http://libratonline.blogspot.com/search/label/Esad%20Dujaka%20Deja%20Vu“Fletërrufetë” dhe “heronjtë e punës”... 
Me autobusin e „Albturistit” shpejtojmë rrugëve të gjera e të asfaltuara nëpër paralagjet e Tiranës. Pikërisht në orën njëmbëdhjetë para dite duhej të ishim në Uzinën ,.Traktori”, në njërën prej qendrave më të mëdha e më rëndësishme industriale të kryeqytetit të Shqipërisë. Në hyrje takohemi me një të ri, i cili na priti dhe na shoqëroi gjatë dy orëve sa i kaluam këtu duke na dhënë shpjegime të shumta, për ato që neve na interesonin. Në e parë mendova se është punëtor i zakonshëm. I veshur modest, me “kombinoqe” të punës ku në xhepin e sipërm i shkruante vetëm Uzina „Traktori”. Vasili, ishte brigadier në njërën prej reparteve të këtushme. Më vonë kuptojmë se Vasili
është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës. Vizitën e fillojmë në repartin e kovaçhanës. Kemi të nxehtë, e zabullima sa vjen e shtohej nga farkat-makina të mëdha, ku hekuri i skuqur copëtohej, ngjishej dhe merrte formën e dëshiruar - në duart e forta të kovaçëve, të cilët me fytyra të mërdhezura, ishin bërë sy e veshë. Një gabim sado i vogël e një copë hekuri do të shtypej më tepër se sa duhej, e gabime të tilla nuk duhet të ngjajnë, na thotë Vasili. Mbi një prej këtyre shumë farkave qëndronte varur lart një flamur në formë trekëndëshi ku shkruante „Individi më i dalluar”. Punëtori pranë flamurit vetëm na fali buzëqeshjen dhe vazhdoi. Gjatë pesë vjetëve me kujdesin e tij të shtuar, makina ku punonte ai nuk ka pasur asnjë riparim dhe nuk ka ngjarë të prishet. Kalojmë në repartin më të madh të uzinës „Traktori”. Aty prodhohen shumica e pjesëve të traktorëve. Disa qindra pjesë. Në këtë sallë të madhe, të gjerë me gjithfarë llojesh të makinave. Ato ishin të reja, e pranë tyre duart e shkathëta të punëtorëve. Shumica e punëtorëve në këtë Uzinë ishin të rinj. Djem e vasha nga Tirana por edhe nga qytetet e tjera, të cilët pasi që e kanë kryer shkollën profesionale (të mesmen shumica), janë këtu punëtorë të zakonshëm. Vasili na e shpjegon procesin e punës. Ne vetëm dëgjojmë e herë pas here ia bëjmë ndonjë pyetje. Prapa meje dy të reja gjejnë kohë të bisedojnë shkurtazi: -Çfarë gjuhe po flasin musa firët e sotëm? -Shqip mori, shqip, më duket. Pak më ndryshe se ne. Një gegërishte sikur të ishin nga veriu, nga Shkodra,- ia kthen shoqja. -Qenkan nga Kosova, u afrohet njëra që ishte matanë makinës. Hypim shkallëve dykatëshe e atje poshtë punëtorë e punëtore me kombinoqe të kaltra - pranë makinave ngjyre të gjelbër. Vazhdojmë vizitën nëpër punëtoritë e tjera, në atë ku bë het modelimi i pjesëve të ndryshme të traktorëve. Edhe këtu shumica janë femra. Të kujdesshme, ato punojnë modele prej materiali qeramikë e të ngjashëm me këtë, e që më vonë në to derdhet hekuri i shkrirë. Janë edhe do çupëza. Ato ishin nxënëse të Teknikumit, të cilat për çdo dite i kalojnë këtu nga tri orë në punë praktike. - Pranë Uzinës sonë punon edhe Shkolla e mesme për punëtorët tanë, na thotë Vasili. Aty mësojnë ata punëtorë të cilët nuk e kanë të kryer shkollën e mesme, por pa shkëputje nga puna. Dhe, jo vetëm kaq. Kemi këtu edhe Degën e Fakultetit të teknikës mekanike e në vitin tjetër do ta hapim edhe një tjetër degë - vetëm për nevojat e Uzinës sonë. Vargohen laboratoriumet matëse e sprovuese. Aty ka makina gjithfare elektronike. Shpjegimet na i jep një grua e re, për të cilën më vonë kuptuam se ishte inxhiniere e elektroteknikës. „Çdo pjesë e prodhuar nëpër reparte, doemos e sjellim këtu, e masim mirë e mirë. Nuk lejojmë gabime, sado të vogla që janë. Këtu kryhen matjet deri në një mikron”, janë fjalët e inxhinieres së re, e cila pa fije përtese na i demonstron do nga matjet. Inxhinierët nuk kishin zyre të veçanta. As përgjegjësit. Të