PJESA II - Kapitulli X
...Sot në vendin e punës u paraqita shumë më herët se orari i zakonshëm. Posa hyra në ndërtesën e agjencionit, përveç pastrueses nuk e takova askë nga personeli. Hapa derën e zyrës dhe u vendosa në karrigen e tavolinës sime të punës. Ende pa ndërmarrë asnjë veprim tjetër, në mendje projektova menjëherë planin e aktivitetit të sotëm ditor. Hapa në kompjuter programin e notesit. Në shënimet për ditën e sotme kisha të caktuara pesë takime me klientët. Më duhej të isha i përgatitur si fizikisht, ashtu edhe psikikish. Nga të gjitha terminet e takimeve, që i kisha për sot, e ndava njërën si më të rëndësishme. Kishte të bënte me një lokal në qendrën e qytetit. Si agjencion
ne ishim tejet të interesuar për ta realizuar vetë këtë ofertë. Çmimi i ofruar i pronarit vërtetë nuk na konvenonte. Agroni veç m’i kishte dhënë disa instruksione të mundësive tona materia deri në çfarë vlere mund ta konkretizojmë këtë shitblerje. Çmimi, i ofruar nga ana e jonë, dallaonte rreth 30% nga çmimi i kërkuar dhe i regjistruar në katalogun e ofruar. Do të ishte vështirë që pronari të bindet për ofertën tonë, por ne kishim eksperiencën e duhur në këtë drejtim. Gjithnjë pazari definitiv kurrë nuk ishte sa kërkonte shitësi. Në anën tjetër, unë veç kisha disa të dhëna për qëllimin e shitjes së lokalit në fjalë. Ofertuesi ka hyrë në një borxh të madh nga një biznes i dështuar, dhe atë borxh duhej ta kthente me afat të caktuar. Patjetër se do ta joshte çmimi ynë i ofruar me kushtin e pagesës së menjëhershme. Këto taktizime, në shikim të parë duken si “matrapazllëk”, siç thuhet në popull, por, kështu ishte realiteti i veprimtarisë së këtij biznesi që ne bënim. Shpeshëherë më brente ndërgjegjja për mundësinë e keqëpërdorimit të pozitës së vështirë momentale të shitësit, duke dyshuar që edhe ne bëjmë mëkate me këto punë, por, pas një bisede shoqërore që pata një ditë me Agronin, ai më kishte bindur plotësisht për të kundërtën e kësaj. - Çmimin e mallit e përcakton gjithnjë oferta dhe kërkesa e saj në treg,- më kishte inkurajuar Agroni . - Ne nuk mashtrojmë dhe nuk përdorim kurrfarë lajkash për t’ia imponuar shitësit detyrimisht të pajtohet me ofertën tonë, por ne vetëm ndikojmë në te, që ai të jetë sa më real. Në shitblerje interesi patjetër duhet të jetë i dyanshëm. Në këso raportesh afariste edhe shitësi përfiton para që do t’i dedikojë për ndonjë qëllim të planifikuar vetjak, por edhe blerësi, kuptohet, nga ky reciprocitet duhet ta ketë interesin e vet. - Mos harro kurrë, - më kishte tërhequr vërejtjen Agroni,- çdo klient që e bën ofertën e shitjes së një patundshmërie, gjithnjë është i bindur se shtëpia, lokali, apo truolli që ofron për shitje, është më i miri, më i vlefshmi, etj. Tregu, tregu miku im, e ka filozofinë e vet dhe ajo vepron sipas ligjshmërive vetjake të funksionimit. Në një biznes, çferëdoqoftë ai, më i fortë dhe më përfitues për momentin do të jetë ana që i di dhe që me përpikëri i zbaton veprimet harmonike të këtyre ligjshmërive. Qëllimi i suksesit tënd duhet të jetë puna e kryer dhe rezultatet e saj, frytet e së cilës do t’i korrim të gjithë ne së bashku! - më kishte këshilluar kështu Agroni. Duke larguar nga vetja të gjitha