I. Tematika
Hyrje
Veprat letrare e shkrimtarit Martin Camajt gjatë disa dhjetëvjetësheve kanë qenë të lëna anash nga historia e kritika e letërsisë sonë, sepse ky autor, tok me disa të tjerë, ka jetuar e ka krijuar larg atdheut. Këta kanë qenë letrarë të injoruar për shkaqe jashtëletrare. Përkundër këtij fakti, krijimtaria e tyre letrare edhe pse e shkruar dhe e botuar jashtë atdheut, ka pasur ndikim të madh e të tërthortë edhe në shkollat e mëvonshme letrare. Mendimi kritik letrar për veprat e këtyre autorëve ka ekzistuar (natyrisht më tepër në biseda private), por nuk është shkruar a interpretuar në revista letrare e në libra të veçantë kritikë a të historisë së letërsisë. Qarqet ideologjike qëllimshëm krijuan vakuum në artin tonë. Kështu këtë autor Tirana e mohoi sikur të mos ishte i gjallë! Në qarqet letrare të Prishtinës qe poet i dashur meqë botoi dy vëllime me poezi më 1953 dhe më 1954. Madje edhe vetë Camaj këto bashkëpunim me Prishtinën do t’i pohojë në një letër private-zyrtare që ia shkruan një bashkëpunëtori të revistës “Shejza”: “Mbasi Shejzat dalin 64 faqesh po e botojmë krejt. Ishalla, na ndihmon Zoti e nuk do të ndalet ky aktivitet i nisun për shkak të pares. Revista asht pëlqye dhe në Kosovë prej Yrjet Berisha shum kuj dhe nji
profesor më shkruen se kësi aktiviteti lypin prej nesh. Kam dërgue vetëm tri copë, por duket se janë tue shëtitë dorë në dorë si zakonisht çdo vepër interesante”1 Në mesin e shkrimtarëve të shpallur të padëshirueshëm është edhe Martin Camaj, i cili nuk u kursye nga “kujdesi” i censurës diktatoriale në Shqipëri. Shkrimtarët në atdhe mbase heshtnin me arsye, sepse në të kundërtën merrnin dënime drakonike! Këso ndëshkime merrnin njëjtë edhe ata në Prishtinë. Historia e letërsisë, kritika letrare edhe teoria e letërsisë janë ato disiplina filologjike që drejtpërsëdrejti merren me interpretimin e krijmtarisë letrare, për të cilën gjë qysh herët kanë konkluduar se vepra letrare, sado qoftë e krijuar në kushte specifike, ajo ka lexuesit e vet. Veprat e tilla kanë jetë më të gjatë, kanë jehonë të përhershme, kanë ndikimin e vet në letërsi. Kanë gjuhën e stilin e vet specifik. Andaj, mu për këtë arsye, historianët, kritkët, teorikët dhe estetët e letërsisë, do të orientohen vetë për t’i studiuar hollësisht këto vepra. Jo pse i detyron dikush, por thesht për këtë i cyt arti i veprave të këtij autori, është provokues edhe për lexuesin heterogjen e atë të rëndomtë. Vepra e tillë është me interes edhe për disiplinat e filozofisë, sociologjisë, antroplogjisë, drejtësisë, psikologjisë, etnografisë, historinë, politikën etj. Veprat letrare të Martin Camajt s’janë të pakta, as në gjini të poezisë, as në gjini të prozës, as në gjini të dramës. S’janë të pakta as edhe si vëllim e cilësi. Veprat e këtij autori sjellin përvojën hulumtuese, mbështetur në mitet e letërsisë popullore shqiptare, por edhe në shkollat e poetikës perëndimore që ndikuan drejtpërsëdrejti në kulturën, artin, 1 Letra e M. Camajt, dërguar Mustafa Krujës, në ShBA, më 27. X. 1957. PROZA E CAMAJT filozofinë, botëkuptimin europjan perëndimor që autori i thithi gjatë edukimit të tij të vazhdueshëm universitar në Beograd e Romë. Veprat në prozë të Martin Camajt janë shkruar duke u bazuar në shtresa të artit, të zbërthyera në mënyrë të logjikshme që lexuesin nuk e dëshpërojnë. Përkundrazi ai do të mrekullohet gjatë leximit të tyre. Arti i këtyre veprave nuk vë në gjumë receptuesin. Këto tekste letrare janë shkruar me ndjenjën e stërhollimit e të peshimit të fjalës. Janë të shkruara me durim meditues dhe zbërthejnë dukuri e fenomene të lidhura me etnikumin e etosin tonë. Mbështetur në këto parime estetike, ky autor orientohet të japë bukur e me nuanca të shumta artistke strukturën e prozave të veta. Nisur nga këto rregullsi të shkruara e të pashkruara nga teorikët e letërsisë, Camaj artin e tektesve letrare e vë në binarë të fortë, ku nuk e lë anash, të themi figurshëm, kompleksin e trenit të kompletuar, me lokomotivë, duke ia bashkangjitur edhe shumë elemente të tjera të nevojshme, ashtu siç pohojnë kritikët e estetët e letërsisë, të cilët kështu mbrojnë tezën e gjykimit kritik në tejkalimin e temave triviale, shpesh të përsëritur në art. Arti ka qenë e do të mbetet i tillë që të mbështetet në linjat thelbësore të botës së paprekur, nga e cila edhe krijohen vepra me vlera artistike e estetike . Shkrimtari pasqyron skajshmëritë e jetës intime, situata absurde, legjenda, jetën e pështirë që është shumë afër së vërtetës e fantastikës dhe që ka elemente të fuqishme me strukturë kompozicionale si çdo vepër arti. Martin Camaj nuk u instrumentalizua, por me alagori e mjete artistike e estetike shkroi veprat e tij që do të jenë fort të lexueshme dhe s’do të kenë bagazhin e hipotekën e -izmave diktaturiale. Ky autor, deri në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, praktikisht qe shkrimtar i panjohur për qarqet letrare në Tiranë. U desh të vijë sistemi pluralist në Shqipëri dhe ky autor të botohet pjesërisht.2 Idetë e veprave të Camajt do të kenë ndikim në formimin e një mendimi konkret dhe me shumë rëndësi për artin tonë. Ambienti i Shqipërisë Veriore do të mbetet monument i paharruar në kujtesën e lexuesit. Malësia e Mbishkodrës, e pasqyruar nga ky autor, është e paprekur. Është e thjeshtë dhe e lashtë. Relievi i saj është karakteristik. Ambienti i tillë s’ka ilustrime të tejdukshme. Njerëzit aty janë të ashpër, natyrisht, kur duhet. Natyra e kësaj hapësire është e pashkelur. Mbizotëron gjelbërimi, shkëmbinjtë, qielli i kaltër, uji i pastër, kullotat e pashkelura etj. Proza e Camajt ka botën e veçantë të njerëzve, rrënjësisht të veçantë, ata jetojnë në një rreth të izoluar, të harruar nga shoqëria, për të mos thënë të injoruar e të poshtëruar. Jeta e thjeshtë e këtyre njerëzve është me interes