http://libratonline.blogspot.com/search/label/Zonja%20Bovari
PJESA E DYTË
Kreu VIII

 Dhe me të vërtetë erdhi dita e hapjes së atij panairit të famshëm. Që në mëngjes të festës së madhe, gjithë banorët, te dyert e shtëpive, bisedonin me njëri-tjetrin për përgatitjet; ballina e bashkisë ishte stolisur me urth; në një livadh të vogël kishin ngritur një tendë për gostinë, dhe, mu në mes të sheshit, përpara kishës, rrinte një njeri me një si top, i cili do të njoftonte mbërritjen e zotit prefekt dhe emrat e bujqve çmim fitues. Nga Byshia i kishte ardhur për ndihmë grupit të zjarrfikëseve me në
krye Bineton, garda kombëtare (Jonvili nuk kishte). Kapiten Bineu kishte vënë atë ditë një qafore më të lartë se zakonisht, dhe, i karfosur në uniformën e tij, e mbante trupin aq të ngrirë dhe pa lëvizur, saqë dukej sikur vetëm këmbët, të cilat ngriheshin ritmikisht me hap të prerë me një lëvizje të vetme i kishte të gjalla. Tagrambledhësi dhe koloneli, duke qenë vazhdimisht në rivalitet midis tyre, si njëri dhe tjetri, për të treguar aftësitë e tyre, i drejtonin veçmas, secili për hesap të vet, njerëzit e tyre. Spaletat e kuqe dhe gjoksoret e zeza kalonin gjithnjë këmbyerazi. Kjo s’kishte të mbaruar dhe përsëritej pareshtur! S’ishte parë kurrë salltanet i tillë! Shumë banorë i kishin pastruar që pa gdhirë shtëpitë e tyre; në dritaret gjysmë të hapura vareshin flamuj tringjyrësh; kafenetë ishin plot e përplot me njerëz; dhe, në atë ditë të bukur, skufjet e kollarisura, kryqet e arta dhe shallet ngjyra-ngjyra që dukeshin më të bardha se bora, vezullonin nga dielli i qartë, dhe me larminë e tyre të përhapur gjithandej nxirrnin në pah monotoninë e zymtë të redingotave dhe të bluzave të zeza. Gratë e fermerëve të krahinës, kur zbrisnin nga kuajt, hiqnin paramanën me të cilën kishin kapur rreth trupit fustanin e përveshur, ndërsa bashkëshortët e tyre, ndryshe nga ato, për të ruajtur kapelat, i kishin mbuluar me shamitë e xhepit, që i mbanin vazhdimisht me dhëmbë nga njëri cep.
Turma vinte në rrugën kryesore nga të dy anët e fshatit. Ajo vërshonte nga sokakët, udhëkalimet, nga shtëpitë, dhe herë pas here dëgjohej të binte çoku i dyerve që mbylleshin mbrapa, amvisave me dorashka të thurura me pe, të cilat dilnin për të parë festën. Të gjithë soditnin, me ëndje në fillim, dy trekëndësha të lartë mbushur me llamba, të vendosur në të dy anët e tribunës ku do të rrinin autoritetet dhe, përveç këtyre, pranë katër kolonave të bashkisë, ishin ngulur katër shkopinj, secili me nga një flamur të vogël pëlhure gjelbëroshe, të stolisur me mbishkrime me shkronja të arta. Mbi njërin prej tyre lexohej: “Për tregtinë”; mbi një tjetër “Për bujqësinë”; mbi të tretin: “Për industrinë”; dhe mbi të katërtin: “Për artet e bukura”.
Mirëpo ngazëllimi që çelte fytyrat e të gjithëve dukej sikur e bënte pikë e vrer zonjën Lëfransua, hanxheshën. Në këmbë, në shkallët e kuzhinës, ajo murmuriste nëpër dhëmbë:
- Ç’marrëzi! Ç’marrëzi që është ajo barakë prej bezeje! Kaq të jenë, sa të kujtojnë se prefekti ka qejf të hajë drekë aty, nën atë farë tende, si ndonjë copë palaço? Me këto budallallëqe që bëjnë, mendojnë se punojnë për të mirën e fshatit? Po të qe kështu, ç’ishte nevoja, atëherë që vanë e kërkuan kuzhinier në Nëshatel! Dhe për kë pa? Për lopçarët, për këmbëzbathurit!...
Në këto fjalë e sipër kaloi farmacisti. Kishte veshur një frak të zi, pantallona prej nankini në ngjyrë të verdhë të çelët, këpucët i kishte prej kastori, dhe në kokë kishte vënë, për këtë rast të jashtëzakonshëm, një kapelë të ulët.
- Nderimet e mia, - i tha ai, - më falni, po nxitoj.
Dhe kur e pyeti vejusha trashaluqe se ku po shkonte, ai u përgjigj:
- S’po ju besoni syve, apo jo? Se unë rri gjithë kohën mbyllur në laborator tamam si miu në djathë.
- Ç’djathë? – e pyeti hanxhesha.
- Jo, asgjë! S’ka gjë! – vazhdoi Omeu. – Vetëm sa doja t’ju thosha, zonja Lëfransua, që zakonisht unë s’dal fare nga shtëpia. Megjithatë sot, në një rast si ky, duhet që...
- Ah! Po shkoni aty, - i tha ajo me njëfarë përçmimi.
- Po, aty po shkoj, - iu përgjigj farmacisti me habi, - a s’jam dhe unë autor i komisionit konsultativ?
Teto Lëfransuai e këqyri një copë herë, dhe më në fund tha duke vënë buzën në gaz:
- Tjetër punë ajo! Ç’ju lidh ju me bujqësinë? Ku keni haber ju nga ajo?
- Sigurisht që kam, derisa jam farmacist, domethënë kimist. Dhe kimia, zonja Lëfransua, meqë ka për qëllim njohjen e veprimit reciprok dhe molekular të të gjithë trupave fizikë, vetëkuptohet që edhe bujqësia përfshihet brenda fushës së saj! Dhe me të vërtetë, si përbërja e plehrave, si fermentimi i lëngjeve, si analiza e gazrave dhe ndikimi i erërave të qelbura, të kalbësirave a nuk janë, të gjitha këto, po ju pyes ju, veçse punë kimie, në kuptimin e thjeshtë të fjalës?
Hanxhesha nuk i ktheu asnjë përgjigje. Omeu vazhdoi:
- Mos kujtoni ju se për të qenë agronom, duhet ta kesh punuar vetë tokën apo të kesh ushqyer shpendët shtëpiakë? Jo, moj, jo, duhet të njohësh në radhë të parë strukturën e lëndëve për të cilat bëhet fjalë, shtresat e dheut, veprimet atmosferike, cilësitë e tokave, të mineraleve, të ujërave, dendësinë e trupave të ndryshëm dhe kapilaritetin e tyre! E ku ta di unë! Dhe pastaj duhet të zotërosh me rrënjë gjithë parimet e higjienës, që të drejtosh ndërtimin e godinave, mbarështimin e bagëtive, ushqyerjen e shërbëtorëve dhe të bësh vërejtje për to! Duhet gjithashtu, zonja Lëfransua, të zotërosh botanikën, të dish të dallosh bimët, më kuptoni, apo jo? cilat janë të dobishme dhe cilat të dëmshme, cilat janë joprodhuese dhe cilat ushqyese; në ia vlen t’i shkulësh që këtu dhe t’i mbjellësh aty, t’i shumëfishosh ca e ca të tjera t’i zhdukësh fare nga faqja e dheut; me një fjalë, duhet të jesh në dijeni të shkencës nëpërmjet broshurave dhe gazetave, të jesh gjithmonë në gjendje për të treguar rrugën për përmirësimin...