paragjykimet, me kalimin e kohës dhe me krijimin e eksperiencës së duhur, unë kisha formuar rutinën e një qasjeje krejtësisht tjetër për punën që kryeja. Të gjitha obligimet e mia i bëja me dashuri të plotë dhe suksesi kurrë nuk më mungonte. Rezultatet e arritura edhe më tepër ma forconin bindjen se unë vërtetë kisha aftësi të jashtëzakonshme në komunikim me njërëz të tjerë, fuqi kjo e fshehur në mua që unë nuk e kam ditur gjer më tani. U qetësova. Menjëherë para vetes krijova parafytyrimin e strategjisë së veprimit të mëtejmë të mënyrës së kryerjes së obligimeve të sotme ditore. Më së tepërmi u përqëndrova me klientin që ofronte shitjen e lokalit në qendër të qytetit. E mbajta në vete këtë parafytyrim si një film psikik duke e pasuruar atë me ndjenjën e caktuar të kënaqësisë. Edhe njëherë u koncentrova dhe nga intuita ime mora sinjalin e besimit. Isha i sigurt se ky transakcion patjetër do të përfundonte sipas parashikimit të pritur. Duke kosideruar si sekret timin të suksesit, këtë metotë të veprimit mental e praktikoja çdo mëngjes, para fillimit të orarit të punës. Sapo nisa me këto veprime të përditshme dhe të zakonshme rutinore të mëngjesit, orari i rregullt i punës veç filloi. Këtë e konstatova nga zhurma që filloi të dëgjohej në korridor. Për një çast dikush më trokiti në derë: - Hyn! - bërtita. Ishte Lola, e cila përveç veshjes së bukur, të përzgjedhur me një shije të jashtëzakonshme, projektoi edhe sharmin e saj gjithnjë në humor. Iu ofrua tavolinës sime dhe pa folur asnjë fjalë lëshoi mbi të një tubë letrash që i kishte në dorë. Këtë punë Lola e bënte çdo mëngjesë, duke shpërndarë materialin e seleksionuar. Pasi vërejta se tentonte të largohej shpejt, e ndala. -Ehej, ndalu pak! Gjithmonë shkon e vjen si era. Më thuaj së paku disa fjalë për disponimin tim të “sabahit”- desha të mahitem me të. - Ja ku i ke disa oferta interesante të patundshmërive që duhet t’i regjistrosh dhe t’i analizosh me vëmendje. Këtu është një zarf me letër. Dje të kërkoi një klient. Atë nuk e kisha parë ndonjëherë që sillet nëpër zyrat tona. Nga mënyra e paraqitjes së tij, dukej sikur të njeh mirë. Pasi kuptoi se nuk je aty, nuk deshi ta zgjaste bisedën më shumë. Vetëm ma dha këtë zarf dhe m’u lut të ta dorëzoj. Sa munda ta kuptoj, dukej si një mik yti i vjetër, I cili donte të të takonte. - E çfarë bëre ti?- e pyeta vetëm sa të flas diçka. - Asgjë. Ngase u prezentua si mik yti dhe unë u mundova që ta prisja sa më mirë. Menjëherë i ofrova kafe apo diçka tjetër të pijë. Me arsyetim se ngutej, i refuzoi që të gjitha. E garantova se zarfi patjetër nesër në mëngjes do të jetë në duart e duhura. Ai u pajtua dhe iku. Pastaj... hëmmm... Asnjë femër nuk të kërkoi.! Ha, ha, ha! As Zana! Ha, ha, ha ...! Kjo është për disponimin tëndë të “sabahit”. Tung dhe u pafshim! - u largua furishëm nga zyra duke ma mbyllur syrin e djathtë që ishte gjest i afërsisë sonë miqësore dhe sjelljes së saj të zakonshme sharmante. Mbeta vetëm. Në qetësinë e ambientit të zyrës, i vështrova kalimthi të gjitha ofertat dhe ato i largova anash pa ndonjë preokupim të koncentruar. Dora më shkoi kah zarfi i mbyllur i letrës. E hapa mekanikisht atë dhe e lexova përmbajtjen e saj. - “Ti je realiteti i kësaj bote, ti je shkëndija e Perëndisë që shndërit pandërprerë dhe quhet jetë...”