(Dialog i imagjinuar me 75 vajza fshatare të komunës së Gjakovës, të cilat sivjet e kryen shkollën fillore, por që nuk janë më nxënëse.) NDOSHTA NUK PO E NDIENI zërin tonë të shtjerrë, të frikësuar që del i përzier me dënesje të mëshehta. Të një fjale jemi e një hall të përbashkët e kemi: si t’ia bëjmë me këto pranga të padukshme të cilat për ditë e më shumë po na e rëndojnë zemrën? Ju mundeni vetëm t’i paramendoni se si duken këto pranga, por nuk e dini si të shitojnë, si ta ndajnë rritën. Nuk kemi forcë e aq guxim të ngrisim grushtat tonë - e t’i thyejmë xhamat e dritareve pas të cilave janë ditët e bardha, drita e diturisë - SHKOLLA. Ajo dritë që aq shumë e
deshëm, por DIKUSH na rrëmbeu, na largoi prej saj nga frika se do të na verbojë -„çika të dala menç e të delendrisura”. Atë dritë kah e cila na kanë mbetur shikimet e tretura, duart e shtrira, të mbetura shtang - si dikur kur vraponin livadheve e grunajave pas fluturave të bardha të cilat iknin atje kah bjeshka... Ata që ua qitën dorën përpara, ishin baballarët e vëllezërit tuaj - më të dashurit e zemrës, apo jo? Si nuk patët guxim t’ua thoni troç të gjitha këto? E keni pasur lehtë pasi në mesin e tyre i njoh do mësues, intelektualë (i thonë vetit!), të cilët aq fjalë të zjarrta derdhin nëpër mbledhje, kur diskutohet për emancipimin e femrës shqiptare: „Po, shokë, po - vajzat tona, motrat tona duhet t’i dërgojmë në shkollë!” Por, ata në shtëpi janë krejt tjerë. Gufojnë, shpërthejnë shpirtërat e tyre idhnakë, si të gjyshërve tonë, kur u themi që të na kuptojnë, të na ndihmojnë. Çele gur gojën - kur atyre ju skuqen syt... „A nuk të janë mjaft tetë vjet? Rri aty se mirë je! Ndihmoi nënës në punët e shtëpisë - kështu më thotë vëllai i zemrës. Jo, nuk është shkolla për ty! Shi sa je rritur, he ty të plaçin sytë, se po don t’ia qesësh faqen e zezë këtij konaku?!” - kështu më thotë babëloku im i dashur, babëloku im i mirë. Si t’ua kthejmë fjalën? Tani nuk po dimë se cila është dashuria e vërtetë prindore. Jemi ndarë në dysh (gati secila prej nesh: Të pajtohemi me rrugën e jetës sonë të cilën na e caktoi dikush tjetër e ashtu të mbetemi me dëshira të zëna pick në zemër. Të pajtohemi se lirinë duhet ta shijojmë të copëtuar nëpër grilat e dritareve të qilërit të vajzënisë, ku i njehim ditët kur do te na bëjnë nuse - të shkojmë për ata që kurrë nuk i kemi parë... Apo: Të lidhim besë - si një të jemi shumë të vendosura që t’u japim fund vuajtjeve tona. Të ikim prej shtëpive, as pa lamtumirë e t’i thyejmë prangat aq të rëndë (të së kalua- rës) - atje është SHKOLLA, mësimi, jeta jonë e re. E kur pas ca vjetëve do të kthehemi sërish nëpër fshatrat tona si mësuese të popullit, ata që dikur na kanë mallkuar e për ne kanë thënë „qe, këto janë ato të pafytyrat”, ndoshta do ta ndërrojnë bindjen për ne... Do ta ndërrojnë bindjen edhe përgjegjësit e komunës të cilët (ndoshta) s’dinë gjë për ne.