Hanxhesha nuk i hiqte sytë nga hyrja e Kafes franceze, ndërsa farmacisti shkonte më tej:
- Dhëntë zoti që bujqit tanë të jenë kimistë, ose të paktën të dëgjojnë më tepër këshillat e shkencës! Ja, unë për shembull, kohët e fundit shkrova një broshurë të fortë, një punim shkencor që ka mbi shtatëdhjetë e dy faqe, me titull: “Mbi mushtin e mollëve, prodhimin dhe efektet e tij, si dhe disa mendime të reja reth kësaj çështjeje” dhe ia dërgova Shoqatës së agronomëve të Ruanit; si rrjedhim pata nderin të pranohem në radhët e saj, në seksionin e bujqësisë, në degën e mollikulturës; ama, sikur vepra ime të ishte botuar për publikun e gjerë...
Mirëpo farmacisti nuk e çoi dot fjalën deri në fund, sepse zonja Lëfransua s’e kishte fare mendjen aty.
- Pa shikoni ata! – i thoshte ajo, - s’merret vesh ç’bëhet! Hajde mejhane, hajde!
Dhe, duke ngritur vatat që ia tërhiqnin mbi kraharor thiletë e trikos, ajo i tregonte me të dy duart pijetoren e rivalit të saj, prej nga dëgjoheshin në ato çaste këngë.
- Le njëherë që s’e ka të gjatë, - shtoi ajo, - shumë-shumë për tetë ditë ka për ta marrë ferra uratën.
Omeu u zmbraps nga habia. Ajo zbriti të tri shkelëzat e shkallëve dhe, i pëshpëriti në vesh:
- Si! S’ditkeni gjë ju? Kanë për t’ia marrë brenda kësaj jave. E detyroi Lërëi ta shiste. E mbyti me kambiale.
- Ç’katastrofë e tmerrshme! – bërtiti farmacisti, i cili gjente gjithmonë fjalën e përshtatshme për çdo rrethanë që merrej me mend.
Kështu pra, hanxhesha nisi t’i tregonte këtë histori, të cilën e dinte nga Teodori, shërbëtori i zotit Gijomen, dhe, ndonëse e urrente për vdekje Telienë, nuk ndenji pa e sharë Lërëin. Për të ai ishte mashtrues, servil i ndyrë.
- Ah! Pa shikoni, - i tha ajo, - ja ku është te pazari, po përshëndet zonjën Bovari, që na paska vënë kapelë të gjelbër. I paska futur madje krahun zotit Bulanzhe.
- Zonja Bovari! – thirri Omeu. – Po shkoj në çast ta përshëndes. Mbase ia ka qejfi të zërë vend brenda, poshtë kolonave.
Dhe pa ia vënë veshin teto Lëfransuasë, që e thërriste për t’ia shtjelluar çështjen më gjatë, farmacisti u largua me hap të shpejtë, buzagaz dhe i ngrefosur, duke përshëndetur majtas-djathtas, shumë njerëz dhe duke zënë gjithë atë hapësirë me palat e gjata të frakut të zi, që i valëvitej nga mbrapa.
Si e vuri re që për së largu, Rudolfi nxitoi hapin; mirëpo zonjës Bovari iu mor fryma, prandaj ai eci më me ngadalë dhe, duke buzëqeshur, i tha asaj me një ton të ashpër:
- Kam hall t’i shmangemi atij trashaluqit, e dini kujt, farmacistit.
Ajo i ra me bërryl.
“Ç’domethënë kjo?” – pyeti ai veten.
Dhe nisi ta këqyrte me bisht të syrit, pa ndaluar së ecuri.
- Shihni ç’luledele të bukura, - i tha ai, - paska kaq shumë sa mund të provojnë fatin gjithë të dashuruarat e krahinës.
Dhe shtoi:
- Të këput ca. Si thoni?
- Mos kini rënë gjë në dashuri? – e pyeti ajo duke u kollitur lehtë.
- Eh! Eh! Kush e di? – u përgjigj Rodolfi.
Livadhi filloi të mbushej me njerëz, dhe ngado që të shkoje ndeshje amvisa me çadra të mëdha, shporta dhe kolopuçë. Shpesh herë duhej t’i hapje rrugë ndonjë vargani të gjatë me fshatare, shërbëtore me çorape të kaltra, me këpucë sheshka, me unaza argjendi, dhe që kundërmonin erë bulmet, kur u kaloje pranë. Ato ecnin duke u mbajtur për dore, dhe zinin kështu gjithë livadhin për së gjati, që nga rreshti i plepave të egër deri te tenda e banketit. Më në fund erdhi çasti i kontrollit, dhe bujqit, njëri pas tjetrit, hynin në një si punë hipodromi të sajuar me një litar të gjatë, ngritur mbi shkopinj.
Kafshët ishin aty, me turi të kthyer nga kordoni, duke i mbajtur vithet, ca të mëdha e ca më të vogla, në atë drejtim që u vinte për mbarë. Derrat që po dremisnin, i fusnin feçkat për dhé; viçat pëllisnin; delet blegërimin; lopët me një gju të mbledhur nën vete, ishin shtrirë mbi bar dhe, duke u përtypur me ngadalë, kapisnin qepallat e tyre të mëdha, për t’u mbrojtur nga mushkonjat që zukatnin rreth tyre. Kafsharët llërëpërveshur mbanin nga kapistra hamshorët të ngritur mbi këmbët e prapme, që hingëllinin gjithë epsh me sytë nga pelat. Këto nuk e prishnin terezinë, ndernin kokën dhe krifën që u varej, sakaq mëzat e tyre pushonin në hijen që bënin ato, ose nganjëherë pinin sisë; dhe mbi valëzimin e gjatë të gjithë këtyre trupave të ngjeshur njëri pas tjetrit, ngrihej nga era, si valë, ndonjë jale e bardhë, ose dilnin brirë me majë, dhe dukeshin koka njerëzish që vraponin. Mënjanë, jashtë vendit të rethuar, njëqind hapa më tej, ishte një dem i madh i zi, me turizë të vënë, me një unazë hekuri shkuar në vrimat e hundës, i cili nuk lëvizte vendit sikur të ishte prej bronzi. E mbante për litari një fëmijë i veshur me zhele.
Ndërkaq, midis dy rrathëve të bagëtive, kalonin me hap të ngadaltë, disa zotërinj, të cilët këshilloheshin me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre, që dukej më me rëndësi, mbante, duke ecur, shënime në një album. Ai ishte kryetari i jurisë, zoti Dërozëre dë la Panvil. Sapo e njohu Rodolfin, ai iu afrua me të shpejtë dhe, duke buzëqeshur miqësisht, i tha:
- Pse na keni braktisur kështu, zoti Bulanzhe?
Rodolfi nisi t’i mbushte mendjen se do të vinte me ta. Mirëpo me t’u larguar kryetari, plotësoi:
- Jo, besa, s’kam për të shkuar; më shumë ma ka ënda të rri me ju sesa me ta.