për lexuesin. Thjeshtësia e të jetuarit në këtë trevë u afrohet miteve e legjendave të lashta ilire e shqiptare. Brenda kësaj hapësire paraqitet fantazia, etnosi, etosi, kultura, arti i gjeografisë tipike ilire. Bota është tronditëse dhe ka një mori fenomenesh e dukurish që s’janë prekur në artet tona të deritashme. Teksti i këtyre veprave sikur bëhet edhe më i plotë kur të kihet parasysh tematika e kësaj proze që lakuriqon edhe hijen më të vogël të grimit e të lustrimit të mërzitshëm e të trishtueshëm të atyre faktorëve që quhen personazhe e që dalin ashtu si janë: pa rrobën e lustruar të pushtetit, që jetojnë jetën e tyre në Malësi, ku s’ka ligje e pushtet, është trevë specifike, mbretëron qetësia, ajri është i pastër, burimi i ujit i kulluar, banorët kanë mendje të kthjellët, etj. Malësia e Mbishkodrës për shkrimtarët tanë prore ka qenë dhe ka mbetur Parnas i artit për shkollën letrare të Shkodrës, trasuar që nga fillimshekulli i njëzet që historia e kritika jonë letrare e njeh si letërsi moderne, ashtu sikundër e ka definuar Prof. dr. E. Çabej. 3 Fshehtësitë e kësaj treve janë emblematike dhe të pashkelura, të pazbuluara dhe mjaft karakteristike për Shqipërinë ilire dhe që mu për këtë arsye jo një herë qe pre e pushtuesve të huaj. Por, kjo trevë ka pasur edhe vende ku nuk ka shkelur kurrë këmba e armikut. Nëpër ato shtigje kalojnë udhëtarët e rastit. Ecin tregtarët. Trup e tërthor marrin rrugën e pakalueshme luftëtarë e ushtarë të ndryshëm. Aty kalojnë njërëz të mirë e të këqij. Kjo hapësirë e paprekur gjeografike e mitike është objekt frymëzimi për veprat letrare të Martin Camajt. Ky vend është më se origjinal, për t’u shfaqur ndjenja e gëzimit dhe e hidhërimit. Malësorët e Camajt kanë forcë të madhe për ta kaluar e përbuzur të keqen. Ata dinë të gjejnë formulën e qëllueshme për t’i bërë ballë çfarëdo rreziku që u vjen nga jashtë. Kështu, në këto vepra autori këtë lëndë e shtron me nota dramatike e në mënyrë të qetë, varësisht nga momenti a nga gjendja psikologjike, filozofike, sociale etj., dhe kështu këto krijime marrin strukturë të pëlqyeshme fiktive. * * * Romani “Djella”, i Martin Camajt vë në spikamë të metat e mjedisit të një sistemi të mykur, që nis me ton ironik: “Se të gjithë, edhe ata që sundojshin atje naltë, pa përjashtim, ishin jashtë në borë e shi, po pak njerëz e pohoshin këtë. Por do të vishin kohë edhe mâ të vështira dhe era, bora do të bâheshin edhe mâ të ftoftë.”4 Nga ky fragment lexuesi do të kuptojë qëndrimin kundërshtues ndaj nomenklaturës së sistemit socialist që autori e thotë me ton ironik e alegorik. Narratori i romanit “Djella”, hulumton format e veçanta të rrëfimit, kërkon nektarin e artit. Është këmbëngulës në gjetjen e shprehjeve tejet origjinale për të thumbuar e shqiptuar paradokset çmendurake të kohës së sundimit. Ngrehina e romanit është me përmasa të shumta. Narracioni intim i shqiptuar në vetën e parë të bën për vete. Poetika e këtij romani shkrihet në shtresa të ndryshme strukturore që i përkasin arealit të fjalëve të urta dhe si të tilla edhe përhapin idenë e të shqiptuarit pa lajka që herë pas here dinë të dalin me rrëfime parabollike a me rrotlla. Pikërisht këtë çështje e zë ngojë edhe studiuesi e poeti Arshi Pipa, kur shkruan: “ ‘Djella’, asht nji pjesë e episodeve narrative, e përcjellë me vjersha të cilat shpërfytyrojnë narracionin përmes lirizmit.”.5 Ndërkaq, këtë çështje e ka interpretuar edhe shkrimtari Ernest Koliqi, ku mes tjerash shkruan: “Vargjet janë si ushtima e âmbelsueme e ngjarjeve disi të zymta qi përmbâjnë t’endëmen e tregimit.”6 Kur lexohet romani “Djella“, duket se ai është ndërtuar përmes një gërshetimi të qëllimshëm. Romani herë pas here i nënshtrohet strukturës narrative. Shqiptimi i tillë strukturor narrativ e lirik vë në spikamë vuajtjet e Bardhit, me profesion mësues e me vokacion poeti, që pas një hamendjeje të madhe rrëfen shlirshëm tronditjet e veta shpirtërore në një moshë gati senile. Arti i romanit shpalon dilemën estetike, shqiptuar me diskurs të fshehtë, diskurs ironik, alegorik, surrealist etj., që si shkrim artistik është sprovë praktike e artit romanësor me prirje eksperimenti në poetikën e prozës, me fabulë parabollike të ngjeshur me shtresa mozaiqesh, por edhe me rrënjë legjendash, histori, nyje kanunore etj. Gjendja lemeritëse që e kaplon shoqërinë në atë mjedis zbulon huqet, gabimet dhe joseriozitetin e një sistemi që ka humbur rrugën në fushë, pak nga shtytja, frika, amullia, humbja e besimit në vetvete, pesimizmi, kërcënimet, komplekset e nënçmimit, mospuna, terrori i përditshëm mizor, tensioni i vazhdueshëm, burgosjet e shumta... Vështruar nga konteksti estetik, ky roman vë në sprovë lexuesin. Poetika e larmishme është dëshmi e mirë për t’u bindur lexuesi se arti mund të shkruhet në gjini dhe forma të ndryshme, ashtu siç ka shkruar edhe Xh. Xhojsi në romanin “Ulisi”. Kjo formë e të shkruarit është hap i guximshëm i autorit, që dëshmoi përpjekjet dhe hulumtimet e tij ku poetika e romanit duket se u afrohet formalistëve, por edhe pak më tepër artit eksperimentues europjan. “Djella”, botuar më 1958, në letrat tona solli risi, theu kornizat klasike në shkrimin e romanit. Autori këtë sprovë estetike e bën në dekadën e pestë të shekullit njëzet, kur letërsisë sonë i mungonte edhe romani më i rëndomtë dhe me poetikë të mërzitshme të metodës socrealiste ruse. Romani “Djella”, ka një kompozicion të veçantë. Rrëfimi i shqiptuar në vetën e parë vrojton shqetësimet e një intelektuali, një artisti e njeriu të thjeshtë, që gjatë të jetuarit në një ambient jostabil ndihet i humbur e i harruar, për të cilin askush nuk e çan kokën, për hallet e tij. Arti i ligjërimit prek pahetushëm problemet shoqërore, pa shkelur në shtresa monotonike të historisë. Shkrimtari Martin Camaj ia arriti që personazhet e veta t’i