pa- rët dhe të dytët ishin në mesin e punëtorëve. Brigadierë, që nuk Të japin vetëm këshilla e udhëzime, por edhe prodhojnë, ndreqin defektet e rastit nëpër makina. “Ka lëshime të vogla në punën tonë, këtu në Uzinë. Përpiqemi që të mos i përsërisim. E qortojmë njëri tjetrin, ashtu haptas, nëpër mbledhjet tona të sindikatës por edhe nëpër fletërrufetë. Pas kritikës vjen autokritika, e cila është e sinqertë, pa nervozizëm e ai që ka bërë lëshime në punë duhet të zotohet se do të përpiqet të korrigjojë veten. Pas kritikës e autokritikës vjen “transformimi”, që është rezultat i këtyre dy të parave”, na shpjegon Vasili! “Nuk do të thotë të mos kemi gabime, por njeriu ynë duhet të jetë i vetëdijshëm se duhet të transformohet, se lëshimet e tija nuk janë e nuk shkojnë vetëm në dëm të tij, por janë të të gjithë neve, shton Vasili, inxhinier i Uzinës „Traktori”. Fletërrufetë i pashë së pari në repartet e kësaj Uzine. Ato kishin një vend të caktuar nëpër mure. Shkruhen me dorë, me tush e me ngjyrë, e kritikojnë individët edhe grupet, ata punëtorë që harrojnë vigjilencën në punë. U ndala para njërës nga fletërrufetë. Aty shkruan: „Shokët e shoqet (pasojnë emrat e tyre) të cilët megjithëse lajmërohen se ditën e diel kishte aksion me “goditje të përqendruar”, këta shokë e shoqe nuk kanë ardhur duke nxjerrë justifikime të kota. Këta të rinj duhet ta kuptojnë drejt fjalën aksion...” e të tjera fjalë në atë fletërrufe. Por, krahas fletërrufeve ishin edhe ato të tjerat, që lavdërojnë punëtorët e zellshëm, ata që dallohen. Shkruhet se për çka dallohen, fjalë më të mira për ta e aty afër fotografia e tyre. Portrete të vogla, por kam parë edhe asi bukur të mëdha. Në njërën prej këtyre portreteve shkruante: „Brigadierja në prodhim, Muzejene Spahiu, bën mirë organizimin e vogël të punës, shfrytëzon maksimumin e kohës së punës”. Krahas saj, do fjalë të ngjashme i lexojmë edhe për tornitoren e re Afërdita Silen, për Bashkim Artanin e të tjerë. Këto portrete, na thanë se ndërrohen. Në vend të tyre vijnë ata që dallohen. - Kemi pasur shumë të tillë gjatë 5-vjeçarit të IV-të. Ata kanë qenë e do të shërbejnë si shembull i të tjerëve. Besojmë se edhe më shumë do të kemi tani kur po shkelim në 5-vjeçarin e V-të , - na shpjegon shoqëruesi ynë, inxhi. Vasili. Uzina „Traktori” ka edhe dy heronj të punës socialiste. Fotografitë e tyre të mëdha një metër, qëndrojnë në hyrje të repartit ku punojnë. Njëri prej tyre ishte Baki Bakolli, i cili ka bërë racionalizime të mëdha në një proces të prodhimit. Ai ishte punëtor i zakonshëm, por që nga mendja e tij i fali Uzinës një proces më të shkurtër të punës. Baki Bakollin nuk e takuam pasi atë ditë ishte në turnin e dytë. Jemi në oborrin e Uzinës. Ishte kohë e drekës dhe e pushimit. Grupegrupe dalin me fytyra në gaz punëtorët e punëtoret, djemtë e vashat e si një ushtri në miniaturë me kombinoqe të kaltra, vërshojnë atyre rrugëve të ngushta e të asfaltuara të oborrit të Uzinës, ku ende kishte gjelbërim e lule, anipse dimri afrohej. Pastria e pashoqe ku kishin zënë vend koshat për mbeturina. Kthen në çdo anë - mbishkrime gjithëfarë. Të mëdha e të vogla. Në njërën shkruan: „Në punë dhe nëpërmjet të punës edukohet njeriu i ri”. Pasojnë të tjerat: „Të punojmë, të veprojmë, të mendojmë - si revolucionarë”, „Vitin ‘71 ta shndërrojmë në vit fitoresh të reja” e të tjera. Nga altoparlantët dëgjohet zëri i spikerit, i cili lexon lajmërimet e asaj dite. Ai pas kësaj i lexon emrat e punëtorëve më të dalluar të ditës që ka shkuar. “Kështu, na thotë Vasili, është çdo ditë. E kemi radiostacionin tonë lokal. Në ndarje, kur po largoheshim nga Uzina „Traktori”, na përcjellin tingujt e muzikës. Ajo kënga që ja fillon „... shoqen ku e kam...”
eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Popular Posts