- Vetëm kaq shkruante në letër dhe asgjë tjetër. - Mixha Diiilë! - brohorita me zë. Sërish u paraqit në mënyrën e tij të njohur: pa pritmas, si në ëndërr dhe gjithnjë kur më duhet më së tepërmi. Për një çast një ndjenjë e këndshme si ngrohtësi e lehtë e kaploi tërë trupin tim. Sa i papritur dhe sa specifik është ky njeri. U paraqit mu në momentin kur unë vërtetë kisha nevojë për të. Por, çudi e madhe! Pse nuk la ndonjë takim, ndonjë shenjë apo adresë se ku mund ta gjej?! Sidoqoftë, ai duhet të jetë diku afër. Një trokitje në derë më ndau nga këto mendime dhe, krijesa që u paraqit me figurë të plotë, ishte, kush tjetër, pos mixhës Dilë. Menjëherë u ngrita nga karriga dhe e pranova me afsh në përqafim. - Më ke munguar shumë mixha Dilë. Këta gjashtë muaj sa kaluan, kam pasur mjaft nevojë për ty. Ti ike pa gjurmë dhe unë nuk kisha asnjë njohuri për fatin tënd. - Nuk pajtohem se nuk jemi takuar. Përherë kemi qenë së bashku në mendimet tona. Ti i konsideron takimet ende vetëm fizika, apo? Ehe, edhe ca pjesë të rrobave të vjetra, edhe ca nga ato duhet larguar prej teje. - këto fjalë i foli si me ironi. - Ashtu! Plotësisht ke të drejtë. Gjithnjë ke qenë në kujtimet e mia sikur të ishe i pranishëm edhe fizikisht, por... nuk më the ku ishe, meqë papritmas ike nga lagjja jonë? Pse u desh aq shpejt të largohesh? Ke pasur ndonjë problem? Në letrën tënde të ndarjes më ke porositur që të mos merresha me shkakun e largimit tënd, dhe unë ashtu veprova. Nuk kam menduar fare për këtë. Vetëm një gjë e di shumë mirë: saherë që preokupohesha me momentet e sfidave të reja, në kujtimet e mia gjithnjë paraqitej figura jote. - E di! Edhe unë këtë e kam ndjerë. Marrja në mendime me problemet e të tjerëve, është humbje e kotë e energjisë së vlefshme vitale, të cilën ti duhet ta orientosh në kahjen tjetër, më produktive. Andaj, në letër, të kam sugjeruar se nuk duhet të preokupohesh me këtë. Tani i ke përvetësuar dhe je aftësuar në shumë teknika psikike, prandaj shë216 tia e hamendjes sata në kërkim të arsyeve të ndryshme si shkaktarë të largimit tim do të më dëmtonin edhe mua dhe planet e mia të veprimit. - Bën shaka me mua? The se në mendime me t’i prish planet tua, a? - Po, o miku im i dashur. Ne, në mes nesh, tani kemi vënë lidhje të ngushtë shpirtërore të kurorëzuar me sinqeritet nga të dy anët. Andaj, informatat e ndërsjella qarkullojnë pa u penguar? - Por, ti gjithnjë më thoje se i ke metodat tua mbrojtëse nga ndikimet psikike që eventualisht mund të vijnë nga të tjerët. - Ashtu ësht. Unë në asnjë mënyrë nuk mund të jem viktimë e këtyre ndikimeve që vijnë nga të tjerët, por shpirti im me vetëdije tani i ka hapur kanalet e komunikimit me AURËN tënde, andaj, ne, mes vete, regjistrojmë dhe shkëmbejmë shumë gjëra bashkërisht. - Vërtetë mixha Dilë, kohën e fundit, saherë që dëshiroja të të kem afër, në njëfarë forme, kam ndjerë edhe prezencën tënde të padukshme, dhe kjo duhet të jetë ajo lidhje për të cilën më flet ti. - Kjo është ajo lidhje dhe këtë ndjenjë e kam pasur edhe unë për ty. Isha larg dhe në tërësi i regjistroja disponimet tua. Në momente, ke pasur disa