japë me identitet të posaçëm dhe pati sukses t’i ngjallë në veprat e tij në prozë. Çështjen problematike të historisë sonë nuk e trajtoi me monotoni e me kakofoni a si të glorifikuar, përkundrazi, arti i veprave të tij shqiptoi mjetet artistike me ton alegorik, ironi, fjalë, të rrëfyerit me rrotulla, me gjykim të hollë e kritik. Arti i tij shfaqet pa emocione. Personazhet e kësaj proze, në qeliza e damarë kanë vello fshetësie që jetojnë në një kohë e hapësirë të njohur, të panjohur. Rrëfimi e trillimi artistik shfaqet me prizmin e ireales. Herë-herë me natyrën reale që merr shtresat e artit fantastik, të absurdit, pa harruar edhe mrizin e legjendave e mitet tona të njohura nga letërsia popullore. Bazuar në mënyrën e tillë të ndërtimit të kësaj proze, lexuesi ynë e ka të pamundshme ta saktësojë kohën dhe vendndodhjen e tekstit letrar ose, siç do të thoshte Aristoteli, kohën e hapësirën e veprës letrare. Ngjarjet në roman shëtisin shlirshëm nëpër shekuj, mu sipas ëndrrave e zhgjëndrrave të personazheve, që dinë të befasojnë këndshëm receptorin. Mënyra e rrëfimit në tekstin letrar bëhet nga pozicione të ndryshme dhe, si e tillë është produkt i të menduarit dhe i materialit të punuar hollësisht nga diskursi. Konstruktimi i këtillë në disa raste duket se s’është gjithaq bindës, por kur shihet larëmia e strukturës dhe bota e psikologjia e personazheve në këtë vepër, atëherë s’kemi se si të mos konstatojmë se s’mbesin çështje individuale as veçanti të figurave të prozës së M. Camajt që përmbushin portretin kompleks të fatit njerëzor në raporte shoqërore që ishin tejet të acarueshme, në ato rrethana të krijuara nga thjerrëzat përbërëse, siç janë problemet e shumëfishta të ngritura në skeletin e ngrehinës së romanit. Këto karakteristika determinante filologjike mundësojnë, por edhe diktojnë shtytjen e mëtejshme të prosedeut romanësor, që konsiderojmë se shkrimtari është prozatori më intelektual, më i formuar shkencërisht që jetoi e krijoi, i izoluar nga vendlindja, në diasporën shqiptare në Europë. Struktura e novelës ”Pishtarët e natës”, që nga fillimi e deri në mbarim pasqyron botën rurale me ambient tipik të Alpeve shqiptare të Veriut. Në plan të parë del jeta e një fshatari dhe familja e fisi i tij. Fabula e novelës paraqet nuancat reflektuese të dokeve të hershme që kanë pasur “jetë” në trevat tona dhe këto shtresa jepen ashtu si njihen e si nuk njihen. Në këtë prozë, me rreth nëntëdhjetë faqe, përqendrohen elementet e artit estetik e artistik, mjaft fuksional të një bote e një shoqërie, që duket sikur ka humbur fijet e lëmshit të quajtur ndryshe jetë normale e një njeriu a e një familjeje. Niveli kompozicional del i ngjyrosur dhe i patrajtuar gjithaq në letrat tona. Bazuar në këto çështje komplekse që i shtron autori, ato janë krijme artistike a vëllim i gjurmëve të vendosura nga e kaluara jonë e hershme. Ky shenjëzim modelues nis nga dukuria e urrejtjes, për të përfunduar si material i shoqërisë, i nderit, i njerëzores, etj. Urrejtja është dobësi e gjakut të fisit tonë. Ndërsa dashuria, puna, mikpritja, besa etj., shkelin në arealin e legjendave e të miteve që hyjnë në binarët e mbitekstit, siç janë mbitekstet që identifikohen si zana e dragonj, karaktere këto dalluese të qenieve mbinjerëzore, karateristikë për mitologjinë ilire - shqiptare. Proza e gjatë është shtruar me nëntekst përrallash e legjendash tona, që pahetueshëm depërtojnë në tekstin që është strukturim i shtresave rrëfyese, a një si amalgam mes visareve popullore me prozën artistike, si tekst i poetikës tradicionale, por edhe si strukturim i tekstit që është model i prozës moderne i vendosur në një sipërfaqe të diskursit7 vital. Autori në këtë prozë letrare, që shquhet si ngrehinë e tij verbale, kujdes të posaçëm i kushtoi korpusit kompozicional që vë në fokus dilemat, problemet, kundërshtimet fisnore, familjare etj., që dalin nëpër faqet e novelës “Pishtaret e natës”, me elemente artistike, duke i dhënë forcë tematikës me shtresa të dukshme fantastike që, si rëndom, në këtë poetikë moderne europjane arti nis nga diskursi i konsumar përmasash zmadhuese, jehona e thashethemeve, rreth pranisë së zanave ose, siç i quan Nika: Te Lumet. Kështu, trajtimi i një teme të tillë, sa misterioze aq specifike e të paprekshme më herët nga letrarët tanë, cyt lexuesin të mendojë për lashtësinë, krenarinë, njerëzoren, jetën, bëmat, artin, filozofinë, gjeografinë, historinë, gjeneologjinë e trashëguar nga të parët tanë. Tipi i novelës trajton një sërë problemesh që marrin karakter simbolik. Struktura e saj përcakton temën e shkapërderdhshme të një njeriu fatkeq e të familjes së tij, në një kohë kur vështirë jetohej pa tokën e bukës. Tregimi i gjatë “Gjon Gazulli” është prozë artistike me elemente autobiografike të Gjon Gazullit, emër i çmuar i shkencës, humanist i njohur me origjinë shqiptare, që jetoi në shekullin XV. Ai ishte i biri i një bariu nga Arbëria, i cili falë arsimimit dhe aftësisë së tij mendore bëhet njeri i shquar në Padovë. Këtë novelë me shtresa të shumta narrative e përshkon pesha e rëndë e zhgënjimit të vuajtjes, tensioni i vazhdueshëm i polemikës me njeriun që s’ka emër, me njeriun hije, me njeriun e panjohur, pastaj shpërfaqet, bredhja a vrapi i tij i përhershëm pas gruas së panjohur që ia rrëmben zemrën në pleqëri. Novela “Gjon Gazulli” trajton temë klasike nga shekulli XV, që pasqyron botën e jetën autentike të rendit të atëhershëm shoqëror. Proza mëton të aktualizojë katrahurën, gati të harruar të njerëzve tanë që u detyruan të iknin nga dhuna e barbarëve të Lindjes që qenë ngritur si lugetër, për t’i gllabëruar trevat e shumta shqiptare e europjane. “Gjon Gazulli” në shumë faqe vë në spikamë probleme njerëzore, fenomene trilluese a fantastike, brengë, fatkeqësi, tragjedi, gëzim, mall, mjedise shoqërore e klasore, raportet