Dhe, duke u tallur me panairin, Rodolfi, për të qarkulluar më lirisht, i tregonte xhandarit lejekalimin e tij të kaltër, dhe bile nganjëherë ndalej para ndonjë alamet gjedhi, të cilit zonja Bovari s’ia hidhte fare sytë. Ai e vuri re këtë gjë, dhe atëherë filloi të bënte shaka me veshjet dhe stolisjet e zonjave të Jonvilit, pastaj i kërkoi të falur që për vete ishte veshur si kish mundur. Rrobat e tij vuanin nga një mospërputhje e gjërave të rëndomta dhe të spitulluara, ku njerëzit e thjeshtë, zakonisht kujtojnë se dallojnë tiparet e një jete tjetërsoj, çrregullimin e ndjenjave, tiranitë e artit, dhe gjithmonë njëfarë përbuzje ndaj rregullave shoqërore, gjë që ose i mahnit, ose i pezmaton. Kështu pra, këmisha e tij prej lini të hollë me mëngë të rrudhura fryhej nga frynte era, që hynte nga e çara e jelekut prej doku të përhirtë, dhe pantallonat me vija të gjera nuk ia mbulonin këpucët me qafa prej nankini, me shpinë meshini të lyer me vernik. Ato ishin të lustruara aq mirë saqë mbi to pasqyrohej bari. Ai shkelte me to mbi bajgat e kuajve, duke mbajtur njërën dorë në xhepin e xhaketës dhe kapelën prej kashte mbi njërin sy.
- S’ke ç’t’i bësh, - shtoi ai, - kur banon në fshat...
- Gjithçka është e kotë, - tha Ema.
- Po, ashtu është! – u përgjigj Rodolfi. – Kur mendon që ndër gjithë këta njerëz të mirë s’ke qoftë dhe një të vetëm që të jetë në gjendje të vlerësojë prerjen me shije të një fraku!
Atëherë folën për jetën e varfër që bëhej në provincë, për njerëzit që ndrydheshin, për ëndërrimet e bukura që shuheshin aty.
- Prandaj, - thoshte Rodolfi, - më hipën një trishtim...
- Juve! – i tha ajo me habi. – Kurse unë kujtoja se ishit shumë i gëzuar?
- Ah, po, në pamje të jashtme, sepse kur jam mes njerëzve di t’i vesh fytyrës një maskë shakaxhiu; dhe megjithatë sa herë që shoh një varrezë, nën dritën e hënës, pyes veten se mos do të bëja më mirë të bashkohesha edhe unë me ata që flenë të madhin...
- Oh! Po miqtë tuaj! – i tha ajo. – Nuk mendoni për ta!
- Miqtë e mi? Kush janë ata? Kam miq unë? Kush e vret mendjen për mua?
Dhe këto fjalët e fundit i shoqëroi me një si fishkëllimë të lehtë.
Mirëpo u detyruan për një çast të ndaheshin nga njëri-tjetri për t’i liruar rrugën dikujt që vinte mbrapa tyre, duke mbartur një mal me karrige. Ishte aq i ngarkuar saqë i dukeshin vetëm majat e këpucëve të drunjta dhe gishtat e duarve të shtrira përpara drejt. Ishte Letibuduai, varrmihësi që çante mes turmës karriget e kishës me qerre. Si i shkathët që qe e që i pillte mendja për gjithçka kur ishte fjala për interesat e tij, ai kishte gjetur këtë mënyrë për të përfituar nga panairi dhe i shkonte aq mbarë saqë s’dinte kujt t’ia prishte e kujt t’ia ndreqte. Dhe me të vërtetë, fshatarët, të cilët kishin vapë, ziheshin kush e kush të merrte karrige, kashta e të cilave kundërmonte erë temjan, dhe mbështeteshin me njëfarë përkushtimi mbi shpinën e tyre të bollshme të fëlliqur me dyll qirinjsh.
Zonja Bovari e zuri përsëri për krahu Rodolfin; ai vazhdoi sikur fliste me vete:
- Po! Sa gjëra më kanë munguar! Gjithmonë i vetmuar kam qenë. Ah1 sikur të kisha pasur një qëllim në jetë, të kisha gjetur një njeri që të më donte, një njeri që...
Oh! Do t’ia kisha kushtuar gjithë fuqinë që kam, do të kisha përballuar gjithçka, do të kisha mposhtur gjithçka!
- Megjithatë, mua më duket, - i tha Ema, - se s’jeni fare për t’ju qarë hallin.
- Ah! Kështu mendoni ju? – ia bëri Rodolfi.
- Sepse në fund të fundit..., - vazhdoi ajo, - ju jeni i lirë.
Pastaj ngurroi një çast para se të thoshte:
- I pasur.
- Mos u tallni me mua, - iu përgjigj ai.
Dhe ndërsa ajo i betohej se nuk po tallej, papritmas ushtoi një e shtënë topi; turma u turr përnjëherë rrëmujshëm drejt fshatit.
Ishte një alarm i rremë. Zoti prefekt nuk po vinte, dhe anëtarët ishin në hall të madh, se s’dinin ç’të bënin, ta hapnin mbledhjen apo të prisnin akoma.
Më në fund, në krye të sheshit, u duk një karrocë katërrotëshe nga ato me qira, që e tërhiqnin dy kuaj ngordhalaqë, të cilët i fshikullonte sa i hante krahu, një karrocier me kapelë të bardhë. Bineu mezi pati kohë të jepte urdhrin “Sup armë!”, dhe menjëherë pas tij, po kështu bëri dhe koloneli. Ushtarët e tyre u sulën drejt togjeve me armë të vëna në këmbë. Të gjithë nxituan. Disa bile harruan edhe qaforet. Mirëpo karroca e prefektit sikur ta kishte nuhatur këtë katrahurë,d he që të dy gërdallat, duke u tundur sa andej-këndej lidhur me zinxhir, mbërritën me hap të ngadalshëm përpara kolonave të bashkisë, tamam në çastin kur garda kombëtare dhe zjarrfikësit po hapeshin në rresht në pozicion nderimi sipas ritmit të daulles, dhe duke përplasur këmbët.
- Në vend numëro! – bërtiti Bineu.
- Ndal! – bërtiti koloneli. – Majtas ktheu!
Dhe pas një “Për nder armë!” gjatë të cilit vringëllima e hallkave të rripave që u hapën, zhauriti si kazan bakri që rrokulliset nëpër shkallë, të gjitha pushkët u lëshuan me qytë përtokë.
Atëherë zbriti nga karroca një zotëri me frak të shkurtër me qëndisje të argjendtë, tullac mbi ballë, me një tufë flokësh mbi zverk, me një çehre të zbehtë dhe shumë babaxhan në dukje. Sytë, tepër të mëdhenj dhe me një palë qepalla të trasha, i mbyllte përgjysmë për të soditur turmën, duke ngritur njëkohësisht hundën me majë përpjetë dhe duke buzëqeshur nën hundë. Kryetarin e bashkisë ai e njohu nga shiriti që kishte vënë krahëqafë, dhe i njoftoi se zoti prefekt nuk kishte mundësi të vinte. Pasi i tha se ai vetë ishte këshilltari i prefekturës, i kërkoi ndjesë. Tyvazhi iu përgjigj me ca fjalë të bukura, aq sa tjetri u hutua fare, duke mos ditur ç’t’i thoshte; dhe kështu qëndronin të dy, ballë për ballë dhe gati sa s’puqeshin, ndërsa anëtarët e jurisë rreth e rrotull, këshilli i bashkisë, paria e vendit, garda kombëtare dhe turma e njerëzve ishin kthyer nga ta. Zoti këshilltar përsëriste përshëndetjet, duke shtrënguar kapelën e vogël tricepëshe të zezë, kurse Tyvazhi i përkulur si hark, buzëqeshte gjithashtu, belbëzonte, i zgjidhte fjalët, shprehte besnikërinë e tij ndaj monarkisë dhe fliste për nderin që po i bëhej Jonvilit.