hamendje në veprime të caktuara, por shpejt i ke larguar ato nga vetja. - Plotësisht e saktë. Por, a do të më thuash tani se ku ke qenë gjatë tërë kësaj kohe? Mbretëroi një heshtje e thellë në të cilën u tretëm që të dy. Mixha Dilë shikimin e kishte koncentruar krejtësisht në drejtim të një këndi tjetër të zyrës. Pas disa çastesh, fjalët e tij kumbuese depërtuen nga thellësia e hapësirës memece. - Pas djegies dhe shkatërrimit të tërësishëm të shtëpisë sime në fshat, unë, me pëlqimin e organeve ushtare kë KFOR-it, isha vendosur në atë shtëpi të boshatisur të lagjes suaj. Vendosja dhe qëndrimi im këtu ishte i përkohshëm. Shtëpia e huaj nuk është pronë imja dhe unë kurr nuk kam dashur ta përvetsoja atë. Një ditë, më erdhi një lajmërim se brenda 15 ditsh duhej ta liroja shtëpinë, sepse atë, nga pronari i saj i vërtetë, e kishte blerë një shqiptar yni. Këtë paralajmërim e pranova si të pritur, sepse e dija se kjo ditë patjetër do të vinte dikur. Mu desh të largohem nga ky vend. Djali im i madh, që gjendet në Gjermani, disa herë më kishte ftuar të shkoja tek ai. Edhe pse këtë ftesë gjithnjë e kamë refuzuar, mendova se mu tash është koha e përshtatshme. Atje kisha dy nipa, që unë, përveç në fotografi, as nuk i nihja fare. Të them të drejtën, isha përmalluar për ta. Djali tjetër ishte vendosur në Zvicër, por ky, edhe pse i martuar disa vjet më parë, nuk kishte ende fëmijë. E dija se djemtë më prisnin me padurim. Kurrë nuk kam dashur që me prezencën time t’u ndërhyja në intimitetin e ambientit të tyre familjar. Eh, sikur nuset të ishin nga tonat, do të ishte ndryshe. Këta të mitë ishin martuar me gra joshqiptare, prandaj edhe mentaliteti i rrethit të tyre dallon nga e jona. Pas shumë ftesave dhe insistimeve nga të dy djemtë, me garancionet që më kishin dërguar, rregullova dokumentet e vizës hyrëse për Gjermani. Viza kishte lejeqëndrimi për tre muaj, por, në shtetin nikoqir, kjo e drejtë mund të vazhdohej edhe pas kalimit të këtij afati. Shkova dhe atje qëndrova gati gjashtë muaj... (Mbretëroi një heshtje e shkurtër) Dhe, sa për kureshtjen tënde, ky është tregimi i mungesës sime për këtë kohë. - Mirë,- vazdova edhe më tej me kureshtjen time,- çfarë do të bësh më tej, ku do të qëndrosh tani? - U ktheva në fshat. Atje shtëpia ime qe djegur në tërësi. Me pak ndihma të materialit ndërtimor nga një organizatë humanitare dhe me disa para që i kisha nga djemtë, mbi gërmadhat e mbetura shpejt e shpejt e renovova shtëpinë dhe u vendosa aty. Më mbeten t’i kryej edhe disa punë ende të pakryera. Pranvera sapo ka filluar dhe kjo më shkon më favor. - Patjetër se mund të llogarisësh edhe në ndihmën time, mixha Dilë. Mos më kurse! - Po, po, nuk kam dyshim. Por, unë sot erdha vetëm të të shoh dhe desha tëtë porosis se të pres këtë të shtunë tek unë. Atë ditë ke edhe ti pushim. Duhet të bisedojmë edhe për disa gjëra që i lamë në gjysmë. Për disa gjëra që t’i kisha premtuar edhe në letrën time të ndarjes. - Dakord. Më në fund erdhi edhe ky moment i pritur. Kohën e fundit kam njevojë shumë për ndihmën tënde, mixha Dilë. Ende pa e mbaruar mendim, ai veç qe drejtuar kah dalja. E përshëndeta sinqerisht. - Tung dhe patjetër do të shihemi të shtunën! Pasi mbeta vetëm