politike, statusin intelektual, social, etj. Tërë kjo tematikë, e shumë të tjera, ia arrijnë të eksperimentojnë me artin. Arti në përgjithësi (pa përjashtuar edhe artin e Martin Camajt) mëton të kopjojë shtresat e njohura e të panjohura të jetës lakuriqe të përvojës së gjatë të një populli me etni, të hershme të trashëguar përmes gjakut, gjuhës, kulturës, artit, dokeve etj. Novela “Rrungaja në mars” është tekst mjaft i gjatë letrar i këtij autori, që lexuesi s’ka se si të mos e shquajë, se shtresat e saja strukturore mbajnë shenja të njohura autobiografike. Fabula nis në një vis fushor dhe mbaron në viset alpike të Përteqafës. Në këtë hapësirë gjeoetnike ka hedhur rrënjë absurdi, ku rron feudalizmi dhe mesjeta. Tematika e tillë vë në sprovë elementet e shumta artistike që i gjejmë të pranishme në tërë tekstin letrar të përfshira gjatë një periudhe disavjeçare, ku me ngjyrë vizaton problemet e hallet e dy të rinjve me shenja biografike. Krahas këtyre heronjve, del edhe ndonjë personazh i kësaj novele dhe kështu ngjallohet albumi portretizues i jetës së tyre të thjeshtë në kushte të jetës mesjetare. Autori ka kujdes në prezentimin e çasteve intime në mënyrë sublime. Hidhërimet e bëfta, që zënë fill me shkeljen e dokeve, i japin shteg prozës së këtij autori të zgjerojë tematikën me botën e veçantë të këtij ambienti epik e tragjik. Rrethi unazor kompozicional i kësaj novele është vendosur në një ambient malor që autori e njeh mirë se si merr frymë; aty ku rrinë të mirat dhe të këqijat e atij plangu trashëgues që janë të mbërthyera buzë shkëmbinjve, humnerave dhe ulërimës së ujqve. Kështu, nisur nga kjo pikëpamje, novela “Rrungaja në mars” ka një nivel kompozicional në formë mozaiqesh, që shpreh karakteristikat patriarkale malësore. Një art i tillë, kur zhvillohet merr vulë origjinale, me një shtrirje me përmasa të hapësirës tradicionale, duke vënë në sprovë vlerat dhe jovlerat e kohës dhe të hapësirës. Nisur nga grafikoni i modelit të kësaj novele, shtresat e saj ndërtohen me kodin e ligjërimit, me shenja të veçanta dhe shkojnë drejt përqendrimit të përgjithshëm evolues. Novelat “Pishtarët e natës” dhe “Rungaja në mars”, si për nga tematika skeletore, hapësira, përmasa, forma estetike, janë të përqendruara brenda shenjave, thuajse të ngjashme, edhe nga kompleksi i materies, ashtu që problemet e ngritura në këto faqe proze fare lehtë mund të përfshihen në një opus të përafërt, meqë fabula e tyre shtrihet në një periudhë të njëjtë kohore - fundi i shekullit nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit njëzet. Pikat e përbashkëta të këtij shqiptimi nuk i përkasin vetëm problemit kohë-hapësirë, por kjo pikë shënuese ka edhe personazhe që kanë psikologji, karakter, botëkuptim, veprim, etj., që përballen me shumë dilema. Këto novela (pa harruar edhe “Gjon Gazullin“), janë përcaktueset më të mira të determinateve të njohura e të panjohura të lidhura me nyja të ndryshme të fatumit historik, që janë pasqyrë e trashëgimisë sonë shumëshekullore që zbarkoi deri në ato anale që nxjerrin në pah identitetin e një populli, të një kulture e një arti që trajtojnë prozat e këtij autori. Kur lexohet teksti i këtyre tri novelave, që s’janë më të gjata se dyqind faqe libri, lexuesi mrekullohet me artin sublim por, në anën tjetër, tragjikja rëndon, peshon sa shkëmbinjtë veriakë, që këto tekste i rrinë afër prozës me formë nacionale verbale, të afërt me mitet e legjendat tona burimore . Novelat e botuara të Martin Camajt nuk janë marrë gjithaq në shqyrtim. Ernest Koliqi ka shkruar një studim titulluar: “Arti i Marin Camaj-t”, ku mes tjerash shkruan: “Pâmjet e ndryshme të jetës së vendit të vet dalin nepër art të tij të vizatueme me drita e me hije dridhëse. Atij, edhe padeshtas, i shkon syni ke brumi njerzuer. N’ato vigâj te rrzuem, ai kerkon njerin. Lufta qi Malsori ndërmerr për me dalë nga gurzimi i nji gjendje shoqnore kurrkund në pajtim me kohën e sotshëme, ia thekë shpirtin. Ai s’do qi burri i Malsis të shikohet si specimen i nji rrace së lashtë, objekt kureshti për t’u vndue në nji muze. Nën leskrat xhixhlluese të një epiciteti anakronistik, syni vezhgues i tij kundron nji zemër të plasun rrudhat e shkaktueme nga uja, nga mundi keq i shpërblyem prej natyrës e njerzve e fatit, nga ndryshku i disa zakoneve dampruese, nga ngushtësija e vendit.”8 Proza e Martin Camajt bën pjesë në atë tip arti që gjatë leximit zgjon kërshërinë e receptimit. Ky mendim s’vlen veç për veprat që i zumë ngojë, por edhe për romanet “Djella”, (1958), “Rrathë”, (1978), pastaj novela “Shkundullima”, (1981) dhe romani modern “Karpa”, (1987), tematika e të cilave është brenda kornizave të njohura të segmenteve a dimensioneve nacionale, konkrete, por edhe të përmasave fantastike, që qëmton mentalitetin tradicional që në përmasa të tilla shtrihet dhe merr karakter të përgjithshëm. Megjitatë, në mesin e kritikëve që e kanë studiuar krijimtarinë e Martin Camajt, pa dyshim interpretim më serioz i ka bërë A. Berisha, i cili botoi një studim që e shtron në mënyrë të përgjithshme, ku mes tjerash shkruan: ”(…) veprat e tij në prozë kanë shumë tipare të përbashkëta, sidomos si struktura gjuhësore dhe mesazhe poetike, megjithatë, secila prej tyre paraqet një botë artistike e kuptimore të mëvetësishme dhe rrjedhimisht me këtë dhe mundësinë e ndikimit të veçantë estetik.”9 Përpjekje të tillë me shkrime kritike kanë bërë edhe: K. Petriti botoi një studim të gjatë për lirikën, Y. Çiraku disa motive karakteristike në poezinë. Studime të paharrueshme shkruan edhe E. Koliqi, A.Pipa etj., që si objekt shqyrtimi patën disa libra të veçantë të këtij autori, të cilët i botuan në periodikun letrar të Italisë e të Amerikës sa ishin gjallë. Kurse akademik S. Hamiti e prof. F. Dado, gjatë sprovave të tyre poetike, analitike e estetike e