Hipoliti, shërbyesi i hanit, erdhi e ia mori kuajt karrocierit për freri, dhe duke çaluar nga këmba e tij shtrembaluqe, i çoi nën portën e Luanit të artë, ku u grumbulluan shumë fshatarë për të parë karrocën. Ra daullja, gjëmoi topi, dhe zotërinjtë njëri pas tjetrit hipën dhe zunë vend në tribunë, nëpër kolltukët me kadife të kuqe, që i kishte dhënë hua zonja Tyvazh.
Të gjithë këta njerëz ngjanin me njëri-tjetrin. Fytyrat e tyre të flashkëta e të zbehta, paksa të nxira nga dielli, kishin ngjyrën e mushtit të ëmbël të mollëve, dhe favoritet e gufuara u dilnin përmbi jakat e larta të ngrira, që i mbanin kravatat e bardha me nyjë të tendosura. Të gjithë i kishin jelekët prej kadifeje, jakat të kthyera; tërë sahatëve u varej në fund të një kordeleje të gjatë nga një vulë vezake agati, kurse duart ata i mbështetnin mbi të dy kofshët e tyre, duke hapur me kujdes këmbët për të ruajtur pantallonat, stofi i lëmuar i të cilave shkëlqente edhe më shndritshëm se lëkura e çizmeve të gjata.
Zonjat e shoqërisë së lartë qëndronin mbrapa, në korridorin midis kolonave, ndërsa turma e njerëzve të zakonshëm ishte përballë në këmbë ose ulur në karrige. Letibudui i kishte sjellë pra aty të gjitha karriget që kishte mbartur nga livadhi dhe vazhdonte pareshtur me vrap të merrte të tjera në kishë, duke sjellë me veprimtarinë e tij tregtare aq pengesa, saqë për të shkuar deri te shkalla e vogël e tribunës çahej me zor të madh.
- Për mendimin tim, - tha Lërëi, duke iu drejtuar farmacistit, që po kalonte aty për të zënë vend, do të kishin bërë mirë të kishin ngulur, si diçka të re, dy shtylla, si në Venecie, të stolisura me ndonjë gjë më hijerëndë dhe me shije. Kjo pastaj do të kishte qenë me të vërtetë diçka që do ta kënaqte fort syrin.
- Sigurisht, - u përgjigj Omeu. – Po s’ke ç’të bësh! Ja që i mori të gjitha në dorë kryetari i bashkisë. Se mos ka shije i shkreti Tyvazh, bile s’ka haber fare nga ai që quhet talenti për artet.
Ndërkohë Rodolfi me zonjën Bovari ishin ngjitur në katin e dytë të bashkisë, në sallën e debateve dhe, meqë ajo ishte bosh, ai i kishte thënë asaj se prej andej kishin për ta soditur më me ëndje mitingun. Ai mori tri stola që rreth tryezës vezake nën bustin e monarkut dhe, si i afroi te njëra nga dritaret, u ulën të dy pranë njëri-tjetrit.
Poshtë, mbi tribunë u dëgjuan gumëzhitje, pëshpëritje të gjata, bisedime. Më në fund, zoti këshilltar u ngrit në këmbë. Ishte marrë vesh tashmë që ai quhej Liëven, dhe në turmë përsërisnin gojë më gojë emrin e tij. Pasi vuri një mbi një disa fletë dhe i nguli sytë mbi to për t’i parë më mirë, ai ia filloi:
“Zotërinj. Më lejoni, pikë së pari, (përpara se t’ju flas për qëllimin e mbledhjes së sotme, dhe, shpreh bindjen se dhe ju të gjithë do të jeni në një mendje me mua) më lejoni pra, t’i shpreh mirënjohjen administratës së lartë, qeverisë, monarkut, zotërinj, sovranit tonë, mbretit tonë shumë të dashur, që nuk nënvleftëson asnjërën nga fushat e begatisë së përgjithshme apo të individëve të veçantë, dhe që drejton njëkohësisht me një dorë kaq të fuqishme dhe kaq të urtë anijen e shtetit përmes rreziqesh të vazhdueshme në detin e stuhishëm, duke ditur bile të mbajë gjallë respektin si për paqen dhe për luftën, industrinë, tregtinë, bujqësinë e artet figurative”.
- Unë duhet të zmbrapsem një çikë, - tha Rodolfi.
- Përse? – e pyeti Ema.
Mirëpo pikërisht në atë çast, zëri i këshilltarit u ngrit jashtë mase. Ai thoshte gjithë afsh:
“Tani, zotërinj ka ikur ajo kohë kur sheshet tona publike përgjakeshin nga grindjet civile, kur pronari, tregtari, punëtori vetë, që duke fjetur natën të qetë, dridheshin kur i zgjonin kambanat që jepnin alarmin për zjarr, ajo kohë kur parullat më armiqësore i vinin me tërbim kazmën themeleve...”
- E kam hallin, - vazhdoi Rodolfi, - se mos më shohin nga poshtë; pastaj do të më gjente belaja, se do të më duhej të kërkoja të falur pesëmbëdhjetë ditë resht, apo s’e kam dhe namin të keq...
- Oh! Po ia vishni vetes kot, - i tha Ema.
- Jo, jo, s’keni idenë se sa të fëlliqur e kam, ju betohem!
“Mirëpo, zotërinj, - vazhdonte këshilltari, - kur i heqim nga mendja këto tablo të errëta dhe ua hedhim sytë gjendjes së sotshme të atdheut tonë të bukur, çfarë shohim?
Anembanë lulëzojnë tregtia dhe artet; anembanë rrugë të reja ndërlidhëse, si damarë të rinj në trupin e shtetit, që vendosin marrëdhënie të reja, qendrat tona të mëdha manifakturore kanë nisur përsëri veprimtarinë e tyre; feja që është bërë akoma më e fortë, mbush gjithë zemrat me gëzim; portet tona janë plot e përplot, besimi u ringjall, dhe më në fund Franca merr frymë lirisht!...”
- Nga një anë, - shtoi Rodolfi, - mbase me kutin e saj njerëzia ka të drejtë, apo jo?
- Si kështu? – e pyeti Ema.
- Çudi e madhe! – i tha ai. – Po pse s’e dini ju se ka shpirtra që vuajnë pareshtur? Ata kanë nevojë herë për ëndrra, herë për veprim, herë për pasionet më të kulluara, herë për kënaqësitë më të rrëmbyera, dhe kështu jepen pas gjithfarë tekash, marrëzish.
Atëherë ajo e vështroi me atë shikim që soditet ndonjë udhëtar, i cili ka kaluar nëpër vende ku s’ka qenë njeri, dhe i tha:
- Po ne të shkretat gra, që s’e kemi as këtë argëtim!
- I bukur argëtim, kur s’të jep pikë lumturie.
- Po mund të gjendet ndonjëherë? – e pyeti ajo.
- Posi, e gjen një ditë, - iu përgjigj ai.
“Dhe këtu ju e kuptuat vetë, - thoshte këshilltari. – Ju bujq e argatë! Ju, pionierët e urtë të veprës së madhe që është qytetërim i gjallë! Ju, njerëz të përparimit dhe të moralit të lartë! Ju e kuptuat, e përsëris, se stuhitë politike janë në të vërtetë më të rrezikshme sesa tufanet e natyrës...”
