EPILOG

Mugëtira e mëngjesit pranveror sa kishte filluar ti shuante yjet që regëtinin në qiell, kur në oborrin e mbushur plot bar e lule ndaloi makina. Nga rruga e gjatë dhe e mundimshme Bardhës akoma i ushtonin veshët. Pasi doli jashtë, fresku ia përshkoi lehtë fytyrën, duke ia shpupurishur flokët butësisht. Ato pamje, në atë dritë të mugët të mëngjesit pranveror, për një çast iu duken të pabesueshme. Ishte e mundur, vallë, që shkatërrimi i çdo gjëje njerëzore të ketë arrirë deri në këtë pikë? Përballë ndodheshin gërmadhat e shtëpisë, kurse para murit shquheshin grumbuj mbeturinash të karbonizuara, thëngjij të shuar dhe mbi to, si me qesëndi, kishte gufuar hardhia, e cila sikur nuk kishte dashur të pajtohej me katrahurën. Në
këndin e murit rrethues pa derën e vogël dhe iu bë se ishte gjysmë e hapur. Ishte pikërisht ajo derë që dikur, përmes saj, për herë të parë kishte hyrë nuse në këtë shtëpi. Fare pranë derës iu bë se pa gjyshen plakë të Agronit, e cila afrohej me hapin e saj të ngadaltë, duke pëshpëritur si më vete, me atë zërin e saj të mekur: Ç’nuse zeza, oj loke! Nga ana e lindjes qielli kishte filluar të përflakej. Yjet ishin shuar fare, kishte mbetur akoma i vetmuar, 264 i shndritshëm dhe vezullues Ylli i Karvanit. Sa vinte e më tepër kristalizoheshin konturet e trishta të shtëpive të shkatërruara dhe, për një çast, ndjeu në vete një trishtim dhe dhëmbje bashkë, duke iu mbushur sytë me lot. Përbri saj, si në ëndërr, erdhi zëri i Agronit, që nuk i përngjante fare zërit të tij. Iu bë se dëgjoi një murmurimë të njeriut që flet me veten e tij, dhe zëri i mbytur ishte si i dalë nga ai grumbull shkrumbi, kurse ai që fliste ishte pjesë përbërëse e atyre gërmadhave. E tëra u dridh nga ky mendim dhe sakaq fërkoi sytë, sikur donte të largonte atë tis të hollë që ju kishte veshur si vegim para syve e nuk i shqitej dot. Kishte kohë që kishin filluar të këndonin gjelat. Agroni ishte zhdukur fare, diku në brendi të shtëpisë së shkatërruar, kurse Bardha kishte mbetur si e humbur në mes të oborrit. Për një çast u shtang, kur pa se dera e vogël cijati vajtueshëm dhe që andej u shfaq silueta e një burri plak, që Bardhës ju bë se ishte fantazmë. Ai afrohej me shikimin e mbërthyer drejt saj. Bardha nuk lëvizi. Kishte mbetur në një situatë që nuk e dinte se çka ishte më mirë të vepronte: t’i dilte përpara të porsaardhurit dhe t’i uronte mirëseardhje, apo të zhdukej në brendi, ku ishte Agroni...? Nga kjo situatë, sikur ta kishte porositur dikush, e nxori vaji i Dylit. Bardha u gjend pranë veturës. “U zgjove nga gjumi, pëllumbi i nënës?!” – tha Bardha, pasi kishte marrë ndër duar foshnjën. Sa herë e merrte në përqafim Dylin, i kujtoheshin fjalët e ishburrit të saj, që i thoshte herë pas here me ironi: “Shterpë!” Dhe, ashtu, me Dylin ndër duar, u kthye nga i porsaardhuri. 265 “Mirëmëngjesi!“ – tha plaku, që tani më ishte afruar fare pranë Bardhës. “Mirëmëngjesi!“ – ia ktheu Bardha, duke ia zgjatur dorën dhe duke e shikuar hetueshëm fytyrën e tij. “Mixha Sylë!“ – befas klithi Zana, që pa u vërejtur kishte zbritur nga vetura dhe sakaq iu hodh plakut në gjoks. Ai e shtrëngoi fuqishëm me duart e tij të thata, duke ia përkëdhelur flokët. “Zanë, moj bijë!... të dija të vdekur… të kam vajtuar edhe ty, bashkë me të tjerët, edhe pse nuk… ah, u gëzoftë kjo ditë!...” - dhe zëri filloi ta humbte atë buçimën e mëparshme, duke u dridhur lehtë, përvajshëm. Bardha pa se plakut po i dridhej buza e poshtme. Iu bë se e kishte takuar diku atë plak… ah, po! “Nuk të paska gënjyer syri, Agron!” i ushtuan në vesh fjalët e tij, kur e kishte takuar ditën e parë që kishte shkelur pragun e kësaj shtëpie. Nga thellësia e gërmadhave doli Agroni. Me hapa të shpejtë u sul drejt plakut, i cili vjedhurazi përpiqej t’i fshinte sytë, që ju kishin mbushur me lot. “Sa të kam kërkuar, more bir!... të dinim të vdekur!...” – tha plaku i ngashëryer. Bardha kishte mbetur si e hutuar. Ajo shikonte ato pamje dhe mendja i vajti të gjyshja e saj e ulur në divan prapa stufës, e cila, kur mërzitej për ata që i kishte dashur dikur dhe që me kohë kishin vdekur, qante në heshtje, ja, si sot mixha Sylë... “Po kjo? Kush është kjo?” – pyeti plaku, duke shikuar nga Bardha me sy të përlotur. “Është Bardha.” “Bardha!?...” “Po, mixha Sylë, është ajo Bardha që dikur…” 266 “Bardha e bukur?!