interprertojnë “Dranjën”. Romani ”Karpa” i Martin Camajt është më i arrirë në letrat tona, si në planin tematik, por edhe nga prania e shtresave artistike e estetike shtruar në këtë prozë të gjatë dhe shquhet si njëri ndër romanet më të mirë në korpusin e romaneve të letërsisë sonë bashkëkohore botuar në deceniet e fundit të shekullit njëzet. Romani në fjalë i përket metodës moderne të të shprehurit, e mbi të gjitha është ndërtuar sipas modelit të prozës artistike me kontura skeletore të përsosura të një vepre letrare. Poetika e saj ndërtohet duke u mbështetur në një tekst artistik që shtrihet kah ngrehina verbale e cila kalon nëpër faza të ndryshme të thurjes së tekstit artistik, ku me harmoni pasqyrohet tematika dhe arti i shqiptimit të romanit të ri. Camaj këtë roman e quan roman parabollë. Romani ”Karpa” s’ka temë të njëtrajtshme. (Kapitulli i parë dhe i fundit janë të lidhur mes vete. Lidhje të tillë kanë edhe dy kapitujt e mesëm.) Teksti i tij është i shtrirë në disa sekuenca të vogla që u hapin shtigje e motive të gërshetuara me fantastikë (tre-katër shekuj më vonë, pikërisht më 2338) dhe përmasës së rrëfimit retorspektivë (që është afër atij konkret). Teksti i këtij romani është ndërtuar në formën e skemës tabelare të traviatës në muzikë, i nisur nga një shteg orientues e i saktë se, ka nëntituj që secila njësi e tillë e fabulës paraqet motivet e lidhura nëpër dimensione e shtresa skeletore të romanit, ku në qendër vrojtimi vihet rruga sizifike e Vonit, këtij të riu që është viktimë e të tjerëve. Romani është një simfoni në vete i komponuar në formë metaforike, që nis me kronikën e një qyteze të shkruar me akribi për një kohë të së kaluarës dhe së ardhmes. Romani është një studim i hollë i gjenealogjisë konfliktuoze i vendosur në një mozaik të fabulës që mëton të ndriçojë pasqyrën e errët e të mjegullt të krimit në mendjen njerëzore. Sekuencat letrare të paraqitura në roman, si: intrigat, ndërskamcat, oreksi, përforcimi i karriges për pasuri dhe mbi të gjitha kriza e identitetit, etja për pushtet e famë që e detyroi oligarkinë të nisi lojën e përgjakshme të kamufluar si “revolucion i klikës sunduese”, që edhe shkaktojnë fatkeqësi të paparë e absurde brenda fisit me klasë të ndryshme. Fabula e këtij romani herë-herë del e ndërtuar me strukturë unazore, pa ikur nga elementi i fantastikës magjike, trashëguar nga përrallat e mitet tona. Kështu, në këtë rast del në skenë struktura paralele e dy fabulave që zhvillohen në kohë të ndryshme, por në të njëjtin vend e po me ato toponime që edhe ndërrohen nga çasti në çast. Fabula zhvillohet në një hapësirë të mbyllur që bazohet në funksionimin e shenjave intime, egoiste etj. Atëherë kur vihet në sprovë të romanit, fabula narrative zbeh intrigën e dashurisë e të krimit, që në roman janë inde kryesore të ekzistencës së fabulës, me një mori ngjarjesh të brendshme, që ndryshe cilësohen si motive të përshkrimit, të peizazhit të pashkelur në Karpë. Pastaj, këto motive degëzohen dhe paraqesin shumë episode në fabulë që lë përshtypje sikur ecën në një linjë me narratorin. Dhe kështu shfaqet modelimi i retradimit10 në prozë dhe mu për këtë romani duket sikur ndërtohet sipas “kërcimit të kalit”11 dhe në mëmyrë të pandërprerë arrin në cak. Autori zbulon paragjykimet, dhimbjet, fatëkeqësitë e një shoqërie, që janë tekste të shkruara me stile të ndryshme dhe kështu marrin funksion psikologjik. Teksti i tillë letrar del i fokusuar me elemente sociale, politike etj. Në këtë tematikë shfaqet edhe dimensioni i tejdukshëm artistik, si: alegoria, ironia, sarkazmi, që aludohet në një kohë të hershme (ngjarja në roman zhvillohet në vitin 2338) ku edhe bëhet lufta mes shmirjakëve dhe qytetarëve. Kështu, nga ky moment romani nis e merr një orientim a zhanër fantastik. Struktura e romanit u nënshtrohet rregullave të kërkimeve shkencore, ashtu si e kanë zbatuar M.Buklgakovin te romani: ”Mjeshtrit dhe Margarita”, dhe H.L Borhes në tregimet e tij brilante) që hulumtojnë në hapësirën tokësore e nëntokësore. Element tjetër i rëndësishëm i këtij romani është kronika a ditari i shkruar nga kronistë të ndryshëm, që shquhen nga stile a versione të dallueshme. Gjetjet e rralla ilire hyjnë në korpusin e gjërave me interes për historinë. Mes faqeve hetohet interesimi i mangët për gjenealogjinë tonë ku të futurit në labirinte s’është i rastësishëm. Krimbi përçarës ponon në tokë e mbi tokë, e keqja, gabimet, fatkeqësitë e ndryshme janë ushqim i urrejtjes e i kryengritjes. Tematika e romanit ”Karpa”, përfshin materialin tekstor që ndahet në dy kuadro e dy pjesë, brenda të cilave shfaqen edhe disa proza me tituj të ndryshëm. Romani në fjalë hyn në radhën e koncepteve të hapësirës e kohës, që studiuesit Shkreb – Stamaq, për këto nocione shkruajnë: “Konceptet e hapësirës dhe të kohës janë të barabartë (...) për ndërtimin e veprës letrare në prozë, kështu teoriku letrar rus Bahtin, propozoi nocionin kronotrop huazuar nga shkencat natyrore, që e zbatojë në teoritë e tij Ajnshtajni.”12Vëç kësaj në këto vepra karakteristikë është edhe kronotropi i ”qytezës së provincës”13 që lidhë me kronotopin e “prakut” për të vënë në veprim aksionin14 e romanit. Pikërisht poetika e këtij romani është e gatuar me tekst letrar që arrin hov a nismë për ndryshimin e imazhit të artit të letrave tona. Teksti i kësaj vepre ka vëllim të shtrirë në fantastikë e gjeografi; pozitë kjo jobindëse (por që mbetet në suaza fiktive), që paksa e zbeh fabulën e perspektivës, njësi e veçantë në situata të ndryshme. Bëhet modelimi i tragjedive që u ngjajnë atyre antike greke a shekspirjane. Ky tekst del si strukturim e me digresion rrëfyes të rikonstruktuar në formë postmoderne. Një pjesë e romanit mbështetet në tekstet e kronikës, shënime rasti, ngjarje të ndryshme. Romani lidh indet e segmentet e luhatshme, që fillojnë