- E gjen një ditë, - tha përsëri Rodolfi, - një ditë, papritur e pa kujtuar, dhe pikërisht atëherë kur i ke humbur të gjitha shpresat. Dhe horizonti fillon të hapet e dëgjohet një si zë që thërret: “Ja ku është!” Ju e ndieni të nevojshme t’i flisni me zemër të hapur këtij njeriu, t’i falni gjithçka, të flijoni gjithçka për të! Shpjegimet janë të tepërta, të gjitha ia merrni vesh njëri-tjetrit në heshtje, pa folur. E keni parë shoku-shokun në ëndërr. – Dhe ai i mbante sytë nga ajo. – Kur ja, më në fund, para jush, ai shkëlqen, xixëllon. Megjithatë, s’jeni i bindur, s’guxoni ta besoni; jeni i verbuar, sikur të dilnit nga errësira menjëherë në dritë.
Dhe, duke shqiptuar këto fjalë të fundit, Rodolfi i shoqëroi edhe me gjeste që shprehnin të njëjtën gjë. E vuri dorën mbi fytyrë, si ai që po i bie të fikët; pastaj e lëshoi mbi atë të Emës. Kjo e tërhoqi të vetën. Ndërsa këshilltari vazhdonte të lexonte:
“Dhe kujt do t’i vinte habi, zotërinj? Vetëm atyre që iu janë zënë aq shumë sytë, që i kanë mbytur aq keq (dhe e them pa frikë), që i kanë mbytur aq keq paragjykimet e kohëve të perënduara, saqë e mohojnë akoma shpirtin e masave fshatare. Dhe me të vërtetë, ku e gjen dot gjetkë më shumë se këtu, gjithë këtë atdhedashuri, gjithë këtë besnikëri ndaj kauzës së përgjithshme, me një fjalë gjithë këtë zgjuarsi si këtu në fshat? Dhe nuk e kam, zotërinj, për atë zgjuarsinë e sipërfaqshme, stoli pa vlerë e mendjeve të ngeshme, por për atë zgjuarsi të thellë e të matur, e cila, para së gjithash, përpiqet të arrijë qëllime të dobishme, duke ndihmuar kështu për të mirën e secilit, për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme dhe për mbështetjen e shtetit, që është frut i respektimit të ligjeve dhe i kryerjes së detyrave...”
- Ah! Dhe ky prapë me detyrat e ka, - tha Rodolfi. – Detyrat, detyrat. Më çmendin fare këto fjalë. Se ç’janë një tufë pleqsh e tuafësh që veshin fanella të leshta në mish dhe që mbajnë borsa me ujë të ngrohtë dhe tespie, që na çanë veshët, ngre e ul një avaz! “Detyra! Detyra!” Eh! Dreqi ta marrë! Detyra është të ndiesh atë që është madhështore, të duash me gjithë mend atë që është e bukur, dhe jo të pranosh kot më kot gjithë rregullat konvencionale të shoqërisë, me tërë ato maskarallëqe që na imponon.
- Sidoqoftë... sidoqoftë... – kundërshtonte zonja Bovari.
- Jo, s’ka sidoqoftë! Pse u dashka të çirremi kundër pasioneve? A nuk janë ato e vetmja gjë e bukur që ka mbi tokë; burim i heroizmit, i entuziazmit, i poezisë, i muzikës, i arteve, me një fjalë i gjithçkaje!
- Por, megjithatë, - tha Ema, - duhet të bësh një çikë siç mendon njerëzia dhe t’i nënshtrohesh moralit të saj.
- Ah! Puna është se ka dy lloje, - e kundërshtoi ai. – Njëri është morali i vockël, konvencionali, i njerëzve e aq, ai që si është tani s’është pastaj dhe që gërthet aq fort, lëvrin rëndom përdhe, si ajo turma e budallenjve që shihni aty. Ndërsa ai tjetri, i përjetshmi, është kudo rreth nesh e përmbi ne, si peizazhi që na rrethon dhe qielli i kaltër që na ndriçon.
Zoti Liëven sapo kishte fshirë gojën me shami. Pastaj vazhdoi:
“Dhe ç’t’ju them unë, zotërinj, për të vërtetuar këtu se ç’dobi na sjell bujqësia? Kush na i plotëson nevojat tona? Kush po na mban gjallë? Kush tjetër veç bujqësisë? Bujku, zotërinj, bujku që me dorën e tij punëtore na mbjell brazdat pjellore të arave dhe na prodhon grurin, i cili, si bluhet me anë veglash të përsosura, na del miell dhe, prej andej, mbartet nëpër qytete dhe menjëherë u shpërndahet furrtarëve që e bëjnë bukë si për fukaranë dhe për zengjinë. Kush tjetër veç bujkut rrit, që të vishemi ne, kopetë e mëdha nëpër kullota? Sepse si do të siguronim veshmbathjen, si do të siguronim ushqimin po mos të ishte bujku? Dhe pastaj, zotërinj, a është nevoja t’i kërkojmë shembujt aq larg? A ka njeri që të mos mendojë shpesh herë për gjithë atë rëndësi të madhe që ka ajo kafshë pa pretendime, stoli e oborreve tona, që na jep njëkohësisht edhe jastëkë të butë për dyshekët tanë, edhe mishin e saj të shijshëm e të ushqyeshëm për tryezat tona, edhe vezë! Por s’kisha për të mbaruar kurrë po të filloja të numëroja me radhë gjithë prodhimet e ndryshme që një tokë e mbarsur mirë, porsi një nënë bujare, u jep pa kursim fëmijëve të vet. Këtu, ke hardhinë, më tej ke mollët për musht; atje ke rrepat, më tutje, ke djathërat dhe lirin; mos të harrojmë lirin, zotërinj, që ka marrë këto vitet e fundit një zhvillim aq të madh dhe për të cilin do t’ju tërheq vëmendjen në mënyrë të veçantë.”
Ai s’kishte pse t’ua tërhiqte vëmendjen: të gjithë e mbanin gojën hapur, sikur t’ia përpinin fjalët. Tyvazhi, ngjitur me të, e dëgjonte duke zgurdulluar sytë; zoti Dërozëre, i mbyllte herë pas here qepallat; dhe, më tej, farmacisti, që mbante të birin, Napoleonin në mes të shalëve, vinte dorën si hinkë mbi vesh që mos t’i shpëtonte asnjë rrokje pa dëgjuar. Anëtarët e tjerë të jurisë tundnin me ngadalë mjekrën përmbi jelek, në shenjë miratimi. Zjarrfikësit, poshtë tribunës, çlodheshin duke u mbështetur mbi bajonetat e pushkëve të tyre; edhe Bineu qëndronte pa lëvizur, bërrylin e kishte nxjerrë jashtë dhe majën e shpatës ngritur përpjetë. Për të dëgjuar ndoshta dëgjonte, por nuk duhej të shihte asgjë, sepse e pengonte streha e helmetës që i binte mbi hundë. Togerit, djalit të vogël të zotit Tyvazh, i rrinte akoma më keq, sepse ishte tepër e madhe dhe i tundej sa andej-këndej mbi kokë, sa i varej edhe një cep i shallit laraman. Ai buzëqeshte nën të ëmbël, si fëmijë, dhe fytyra e imët dhe e zbehtë, ku i kullonte djersa rrëke, i kishte marrë një shprehje kënaqësie, rraskapitjeje dhe dremitjeje.
