paketuar thesari, që duhet ngarkuar, a more vesh tani?” – tha Beli duke treguar me dorë nga grumbujt e mëdhenj të pakove. „Si urdhëron!“ – tha Gorani, me sedër të prekur, duke lëshuar pakon aty ku e kishte marrë dhe duke shikuar me një urrejtje të papërmbajtur. Shpejt do te të dërgoj të miku juaj, Aleksi, mendoi dhe me një shikim përbuzës u drejtua nga grumbullit i pakove që Beli ia kishte treguar me dorë. 258 Që nga koha kur e kishte zbuluar prejardhjen e tij, nuk e duronte dot komandën e të tjerëve. Kjo i vinte ndoshta se ishte rritur duke zbatuar urdhra nga më të ndryshmit, pastaj gjatë shërbimit nuk kishte bërë gjë tjetër vetëm kishte zbatuar urdhra, duke vrarë e duke sakatosur të tjerët, për tekat e çmendura të urdhërdhënësve të tij. Kishte shumë raste që urdhrat i kishte pranuar, duke ia sharë nënën, motrën, zotin... dhe zbatimi i urdhrave i kishte ardhur në maje të hundës. Edhe ky urdhër-kërcenim i Belit i vinte i tillë, edhe pse ishte akoma pa të shara, por kjo nuk do të thoshte se ai nuk do të shante. Pas ngarkimit, kamioni doli nga postblloku, duke lënë prapa gërrhamën mbytëse të motorit dhe tymin e zi. Kopjet e fletudhëtimit, fletë doganimit dhe dosja sekrete ishin aty. Gorani e pa kur Beli i futi me kujdes në dosjen kryesore, me kapak blu. Ishin duke e pastruar lokalin, kur Beli la dosjen në zyrën e vogël, që ishte e ndarë nga reparti i gjerë i magazinës. Pasi mbylli derën me bravë, ai u largua, duke marrë veturën e tij dhe duke ju vënë në përcjellje kamionit gjer sa të arrinte në bazë dhe të bashkohej me karvanin e kamionëve të tjerë. Gorani u afrua pranë derës së zyrës së vogël. Në anën e djathtë të derës ishte dritarja e vogël, që shërbente si sportel. Ajo kishte mbetur pakëz e hapur. Me mundim Gorani zgjati dorën, duke marrë dosjen në dorë. Shikoi majtas e djathtas dhe, pasi u sigurua se askush nuk ishte afër, edhe pse nga thellësia e repartit dëgjoheshin zëra, hapi dosjen me kapak blu. Sakaq nga brendia e saj nxori komplet dosjen sekrete, të cilën pak më parë Beli e kishte deponuar aty me një kujdes 259 të veçantë. Pastaj e ktheu dosjen në vendin e mëparshëm. Nuk vonoi dhe Beli u kthye bashkë me një burrë që Gorani nuk e kishte parë asnjëherë. Tani, siç dukej, rreziku kishte kaluar. Këtë e shprehte më se miri sjellja e Belit, si dhe hareja që tregonin sytë e tij. “Kamionët kanë marrë rrugën drejt Austrisë. Jam i sigurt se rreziku ka kaluar. Prandaj, vëllezër, e meritojmë një pushim të shkurtër. Shkojmë!” – tha Beli krenar. Pastaj, duke hapur derën, mori dosjen dhe pas pak u gjend në veturën e tij. Gorani mbeti duke shikuar në mes të sheshit të gjerë, para magazinave. “Goran, eja me veturën e Ivanit!” – dëgjoj zërin e Belit, kur makina e tij i kaloi fare afër këmbëve. Gorani shikoi rreth e rrotull, duke kërkuar me sy se cili ishte Ivani. Pasi asnjëri nuk u lajmërua, disi e ndjeu veten të lehtësuar. Nuk e bëri të gjatë, por me hapa të rënd dhe mospërfillës u drejtua kah rruga kryesore. Pasi kaloi një shteg që ishte i shënuar enkas për këmbësorë dhe për biçikleta, Gorani u gjend ballë një stacioni të autobusëve. Pritja në këtë stacion iu duk tmerrësisht e gjatë. Një plak qëndronte i ulur në stolin e stacionit periferik, duke thithë duhan me llullë. Pranë i rrinte qeni trupmadh, i cili kishte nxjerrë gjuhën jashtë nga vapa. Veturat qarkullonin pa nda. Herë pas here i bëhej se ishte vetura e Belit që e kërkonte, dhe mornicat i shkonin nëpër trup. Pasi kalonte vetura pranë tij, disi e ndjente veten të liruar, dhe prapë… Kur në rrugë që larg dalloi se nuk kishte vetura që vinin nga drejtimi i qytetit, nga xhepi nxori fletët e bardha dhe një laps, duke shënuar mbi fletën e bardhë numrin e tabelës së kamionit. 