sipas lidhjeve personale, familjare, shoqërore, profesionale, doknore dhe kështu krijohet ngrehina e madhe e romanit ”Karpa”, që është roman i hapësirës, si tip i ri i romanit, që teorikët frëngë e kanë pagëzuar si roman i rrjedhshëm (roman fleuve). Romani sfidon historinë karpase duke ia hequr maskën asaj bote me shtresa të fshehta të strukturës që nisin nga një fabulë me model e strukturë unazore dhe kështu sendërton të rrëfyerit e romanit të logjikshëm. Shkrimi i tillë paraqet këmbëngultësinë e autorit. Paraqet emocione që marrin funksione ekspresive dhe kështu njohuritë e tij marrin ton gnosologjik, ku romani bëhet tërheqës për lexuesit. Në këtë tekst letrar janë të dukshme shenjat e zvetënimit, sociale, etike, morale, etj., që spikaten me alegori e rrëfim komentues. Arti sjell mendime të stërholluara, ku jepet ndriçimi i ndjenjave, por në disa raste fshihen ose i nënshtrohen një rrëfimi sqarues etj. Dy novelat e shkurtra ”Shkundullima” e ”Katundi me gjuhë të fshehtë” janë një cikël i veçantë i prozës së M. Camajt. Brenda këtyre faqeve jo të vëllimshme shfaqet tematika e strehuar në një pellg të harruar etnikumi me dallesa edhe më të veçanta. Ashtu si e kanë vlerësuar teorikët prozën artistike, veçmas te novela ”Termi rrjedh nga italishtja dhe nga Rilindja e saj, kurse ”Dekameroni” i Xh. Bokaçios është shemPROZA bull i novelistikës që më vonë me kënaqësi është imituar qysh në shek. XIX, ku edhe u interpretua shpesh si teoria e novelës.”15 Mirëpo shpeshherë është thëne se: “Novela është formë e shkurtër dhe e mbyllur e prozës e cila për arsye të përmbajes së shkurtësisë ka eksistencë më të qëndrueshme se romani.”16 Këto dy novela të Camajt, shikuar nga prizmi i tematikës, para lexuesit tonë sjellin një hapësirë e një kohë të panjohur, ashtu siç është në të vërtetë opusi dhe bota arbëreshe. Karakteret e këtij sfondi artistik janë dhënë me ngjyra të veçanta të një lokaliteti, në damarët e tyre ruhen indet e qelizave të një gjaku të lashtë; gjak princor skënderbejan e ilirjan. E veçanta e këtyre novelave është ndërtuar në formën e petkut të një pikture me kompozicion abstrakt. Llojllojshmëria e elementeve artistike të këtyre dy novelave është me reflektim nuancash të shtrira në tërë tekstin letrar, arti i ligjërimit derdhet me zhdërvjelltësi nëpër forma e shtresa narrative të këtyre novelave të shkruara me gjuhë të mprehtë, me gjuhën e fshehtë, forma këto stilistike që zbulojnë mençurinë e filozofinë e atij etnikumi karakteristik. Rrëfimi i këtyre teksteve letrare nis nga shpalosja e gjërave të rëndomta që i ka në dispozicion jeta. Dhe dalin me vija të shkathta si të piktorit, diskursi s’harron të bëjë bindshëm portretet e personazheve, pa e lënë anash peizazhin e ambientin ku zhvillohet fabula e tyre. Etnikumi specifik i këtyre novelave jeton thjesht, në katunde e lokalitete ku rrallë kush shkel. Ngrehina kompozicionale e këtyre novelave i nënshtrohet narracionit komentues, rrëfyes që kjo shtresë strukturore arti bëhet në veta të ndryshme rrëfimi që më mirë sheshohen sjelljet, mendimet, ndjenjat, ëndrrat, dëshirat, vuajtjet, paragjykimet, por edhe sqarohen gjëra të njohura e të panjohura të atyre njerëzve dhe të botës që i rrethonte. Arti i ligjërimit në novela bëhet në formën e retrospektivës. Kur rrëfimi i novelës bëhet në mënyrën e perspektivës, atëherë narracioni futet fshehtësive të jetës së personazheve dhe hapësirës që ata i rrethon. Forma e tillë narrative i lejon autorit të gjurmojë nëpër doke arbëreshe që ruhen me xhelozi. Brenda kësaj bote arkaike shfaqen edhe botëkuptimet e reja që duket se nuk e kanë të lehtë rrugëtimin nëpër shteg të izoluar, ku për të qenë absurdi më i madh, banorët e asaj treve u tremben fjalëve të veta, andaj heshtin mos t’ia bëjnë varrin vetes! Novelat ”Shkundullima” dhe ”Katundi...” kanë tematikë të gërshetuar me motive rurale e urbane si edhe një prani të konsiderueshme të tekstit letrar, tipike konservatore; raportet e ftohta njerëzore (dukuri tipike urbane europjane), dhe në anën tjetër rri kultura dhe etnografia etnike arbëreshe, autoktone, që pasqyrojnë botëkuptimet e mentalitetin e tyre. Arti i konsumuar në këto novela shfaqet i fshehtë. Por, një arsye tjetër edhe më e dhimbshme është se arbëreshët ndihen të lënë pas dore. Ata janë të përbuzur nga të afërmit në vend e në mërgatë. Por, pak më keq i kanë punët me pushtetin i cili qëllimisht dhe në mënyrë të heshtur ua kishte hapur “dyert” për të shkuar në mërgatë. Motive arbëreshe gjejmë edhe në romanin “Karpa”, në tekste dramatike, por edhe në disa vjersha të Martin Camajt. Mirëpo, novelat e ciklit arbëresh janë të shkurtëra si tekst a si shtof letrar, por më të kondenzuara në formën e artit letrar e estetik. Struktura e këtyre teksteve e kthen lexuesin në një botë të panjohur arbëreshe, në një labirint të panjohur malësor. Narracioni i këtyre veprave i mundëson autorit që me lehtësi t’u kthehet mënyrave të ndryshme të rrëfimit të ndërtimit të shtresave të kësaj proze. Fabula e tyre depërton në mbretërinë e jetës oborrtare që del përmes rrëfimit retrospektiv, por edhe të paraqitur me monolog e dialog të kursyer. Elementet e tilla artistike zbulojnë çaste madhështie a të dobësisë njerëzore. Katundi i ruan dhe i nxjerr në shesh vlerat, fshehtësitë e viseve që i përkasin një ambienti e një bote të proviencës patriakale, arkaike, me përmasa nacionale, por edhe shfaqet modeli i jetës bashkëkohore. Shpërnguljet e mëdha janë plagë të pashërueshme tëjhuajësimi. Harresa e rastit a e qëllimshme është prekëse. Vrasin paragjykimet. Frika tmerron. Pleqëria prek në shpirt. Varfëria është përditshmëri që i duhet dikujt për t’i realizuar eksperimentet e liga me banorët e pafajshëm! Titujt dhe teksti letrar i novelave ka simbolikën e vet. Kjo formë stukturimi orienton lexuesit në një ambient që paraqet