Deri te shtëpitë sheshi ishte plot e përplot me njerëz. Kishte që ishin mbështetur nëpër të gjitha dritaret me radhë, disa të tjerë kishin zënë vend poshtë, në çdo prag dere, duke qëndruar më këmbë, dhe Justini, përpara vitrinës së farmacisë, dukej krejtësisht i magjepsur nga ato që sodiste. Megjithëse mbahej qetësi, zëri i zotit Liëven humbiste në hapësirë. Njerëzve në vesh u vinin fjalë-fjalë të shkëputura, që i ndërpriste aty-këtu zhurma e karrigeve të turmës; pastaj, papritmas dëgjohej mbrapa pjesëmarrësve pëllitja e zgjatur e ndonjë kau, ose blegërimat e qengjave që i përgjigjeshin njëri-tjetrit në cepat e rrugëve. Dhe me të vërtetë, lopçarët dhe barinjtë i kishin shtyrë deri aty bagëtitë e tyre, dhe ato herë pas here bulurinin, duke kapur me gjuhë ndonjë copë gjetheje që u ngjitej pas turinjve.
Rodolfi i ishte afruar Emës dhe, duke folur shpejt, i thoshte me zë të ulët:
- Nuk ju revolton ky komplot që bën shoqëria mbarë? Më thoni një ndjenjë të vetme që s’e dënon ajo? Shkelen me këmbë e poshtërohen instinktet më fisnike, simpatitë më të çiltra, dhe tek e fundit po të puqen dy shpirtra të gjora, bëhet nami që të mos bashkohen. Prapëseprapë ata do të bëjnë të tyren, do të rrahin krahët, do të thërrasin njëri-tjetrin. Oh! Sido që të vijë puna, shpejt ose vonë, pas gjashtë muajsh, dhjetë vjetësh, ata kanë për t’u bashkuar, për t’u dashuruar, sepse ashtu është thënë dhe janë krijuar për njëri-tjetrin.
Ai i mbante duart të kryqëzuara mbi gjunjë, dhe, në këtë pozicion, duke ngritur fytyrën nga Ema, e shihte nga afër, ngultas. Ajo shquante në sytë e tij rreze të vogla të arta që shkëndijonin rreth e rrotull bebeve të zeza, dhe ndiente bile erën e këndshme të brilantinës, prej të cilës i shkëlqenin flokët. Atëherë ndjeu që e pushtoi të tërën një molisje, iu kujtua viskonti me të cilin kishte kërcyer vals në Vobisar, ndërsa mjekra, sikurse dhe këta flokë, kundërmonin atë erë vanilje dhe limoni, dhe, vetvetiu mbylli pakëz qepallat që ta thithte më mirë. Mirëpo gjatë lëvizjes që bëri duke përkulur trupin nga mbrapa mbi karrige, asaj i zunë sytë diku larg, në fund fare të horizontit, karrocën e vjetër të udhëtarëve, Dallëndyshen,që po zbriste ngadalë kodrës së Lësë, duke lënë mbrapa saj një shtëllungë pluhuri. Pikërisht me këtë karrocë të verdhë Leoni kishte ardhur gjithë ato herë pranë saj; dhe nga ajo rrugë kishte ikur përgjithmonë. Iu duk sikur e pa përballë, në dritaren e tij; pastaj gjithçka u turbullua; kaluan re; kujtoi se po vërtitej duke kërcyer vals, nën dritat e llambadarëve, në krahët e viskontit, dhe se Leoni nuk ishte larg, se do të vinte... po, megjithatë, ndiente vazhdimisht kokën e Rodolfit pranë saj. Ëndja e këtij ndikimi i ngjallte asaj dëshirat e dikurshme, dhe këto, tamam si kokrriza rëre kur fryn erë, vërtiteshin në afshin e lehtë të parfumit që përhapej në shpirtin e saj. Ajo i hapi fort disa herë me radhë vrimat e hundës, për të thithur freskinë e lertheve rreth e qark kapiteleve. Hoqi dorashkat, fshiu duart, pastaj, i bënte fresk fytyrës me shami, kurse, mes të rrahurave të tëmthave, dëgjonte gumëzhitjen e shurdhër të turmës si dhe zërin e këshilltarit që i lexonte në mënyrë monotone fjalitë e tij.
Ai thoshte:
“Vazhdoni! Nguluni në punë! Mos ua vini veshin as sugjerimeve që vijnë nga rutina dhe as këshillave tepër të nxituara që i dikton empirizmi i tërbuar! Kushtojuni në radhë të parë përmirësimit të tokës, plehërimit të mirë, zhvillimit të racës së kuajve, të gjedhit, të të imëtave dhe të derrave! Le të jetë ky panair për ju arenë paqësore ku fituesi kur të dalë së këndejmi, do t’i japë dorën të mundurit dhe do të vallëzohet me të, me shpresën që do të arrijë një sukses më të madhe! Dhe ju, shërbyes të nderuar, punëtorë të përvuajtur, që deri më sot as një qeveri nuk jua ka marrë parasysh punën e mundimshme, ejani të merrni shpërblimin e virtyteve tuaja të heshtura, dhe të jeni të bindur se shteti, që sot e tutje, nga ju i ka sytë, se ai ju jep zemër, ju mbron, se do t’i plotësojë kërkesat tuaja të drejta, dhe do t’jua lehtësojë, aq sa të mundet, barrën e sakrificave tuaja të mëdha!”

Pastaj zoti Liëven u ul; zoti Dërozëre u ngrit dhe ia nisi një fjalimi tjetër. Ky i tij, ndoshta nuk ishte me aq lajlelule sa ai i këshilltarit, por ama dallohej nga një frymë më konkrete në stil, domethënë nga njohja më e gjerë e çështjeve dhe shqyrtimi më i thellë i tyre. Kështu, lëvdatat ndaj qeverisë në të zinin më pak vend; feja dhe bujqësia më tepër. Aty dilte qartë lidhja midis njërës dhe tjetrës, dhe sesi kishin ndihmuar vazhdimisht që të dyja në zhvillimin e qytetërimit. Sakaq Rodolfi fliste me zonjën Bovari për ëndrrat, parandjenjat, magnetizmin. Oratori, duke filluar që nga djepi i shoqërive, përshkruante ato kohë mizore kur njerëzit e mbanin frymën gjallë me lende, futur thellë nëpër pyje të dendura. Pastaj ata e hoqën nga trupi lëkurën e shtazëve, u veshën me cohë, hapën brazda, mbollën hardhi. A ishte vallë kjo një e mirë, dhe ky zbulim sillte më shumë të këqija apo të mira? Zoti Dërozëre ia shtronte vetes këtë pyetje. Nga magnetizmi. Rodolfi, kishte kaluar pak nga pak në afritë, dhe, ndërsa zoti kryetar përmendte Cincinatin  që punonte me parmendë, Dioklicianin  , që mbillte lakra, si dhe perandorët e Kinës që e përuronin vitin me mbjellje, djali i ri i shpjegonte gruas së re se kjo forcë tërheqëse e papërballueshme vinte nga ndonjë jetë e mëparshme.
- Ja, ne për shembull, - i thoshte ai, - përse u njohëm bashkë? Ç’rastësi e krijoi këtë mundësi? Me sa duket, nëpërmjet largësisë që na ndante, si dy lumenj që rrjedhin për t’u bashkuar, na shtynë drejt njëri-tjetrit prirjet tona vetjake. – Dhe ai i kapi dorën, ajo nuk e tërhoqi.
“Shpërblim për rritjen e bimëve me vlerë!” – bërtiti kryetari.
- Pak më parë, për shembull, kur erdha te ju...