260 Pasi i palosi mbi faqen që nuk kishte të shkruar asgjë, shënoi: Kripo-Zürich Express, dhe e futi në xhepin e xhaketës. Autobusi erdhi. Pasi zuri vend fare në fund, vështrimin e hodhi tutje nga rruga. Në mes të atyre pak udhëtarëve, disi e ndjeu veten më të sigurt. Iu bë se bashkudhëtarët nuk kishin brenga. Ata dukeshin të lumtur, të hareshëm, të dashur, mikpritës, të padjallëzuar, edhe pse ishin të mbyllur në seriozitetin e tyre. Pranë stacionit kryesor të policisë, në qendër të qytetit, në kutinë e postës hodhi dosjen sekrete, në të cilën ishin të shënuara të gjitha bizhuteritë, orët, ari, pikturat e vjedhura që kërkoheshin nga policia, si dhe dokumentacioni i doganimit që ishte bërë me ndërhyrjen e konsullatës. Në fund ishte i shënuar edhe numri i autotargës së kamionit. I kënaqur, pasditen e kaloj duke lozur futboll me fëmijët e refugjatëve shqiptarë. Herë pas here u jepte para për të blerë akullore apo pije tjera freskuese. Kishte vendosur që gjithë thesarin që e kishte sjellë me vete, t’ua shpërndante fëmijëve të refugjatëve. Fresku i mbrëmjes ia ledhatoj faqet. Veturat në rrugën kryesore sa vinin e pakësoheshin. Mugëtira e mbrëmjes kishte filluar të binte mbi qytetin e madh. Fëmijët akoma luanin. Agron Ademkurti rrinte ulur në divan në dhomën e tij të ngushtë. Para vetes kishte një shishe të vogël birre dhe herë pas here duke shikuar televizorin ngrinte shishen duke pirë në qetësi të plotë. Në televizor, në emisionin e lajmeve të orës dhjetë, që transmetohej çdo mbrëmje, dëgjoi njoftimin, që krejt atë pasdite e kishte pritur me shqetësim: 261 “Sot, nga policia kriminale u kap një laborator dhe një sasi e konsiderueshme droge. Me këtë rast u arrestuan dy shqiptarë nga Kosova. Ndërsa në orët e para të pasdites, për qërim hesapesh, u gjend i vrarë i quajturi Ylber Kraqa. Policia dyshon se i vrari është kriminel i shumëkërkuar nga Interpoli, Milivojeviq Momçillo, alias Moma. Po të njëjtën ditë, në mesin e konvoit me ndihma humanitare që u dedikoheshin refugjatëve serbë nga Kosova, u zbulua një thesar i madh stolish, si diamante, orë të markës IWC, bizhuteri ari e argjendi, piktura të shtrenjta të artistëve klasikë, si dhe para të pastruara që kapin një vlerë rreth pesëmbëdhjetë milionë dollarë. U bënë shumë arrestime. Hetimet vazhdojnë.” Agroni fiku televizorin dhe me shishen e birrës në dorë doli në oborrin e gjerë të „hajmit“. U ul në stolin e drunjtë dhe me një buzëqeshje të papërmbajtur që shprehte gëzim, ngriti dorën lartë, duke e shoqëruar me fjalën “gëzuar”, që iu drejtua ca të rinjve, të cilët akoma bisedonin dhe bënin shaka me njëri tjetrin, kurse me vete mendoi: Më në fund, ndodhi ajo që e kam pritur për një kohë kaq të gjatë … Eh, si qenka jeta! Linda shqiptar, u rrita, u edukova dhe luftova serb dhe… tani jetoj dhe dua të vdes shqiptar!... Me fal, o Zot! Me fal o popull shqiptar, o populli im! Me fal, o nëna ime! Me falni, ju, o vëllezërit e motrat e mia… e di që liria që e fituat me gjak e sakrifica do t’ua shërojë plagët, do tua lehtësojë dhembjet, por vrragët e atyre plagëve, therjet e atyre dhembjeve do të mbesin gjithë jetën e jetëve, në kujtesën tuaj dhe të brezave që do të vijnë pas! Kurse unë do të luftoj gjithë jetën për ta fituar atë që e humba 262 gjatë asaj lufte… qetësinë shpirtërore! Lëvizjet e veturave tutje nga rruga tani nuk i bënin përshtypje fare. As fresku i asaj nate të bukur vere, me atë puhi të këndshme, nuk e joshte më. As zogjtë që cicëronin të fshehur ndër gjethet e lisave, diku prapa shtëpisë së madhe, nuk i sillnin më nostalgji si dikur. Kurse gota e birrës, që e mbante në dorë, iu bë se nuk ishte e freskët. Edhe peizazhi i mugët që shfaqej para tij, kishte filluar t’i ndërronte trajtat valëvitshëm, duke i lakuar ato objekte në formë rrethore, kurse dritat e neonit buzë trotuarit sikur largoheshin tutje, duke lënë prapa një vijë të lakuar drite, që regëtinte e venitur. Vonë e kuptoi se ndërrimi i atyre trajtave bëhej vetëm nga shikimi i tij, sepse sytë i kishte me lot. 263