atmosferë lemerie, jetë modeste, halle personale e shoqërore, marrëdhenie të qarta, krenari të trashëguar, burrëri etj., ku jetojnë banorët e varfër e të harruar, por që në asnjë moment s’ia shtrijnë dorën askujt, as nuk i përkulen. Ata kanë orbitën e vet në të cilën mund të jetojnë. Vuajnë dhe s’ankohen. Nuk u dëgjohet zëri. Kanë botë e jetën e vet modeste. Janë të kënaqur me atë jetë të thjeshtë që e gëzojnë. Pikërisht ky ambient ka ndikuar që ata të ruajnë etnikumin e vet nga të huajt. Shkundullimën, si fenomen natyror, në këtë tematikë e gjejmë të pranishme në fund të tekstit të novelës, me të njëjtin titull. Kur plas ajo, opinioni arbëresh e pranon me një habi të tepruar. Tërmeti (shkundullima) sipas disave u erdhi si pasojë e mëkateve të mëdha që kishin bërë, por edhe si ndëshkim, si nëmë, si pasojë e gabimeve, si përbuzje, si kërcënim që të jenë të kujdesshëm, etj. Pas shfaqjes së katastrofës natyrore, befasisht ndryshon mentaliteti i dikurshëm i arbëreshëve të mbyllur e të heshtur. Atij visi i kthehet gjallëria. Banorët e zymtë dalin nga gjendja e amullisë. Pas fatkeqësisë s’bëjnë jetë të mbyllur, kanë energji të paparë në shpirt, rindërtojnë katundin, janë më të dashur mes vete. Flakin mërinë. I lënë inatet e dikurshme. Fillojnë të flasin e t’ia qajnë hallet njëri-tjetrit, si kurrë më parë. Gjendja e vështirë i kthen arbëreshët të bëhen qytetarë të rëndomtë. Ndërkaq novela më karakterisike e ciklit arbëresh ”Katundi me gjuhë të fshehtë” është ndërtuar nga një sërë dromcash të shumta me sekuenca tekstore që kanë elemente të theksuara psikologjike e filozofike. Narratori në këtë prozë suksesshëm përpiqet të zbulojë rrënjët, gjenet, gjuhën, kulturën, traditën e valleve, përrallat, legjendat, mitet, historinë e një katundi, që për çudi jeton i izoluar. Ai ka konfigurcion gjeografik të ndryshëm nga të tjerët. Pikërisht për këtë arsye edhe u nënshtrohet eksperimenteve a ekspeditave shkencore, bestytnive, adeteve, paragjykimeve tendencioze, ku sillen në atë rreth banorët e tij. Novela ka motive me probleme sociale, prania e “miqve” të katundit, fshetësia gjuhësore e komunikimit, problemi i largimit të njerëzve, humbja e këngëve e valleve popullore, toponimet autoktone e çështje të tjera të rëndësishme për këtë etni. Thënë qartë, autori në këtë novelë pasqyron të qenmen e një qytetërimi të hershëm arbëresh që është buzë greminës, shkatërrimit e shurjes së përhershme. Tematikë karakteristike i kësaj novele është se banorët e atij visi gëzohen pa masë kur aty vjen një njeri “i huaj” me veshje e pamje, të panjohur që iu flet me gjuhën e tyre. Ky motiv trajton temën e etnikumit të harruar, të brejtur, të shkallmuar nga sindromi i shpërnguljeve të mëdha, nga katundi i tyre në Amerikë, Argjentinë, Europë etj. Ky fenomen tragjik shpie kah zhdukja e traditës autoktone arbëreshe. Andaj, ata ndjehen të lodhur, të sfilitur nga largimi jashtë katundit. Arbërshët kanë mbi shpinë presionin e vazhdueshëm të monotonisë, lodhjes, pasigurisë, pleqërisë, vdekjes. Andaj mu për këtë arsye, ata janë të prirur të fshehin edhe “frymën” e tyre, përkatësinë gati të sosur. Fshehin gjuhën. Jetojnë me punën e tyre që bëjnë në fushë, vreshta. I tremben shuarjes e vdekjes së ngadalshme. Kështu që të gjitha këto fshehtësi quhen mbijetesë. Ata janë disi të mbyllur dhe jo gjithkush i kupton e i çmon. Autori kur e botoi romanin “Djella”, provoi të ndërrojë formën e shkrimit, pa iu larguar kohës e hapësirës sonë, të njohur e të panjohur. Fabula e këtij teksti letrar zhvillohet në Ndërsanë (vend fusharak) brenda një rrethi të mbyllur që autori e vë në pah dukuritë e paradokset e ndryshme të një shoqërie që s’pajtohen me realitetin e hidhur, ku autori në mënyrë alegorike e thumbon klikën moniste. Romani ndërtohet nga një varg dilemash emocionale, abstrakte, shpërthim e ndrydhje ndjenash, fshehje dëshirash, heshtje e arsyeshme, frikë, presion i vazhdueshëm, ndjekje, keqtrajtim, përbuzje, amulli, ikje nga realiteti, hutim, etj. Problem në vete është fatumi i njeriut të thjeshtë i mbetur pa krahë dhe në mëshirën e askujt. Narracioni i romanit evoluon nga rrëfimi i frikshëm nga vlimi i ndjenave të shkallmuara, të nëpërkëmbura, të sfilitura, të pordhosura, të rraskapitura që bën mendja penduese e herë-herë racionale e një heroi, në veten e parë njëjës, me shtresa të mendueshme monologu e dialog të dialogizuar, por edhe ka rrëfim retrospektiv. Motive me inters që vërshojnë në roman janë: intrigat e dashurisë, problemi i cubave, aktet kriminale të dyshimta, urrejtja klasore, krahinore ose kundërthëniet mes vendëseve e ardhësve të dyndur në fushë a Ndërsanë, që shkonin në llogari të pushtetmbajtësve për t’i përçarë e futur në kthetrat e veta. Parë në kontekstin teorik e estetik, arti i shkrimit të romanit është provokues. Uniteti i narracionit në këtë roman u nënshtrohet ligjeve të ligjërimit specifik, që rëndom brenda kapitujve të këtij romani nisin me tekst a strukturë rrëfyese dhe në fund përmbyllen me vargje lirike. Paradokset e ambientit dalin në formë dromcash kuptimplote pas të cilave fshihen dëshirat, qëllimet, ëndrrat, vuajtjet, gëzimet etj., të një bote kompleksive thurur në një hapësire karakteristike, siç ishte Ndërsana, aty ku ndodhin ngjarje befasuese e tragjike që lënë pa ment njerëzit e rëndomtë që nuk e kanë të qartë se pse bëhen të gjitha ato eksperimente, provokime e sprovokime të pakuptueshme, por pas të gjitha këtyre ekzistonte një regji e një strategji disi ashpër e kontrolluar. Tematikë të ngjashme hasim edhe në romanin “Rrathë”, që ka shumë elemente arti; skalitjen e personazheve, fenomenet, paradokset, motivet, idetë. Rrëfimi zhvillohet ndryshe, por edhe ka ngjashmëri tematike me “Djellën”. Është e vërtetë se romani “Rrathë” i Martin Camajt s’është aq i interpretuar në shkencën e letërsisë sonë. Thënë