“Zoti Bizet nga Kenkampuaj”
- Pse mos e dija gjë që do t’ju shoqëroja?
“Shtatëdhjetë franga!”
- Bile u mata njëqind herë të largohesha, po ja që erdha pas jush dhe ndenja me ju.
“Për plehra”.
- Ashtu si do të rrija sonte, nesër, ditët e tjera, gjithë jetën time!
“Zotit Karan nga Argëji, medalje ari!”
- Sepse nuk më ka joshur kurrë njeri në mënyrë kaq të plotë.
“Zotit Ben nga Zhivri – Shën Marten!”
- Prandaj kujtimin tuaj do ta ruaj me vete.
“Për një dash merinos...”
- Por keni për të më harruar, në jetën tuaj unë do të jem si një hije kalimtare.
“Zotit Bëlo nga Shën-Mëria...”
- Oh! jo, s’ka sesi, a nuk do të zë unë njëfarë vendi në mendjen tuaj, në jetën tuaj?
“Për racën e derrave, shpërblim ex oequo  ; zotërinjve Lëherise dhe Kylambur; nga gjashtëdhjetë franga!”
Rodolfi i shtrëngonte dorën, dhe e ndiente që ishte plotësisht e ngrohtë dhe që dridhej si ndonjë turtulleshë e kapur, që do të fluturojë përsëri; mirëpo ajo, o ngaqë provoi ta çlironte, o ngaqë iu përgjigj këtij shtrëngimi, bëri një lëvizje me gishta, ai bërtiti:
- Oh! falemnderit! Mos më përbuzni! Ju jeni shpirtmirë! E kuptoni vetë që jam krejtësisht juaji! Më lejoni t’ju shikoj, t’ju sodis!
Nga dritaret fryu një erë që e rrudhi mbulesën e tryezës, dhe, poshtë, te sheshi, të gjitha skufjet e mëdha të fshatarëve u ngritën përpjetë, si krahë fluturash të bardha që valëviten në ajër.
“Për përdorimin e bërsive të farërave vajore”, - vazhdoi kryetari.
Pastaj më me të shpejtë:
“Për plehërimin flamand – për rritjen e lirit, - për kullim tokash, për marrje tokash me qira me afat të gjatë, - për shërbime të mira shtëpiake.”
Rodolfi nuk fliste më. Ata vështronin njëri-tjetrin. Buzët e zhuritura u dridheshin nga një epsh i papërmbajtur; dhe gishtërinjtë e tyre u pleksën me ngadalë, pa hasur ndonjë pengesë.
“Katrin-Nikez-Elizabet Lëruit nga Sasto-la Gorrjer, i jepet medalje argjendi, me vlerë njëzet e pesë franga, për pesëdhjetë vjet shërbim në të njëjtën fermë! Ku është Katrin Lëruia?” – përsëriti këshilltari.
Ajo nuk po paraqitej, dhe ndërkohë dëgjoheshin zëra që pëshpërisnin:
- Shko, shko!
- Jo, jo.
- Majtas!
- Mos ki frikë!
- Ah! ç’budallaqe!
- Ta marrim vesh, është këtu apo jo? – bërtiti Tyvazhi.
- Po, po!... ja ku është!
- Le të afrohet pra!
Atëherë u drejtua nga tribuna një plakë trupvogël, e druajtur dhe që dukej sikur rrëgjohej në rrobat e saj varfanjake. Kishte mbathur një palë këpucë të mëdha druri, dhe në mes kishte lidhur një futë të gjatë, të kaltër. Fytyrën thatime rrethuar me një kapuç pa anë të kthyera, e kishte më me rrudha sesa një mollë të fishkur, dhe nga mëngët e këmishës së kuqe i dilnin duart e gjata, gjithë nyja. I kishin zënë kërce, i ishin plasaritur dhe ashpërsuar aq shumë nga pluhuri i plevicave, nga finja e rrobave dhe nga zhuli i leshit të bagëtive, saqë, edhe pse i kishte larë e shpëlarë me ujë të pastër, ato dukeshin të ndyta; dhe, ngaqë kishin shërbyer gjatë, i rrinin gjysmë të hapura, sikur donin të dëshmonin vetvetiu, ashtu përvuajtshëm, për gjithë ato që kishin hequr. Në fytyrë i lexohej njëfarë ashpërsie jete manastiri. Shikimin e mekur s’kishte gjë të trishtueshme a mallëngjyese që t’ia zbuste. Ngaqë jetonte vazhdimisht me kafshët shtëpiake, ajo ishte bërë si ato, e heshtur dhe e qetë. Ishte hera e parë që e shihte veten mes kaq shumë njerëzish; dhe, e tmerruar përbrenda saj prej flamujve, daulleve, zotërinjve frakëzinj dhe prej kryqit të nderit të këshilltarit, ajo rrinte e ngrirë, pa ditur ç’të bënte, të ecte përpara apo t’ia mbathte, as përse e shtynte turma dhe i buzëqeshnin anëtarët e jurisë. Kështu qëndronte përpara këtyre zotërinjve të lumtur, ky gjysmëshekulli skllavërie.
- Afrohuni, - e nderuar Katrin-Nikez-Elizabet Lëru! – i tha zoti këshilltar, i cili ia kishte marrë nga duart kryetarit listën e fituesve.
Dhe duke vërejtur me radhë emrat në fletën e letrës, pastaj plakën, ai përsëriste me një ton atëror:
- Afrohuni, afrohuni!
- Mos jeni gjë shurdhe? – i tha Tyvazhi, duke kërcyer mbi kolltuk.
Dhe nisi t’i thërriste në vesh:
- Pesëdhjetë e katër vjet shërbim! Medalje argjendi! Njëzet e pesë franga! Këto janë tuajat.
Pastaj, si mori medaljen, ajo nisi ta këqyrte. Atëherë iu çel fytyra me një buzëqeshje lumturie dhe u dëgjua tek murmuriste duke u larguar.
- Kam për t’ia dhënë famullitarit tonë, që të më këndojë një meshë.
- Ç’fanatizëm! – thërriti farmacisti, duke u përkulur nga noteri.
Mitingu kishte mbaruar; turma u shpërnda dhe, tani që ishin mbajtur fjalimet, secili zinte atë rang që kishte në shoqëri dhe gjithçka shkonte sipas zakonit të mëparshëm; zotërinjtë keqtrajtonin shërbëtorët dhe këta, për të nxjerrë inatin, rrihnin bagëtitë, ngadhënjimtare të squllëta, që ktheheshin në stallë, me kurorë të gjelbër midis brirëve.
Ndërkohë ushtarët e gardës kombëtare ishin ngjitur në katin e dytë të bashkisë, me pasta të ngulura në bajonetat e tyre, dhe bashkë me ta dhe daullexhiu që mbante një shportë me shishe. Zonja Bovari u mbështet pas krahut të Rodolfit; ky e përcolli deri në shtëpi; u ndanë para derës; pastaj ai shëtiti vetëm nëpër lëndinë, duke pritur të vinte koha e banketit.