“ – ia preu fjalën plaku, duke e marrë në përqafim Bardhën dhe duke ia ledhatuar flokët, siç ia kishte ledhatuar pak çaste më parë edhe Zanës. Plaku nuk u përmbajt dot kësaj radhe. Duke dënesur, i turpëruar, u largua drejt gërmadhave të shtëpisë. Të gjithë kishin mbetur të heshtur, me kokat ulur. Vaji i plakut e theri Bardhën mu në zemër. I vetmi në këtë mes që nuk e vrisnin aspak këto emocione, ishte Dyli. * Vetura kaloi fare pranë oborrit të shkollës. Bardha hodhi vështrimin andej. Ndërtesa e vjetër e shkollës nuk ishte më. Në vendin e saj kishte filluar ndërtimi i shollës së re. Oborri i shkollës ishte po ai që kishte qenë dikur, por tani i mbushur me material ndërtimor, kurse muri rrethues me kangjellat e ndryshkura dhe të shtrembëruara i kishte qëndruar kohës. Edhe kaçuba e dikurshme prapa murit rrethues ishte po aty, por tani ishte rritur, ishte bërë lis. Si në vegime iu bë se pa Besën, duke biseduar dora-dorës me Kerin. Vallë, ku ndodhet ajo tani, pyeti veten dhe trupin ia përshkuan mornica të ftohta, kur ju kujtua tragjedia e Rinës, për të cilën i kishte treguar Agroni. Kur vetura u gjend fare pranë shtëpisë së shkatërruar të Gjergjlekajve, pa ish- vjehrrin dhe ish-kunatin që merreshin me një fill armature të zgjatur rrugës. Ata u mënjanuan skajit të rrugës, për t’i bërë rrugë makinës, dhe… e njohën! Bardha nuk reagoi fare në habinë e tyre, por shtypi gazin, duke lënë prapa një re pluhuri. E ndjeu veten të lumtur që, pas kaq vitesh, nuk duhej 267 të kthente drejt atyre shtëpive, tani më të shkatërruara nga lufta. Pasi e ndaloi veturën prapa pojatës së vjetër, që i kishte shpëtuar çuditërisht katrahurës, Bardha zbriti. Për një copë herë mbeti si e nemitur, duke kundruar tutje nga lajthishta. Ishte e shkatërruar, e prerë dhe e djegur. Filizat dhe pinjollët e rinj që kishin gufuar pas gjithë asaj furtune, shushuritnin qetë nën peshën e lehtë të flladit pranveror. Ju bë se nga larg, si i venitur, i erdhi refreni i këngës që kushëriri i saj e këndonte me gjithë afsh, kur ishte i dashuruar. Për një çast ndjeu një trishtim në tërë qenien e saj. E dinte se atë zë nuk do ta dëgjonte kurrë më. Muri rrethues i pojatës ishte aty. I shkretë, i ftohët dhe indiferent. Edhe zgavra në mur ishte aty, e mbyllur, ashtu siç e kishte lënë vet dikur. Bardha zgjati dorën dhe hoqi rrasën dhe çuditërisht i lindi një dëshirë që aty të gjente diç, siç kishte gjetur dikur. Sa herë e kishte gëzuar ajo zgavër, por më shumë e kishte dëshpëruar dhe mbytur në lot! Ajo kishte qenë gëzimi i saj, shpresa dhe ëndrra e saj… dashuria e saj! Oborri i shtëpisë ishte i boshatisur, i mbushur me bar. Nuk dëgjoheshin të lehurat e qenit, as kakarisjet e pulave atje pranë kotecit. Mani i vjetër në mes të oborrit nuk ishte më. As stoli i drunjtë i gjyshes, nën hijen e tij, nuk ishte. Nuk ishte as gjyshja. Kishte vite që trupi i saj kalbej nën dhe. As Ademi nuk ishte më. Trajtohej i zhdukur. Tutje, nga selishta, pa pjeshkën që kishte shpërthyer me lulet e saj të bukura. Çeljen e kësaj pranvere e kishte pritur me një gëzim të papërmbajtur. I bëhej se kjo ishte pranvera më e bukur e jetës së saj. 268 Tani që ndodhej në mes të luleve, të gjetheve të mugulluar, mbi barin e njomë dhe në mes të cicërimave të lirshme të zogjve, disi ndjeu se ishte e mallëngjyer. Iu bë se ajo pamje aq e bukur, aq e dashur për të, ato lule që kishin shpërthyer me aromë e gonxhe të reja, selishta e blertë e plot lule ngjyra-ngjyra po valëvitej si në vegime të blerta e të ujëta, të përthyera si ngjyrat e ylberit, duke ndërruar ngjyrën dhe trajtën. Pasi i fshiu sytë me dorë, pa se jashtë qenies së saj nuk kishte lëvizur asgjë. Selishta me pemë e lule ishin aty, e qetë. Çdo gjë kishte qenë tronditje, që kishte ndodhur në brendi të shpirtit të saj të mallëngjyer dhe pikat e lotëve e bënë të kuptonte se ishte duke qarë. Por, kësaj radhe qante nga mallëngjimi.

Fund 13. 01. 2000

269 Muharrem Blakaj M I S I O N I S E K R E T Roman Redaktor teknik Ramadan Mehmeti Realizimi kompjuterik ARS poetika Adriana Mehmeti - Bajrami U shtyp në shtypshkronjën PROGRAF Prishtinë 2004 Katalogimi në publikim - (CIP) Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës 821.18-31 BLAKAJ, Muharrem Misioni Sekret: Roman / Muharrem Blakaj.- Prihtinë: Rozafa, 2004 (Prishtinë: „Prograf“).- 271 fq,; 20 cm.- (Biblioteka Kuteli) ISBN 9951-02-047-X 270

eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Popular Posts

Blog Archive