në zyrë, mora frymë thellë disa herë. Duhej qetësuar veten nga preokupimi mental euforik i takimit të sërishëm me mixhën Dilë. Me mixhën Dilë do të jemi sërish së bashku, ashtu si dikur, për t’i shtjelluar shumë elemente të reja, që unë ende mendoj se i kisha të paqarta... * * * Përveç punëve rutinore të ditës, në zyrë sot nuk pata asgjë konkrete se çfarë të punoja. Mora telefonin dhe, nga numri i shënuar që e kisha pranë, e ftova Fatmirin. Fatmiri ishte një shok imi i vjetër i fëmijërisë. Që kur e njoh se punon, përherë e dija se është në Organizatën Komunale të Kryqit të Kuq. Disa ditë më pare më kishte ftuar me telefon dhe më kishte njoftuar se pas një jave mbahej mbledhja konstituive e kësaj Organizate. Për zgjedhjen e kryesisë, më tha se ka formuluar një listë të kandidatëve potencialë, që ai preferonte të jenë personalitete paksa më autoritarive. Nga degët e kësaj organizate nëpër fshatra përreth, ai kishte dëgjuar për Zanën. Kishte hulumtuar biografinë e saj dhe gjurmët e fundt arrinin tek unë: - Në kryesi, kam nevojë për një mjeke,- më pati thënë, - e veçanërisht për psikiatre. Do të ishte mirë që, si shok i vjetër, të ndikosh tek Zana për ta pranuar këtë funksion të ofruar. Kam dëgjuar shumë fjalë të mira për të dhe mendoj ta propozoj edhe si delegate nga komuna jonë në kryesinë qendrore. - Mendoj se këto aktivitete humanitare e tërheqin, por patjetër do të bisedoj me të dhe sigurisht se do të të lamëroj sa më parë, - i kisha premtuar. Për propozimin e Fatmirit, në takimin tonë të mbrëmshëm, e pata njoftuar Zanën. Ajo, pas disa hamendjeve të vogla, pranoi duke më bërë edhe një shaka. - Më propozoni për një institucion të komunës suaj, e në anën tjetër, fort mirë e dini se unë jam përkohësisht në këtë qytet! E thirra Fatmirin dhe ia bëra me dije për punën e kryer. Ia diktova edhe numrin e telefonit të banesë, duke i sugjeruar që për të gjitha veprimet tjera t’i drejtohet drejtëpërdrejt asaj. M’u falenderua sinqerisht. Duke më përshëndetur, në fund ma la edhe një “skambës” pas: - Kam unë edhe planet e mia për ty, por për to do të bisedojmë herën tjetër. “Edhe kjo punë u krye me hajër”, - mendova në vete. Shikova orën. Ishte 10. Një kafe do të më relaksonte. Solla numrin e lokalit të byfesë dhe porosita. Pasi e piva kafenë, që vërtetë më relaksoi, shikova ekranin e kompjuterit përballë dhe i fola në zë si një miku të vjetër: “Do t’ia nisim sa më parë. Sot, me sa duket, duhet të jemi më të vëmendshëm. Fillojmë me prezentimin e fillimit të ligjëratave nga mixha Dilë”.
...Sot në vendin e punës u paraqita shumë më herët se orari i zakonshëm. Posa hyra në ndërtesën e agjencionit, përveç pastrueses nuk e takova askë nga personeli. Hapa derën e zyrës dhe u vendosa në karrigen e tavolinës sime të punës. Ende pa ndërmarrë asnjë veprim tjetër, në mendje projektova menjëherë planin e aktivitetit të sotëm ditor. Hapa në kompjuter programin e notesit. Në shënimet për ditën e sotme kisha të caktuara pesë takime me klientët. Më duhej të isha i përgatitur si fizikisht, ashtu edhe psikikish. Nga të gjitha terminet e takimeve, që i kisha për sot, e ndava njërën si më të rëndësishme. Kishte të bënte me një lokal në qendrën e qytetit. Si agjencion