Gostia zgjati shumë, gjatë saj u bë zhurmë dhe shërbimi ishte i keq; njerëzit ishin ngjeshur aq tepër sa mezi lëviznin bërrylat, dhe dërrasat e ngushta që shërbenin si stola gati sa s’u thyen nga pesha e të ftuarve. Të gjithë hanin si të babëzitur. Çdonjëri prej tyre përpiqej ta konsumonte kuotën që kishte paguar. Të tërëve u kullonte balli djersë; dhe përmbi tryezë, midis llambave të varura në tavan, rrinte pezull, si ai avulli i lumit një mëngjes vjeshte, një mjegullinë e bardheme. Rodolfi, mbështetur me shpinë mbi bezen e tendës, ishte zhytur aq thellë në mendime për Emën, saqë s’dëgjonte asgjë. Mbrapa tij, në bar, shërbëtorët vinin stivë pjatat e palara; ata që kishte pranë i flisnin, ai nuk u përgjigjej, i mbushnin gotën, por mendja e tij kishte rënë në qetësi, megjithëse gumëzhitja e zërave sa vinte e shtohej. Ai ra në dalldi pas atyre që i kishte thënë ajo dhe trajtës së buzëve të saj; fytyra e saj, i shkëlqente mbi strehën e kapelave ushtarake, si në ndonjë pasqyrë magjike; palat e fustanit, vareshin përgjatë murit, dhe ditët e dashurisë pasonin njëra-tjetrën gjer në pafundësi drejt perspektivave të së ardhmes.
Ai e pa përsëri në mbrëmje, kur u hodhën fishekzjarret, mirëpo ajo ishte me të shoqin, zonjën Ome dhe farmacistin, të cilin e shqetësonte shumë rreziku i raketave të humbura; prandaj orë e pa kohë, largohej nga shoqëria dhe porosiste Bineun të kishte mendjen.
Zoti Tyvazh, nga kujdesi i tepërt që kishte, predhat piroteknike të dërguara në emrin e tij, i kishte mbyllur në bodrumin e vet; prandaj baruti që kishte marrë lagështirë nuk ndizej, fare, dhe pjesa kryesore, që do të paraqiste një dragua duke kafshuar bishtin e tij, dështoi fund e krye. Herë pas here ndizej ndonjë fishekzjarr i vobektë, atëherë turma e shtangur nga habia lëshonte një gumëzhitje me të cilën përziheshin klithmat e femrave që i gudulisnin në errësirë. Ema, e heshtur, tulatej me ngadalë pas supit të Sharlit, pastaj, me sytë përpjetë, ndiqte në qiellin e errët trajektoret e ndritura të fishekzjarrëve. Rodolfi e sodiste në dritën e fenerëve të ndezur.
Ata filluan të shuhen me ngadalë. Dolën yjet. Nisën të binin disa pika shiu. Ajo lidhi shallin mbi kokën e saj të zbuluar.
Në atë çast doli nga hani karroca e këshilltarit. Karrocieri, që ishte dehur, dremiti menjëherë; dhe që për së largu, dukej nga sipër mbulesës së karrocës, midis dy fenerëve, trupi i tij që lëkundej djathtas-majtas, sipas tronditjeve të karrocerisë.
- Me të vërtetë, - tha farmacisti, - dehja duhet ndëshkuar rëndë! Po të isha unë të gjithë atyre që intoksikohen me pije alkoolike ditëve të javës, do t’ua nxirrja emrin javë për javë te dera e bashkisë, në një tabelë ad hoc  . Bile dhe nga pikëpamja statistikore, do të kishim anale të qarta, që sipas nevojës... Por, më falni.
Dhe vrapoi përsëri drejt kapitenit.
Ky po kthehej në shtëpi. Shkonte të shihte tornon.
- Ndofta s’do të bënit keq, - i tha Omeu, të dërgonit ndonjë nga vartësit tuaj ose të shkonit vetë...
- Lëmni rehat tani, - iu përgjigj tagrambledhësi, - përderisa s’ka asgjë!
- Mos u bëni merak, - tha farmacisti, kur u kthye te miqtë e tij. – Më siguroi zoti Bine se janë marrë të gjitha masat. S’ka për të rënë asnjë shkëndijë. Pompat janë plot. Ejani të shkojmë të flemë.
- Po besa! Mua më flihet, tha zonja Ome, që gogësiu duke e hapur mjaft gojën; po, s’ka gjë, kaluam një ditë shumë të bukur feste.
Rodolfi përsëriti me zë të ulët dhe me një shikim të ngrohtë:
- Oh! Po, po, me gjithë mend, shumë të bukur!
Dhe, pasi u përshëndetën, u shpërndanë.
Pas dy ditësh, në gazetën “Feneri i Ruanit”, u botua një artikull mbi panairin bujqësor. E kishte shkruar Omeu gjithë afsh frymëzimi, që të nesërmen e asaj dite:
“Ç’ishin vallë ato kurora, ato lule, ato vargje të stolisura blerimi? Për ku vraponte ajo mori njerëzish, si dallgët e detit të tërbuar, nën rrezet e pandalshme të një dielli tropikal që përhapte nxehtësinë e tij nëpër ugaret tona?”
Pastaj, ai ndalej mbi gjendjen e fshatarëve. Sigurisht, qeveria bënte në këtë drejtim shumë përpjekje, por jo aq sa duhet! “Duhet guxim! I bënte ai thirrje asaj; një mijë reforma janë më se të nevojshme, le t’i zbatojmë ato.” Më poshtë, duke folur për ardhjen e këshilltarit, nuk linte pa përmendur “pamjen luftarake të milicisë sonë’, as “fshataret tona shpuzë”, as pleqtë tullacë, këta lloj patriarkësh që ishin të pranishëm, dhe disa prej tyre, “mbeturina të aradheve tona të pavdekshme, të cilët ndienin akoma zemrën që u rrihte kur dëgjonin buçimën luftarake të daulleve.” Emrin e vet e vinte ndër anëtarët e parë të jurisë, dhe theksonte bile, në një shënim të veçantë, se zoti Ome, farmacist, i kishte dërguar Shoqatës së Bujqësisë një Studim mbi mushtin e mollës. Kur arrinte te dhënia e shpërblimeve, ai e përshkruante gëzimin e fituesve me thekse ditirambe. “Babai përqafonte të birin, vëllai vëllanë, bashkëshorti bashkëshorten”. S’ishin të paktë ata që e tregonin me krenari medaljen e tyre modeste, dhe ka mundësi që me t’u kthyer në shtëpi, pranë zonjave të mira shtëpiake, ta kenë varur me lot ndër sy në një nga muret e thjeshtë të kasolleve të tyre të varfra.
“Aty rreth orës gjashtë, u mblodhën në një gosti të shtruar në livadhin e zotit LieZhar, pjesëmarrësit më të rëndësishëm të kësaj feste. Darka kaloi në një atmosferë më se të përzemërt. U ngritën dolli të ndryshme: Zoti Liëven e çoi për shëndetin e mbretit! Zoti Tyvazh, për atë të prefektit! Zoti Dërozëre, për bujqësinë! Zoti Ome, për industrinë dhe artet figurative, për këto dy simotra! Zoti Lepleshi, për zhvillimin e mëtejshëm! Në mbrëmje, papritmas gjithë qielli u bë dritë nga fishekzjarret e shkëlqyera. Të dukej si kaleidoskop i vërtetë, si dekor i gjallë opere dhe, për një çast, lokaliteti ynë i vogël, kujtoi se ishte në një ëndërr të “Një mijë e një netëve.”
Le të vëmë në dukje se nuk pati asnjë ndodhi të papëlqyer gjatë kësaj feste familjare.”
Dhe shtonte:
“Ra në sy vetëm mungesa e klerit. Me sa dukej sakristitë e kuptojnë ndryshe përparimin. Bëni si t’ju vijë për mbarë, o zotërinj të Luajolës.
eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Popular Posts

Blog Archive