troq, romani ka shtigje të reja e tradicionale të nivelit të kompozicionit. Bota e brendshme e këtij romani ka tension tendosës, ngjallje energjish, botëkuptime të ndyshme të një kohe të pakohë, kur nis zhvillimi i proPROZA ceseve të një shoqërie që ecën nëpër qelq e absurde të pakuptimta, kur edhe një fjalë e pamatur kushton shtrenjtë. Romani trajton problemet e një periudhe të rëndë e të paqartë. Çështjet e tilla duket se janë strukturë e një pellgu me paperspektivë arti, por ato s’duhen nënçmuar. Përkundrazi. Pikërisht në këtë moçal me sekuenca narrative zbardhin të metat çmendurake të një shoqërie shfernuese që donte të shtypte çdo zë kundërshtues. Në këtë “mal” me njerëz të persekutuar, ndjekjet institucionalizohen, hapen plagët e pashërueshme që çojnë drejt shkatërrimit të menjëhershëm. Tendosja si moment psikologjik del e fshehtë si fenomen mashtrues, banorëve t’iu shitet tru gomerësh. Ka atmosferë tragjike që është pasqyrë e një lebetie e një katastrofe mesjetare. Në këtë gjendje të rënduar s’mbetet kush pa u përfshirë në statistikën e dhunës. Makineria e sistemit në krizë orë e çast shpik armiq, për të mbetur gjallë. Veprimet e tilla synim të vetëm kishin të shuajnë fshehtas zërat kundërshtues. Kështu, në këtë roman vrasësit vishen me rroba pushteti. Në ekspeditën ndëshkuese disa njësite të fshehta bëjnë “pastrimin” e malit nga Ilegali. Kryejnë krime çnjerëzore dhe shfarosin fizikisht e psikikisht kundërshtarët e sistemit. Ky kalvar i inskenuar tipik ikuzicional s’harron as s’fal dikë as banorët e asaj ane që mendojnë ndryshe. Kishte asish që në mal t’i shfarosë ujqit që bëjnë kërdi në bagëtitë e tyre, mirëpo ndëshkohen me dënim kapital: vrasje në pusi! Megjithëse ky motiv në roman del në kontekst të figurshëm e të fshehtë! Romani “Rrathë” ka një fabulë që pasqyron disa motive sociologjike, psikologjike, etnike, fantastike, antropologjike etj. Parë në prizmin e këtyre konturave motivore, arti i romanit merr prirjet e të shprehurit modern që, falë vërshimit të sekuencave mitike e legjendave të futuYrjet ra brenda këtij aliteracioni merr pamjen dhe formën e ngrehinës romanësore që është fryt i momenteve paradoksale. Vepra ka tematik absurde të përzier me art realfantastikë. Kontura hapësinore e romanit “Rrathë” është e vendosur kryesisht në Ripë (a Tri Ripa) dhe rrethinën e saj të pas Luftës së Dytë Botërore që autori i përqendruar në këtë hapësirë, kohë eksperimenton me elementet e mundshme të artit dhe problemet historike, shoqërore e plotësojnë lajmotivin artistik që estetët këtë material artistik e cilësojnë roman. Dhe së dyti, këtë çështje biologët e quajnë jetë a ekzistencë. Vërshimi i këtyre nocioneve, biologjike, psikologjike, fizike e shpirtërore, mbetet i shënuar dhe i shkapërderdhur nëpër shumë kategori fiziologjike, estetike, filozofike etj., që mbi të gjitha s’mbetet i pa veçuar e i sforcuar me segemente e kategori semantike të përhapur nëpër nyjat narrative të këtij romani me tematikë antidiktaturë. Në qënder të vëmendjes është kompleksi problemor i viseve të Ripës; nis loja e eksperimenteve që bën pushteti me malësorë. Në këtë vorbull ngjarjesh rrahen dhe trajtohen disa motive kryesore të romanit, doket, kundërshtimi i sistemit, dashuria e ndaluar, zbulimi i kundërshatarit (Cubi), keqtrajtimi i intelektualit Bac, instrumetalizimi i njeriut të thjeshtë si Agoni, etj. Kështu, brenda kësaj hapësire konfliktuoze zbardhen, probleme komplekse, duke pasur si parim metodën hulumtuese a dekoduese të labirinteve. Trajtim të posaçëm në art zë tematika që u kushtohet çështjeve të letërsisë, kulturës, dokeve, arkitekturës, etonogafisë, folklorit, dramës, lojës etj, që këto çështje zgjidhën përmes elementeve letrare, personazheve, narracionit, shtresave estetike, përmes të cilave autori hedh dritë mbi gjendjen tronditëse, të jashtëzakonshme që “mbiu” në Ripë, me ndërhyrjen e sistemit totalitar që ekperimentonte njeriun! Romani “Rrathë” është stisur përmes sekuencave të vazhdueshme të personazheve. Këta fatkëqinj i nënshtrohen trajtimit tipik orvelian. Ata në mënyra të vazhdueshme kontrollohen, përgjohen, ndiqen, persekutohen, provokohen, instrumentalizohen. Romani në veçanti shquhet me tematikën e jashtëzakonshme. Vepra është shkruar sipas rregullave klasike të shkrimit letar. Fabula ka strukturën e një romani, narracioni i tij është i gërshetuar me tematikë të ndryshme e të pëlqyshme. Arti e tema e këtij romani është me bazë, brumë, me poetikë të veçantë, me shumë intriga, ngjarje, motive, ide, personazhe e disa përmasa modeluese të trasuara qysh nga poetika e romanit të parë “Djella”. Elementet artistike kanë harmoni të dukshme e funksionale. Poetika e romanit sendërtohet përmes rrëfimit perspektiv e retrospektiv, që rëndom bëhet në veten e tretë e të parë. Romani ka polifoni tekstore me peripeci të gjallë, që tërë receptimin e shtron nga një semiotikë e rrallë. Ajo që dominon dukshëm në këtë roman është ironia verbale që i jep forcë shqiptimit të alegorisë, por diskursi rëndësi të posaçme i kushton parodisë (karikaturës) së karaktereve, që dalin në një nivel kompozicional, që s’haset shpesh në letërsinë tonë bashkëkohore. Kjo vepër është roman i personazhit, me karakteristika të romanit realist eurpoian. Edhe në qarqe heterogjene, romani s’ka mbetur pa jehonë. Ai çmohet se është me poetikë e art paraardhës, si dhe formë e ndryshme të romanit modern perëndimor. Fabula e këtij teksti futet në qelizat e personazheve, që autori i pasqyron natyrshëm, herë-herë zbaton monologun e karaktereve. Në këtë formë të artit modern zbërthehen hallet njerëzore, dilemat, problemet fisnore e shoqërore, konfliktet e ndryshme. Autori vizaton edhe episode në disa kapituj të romanit, që ai e di se nga duhet t’i drejtojë shtresat narrative e tematike të thurjes e shthurjes së konflikeve, skenave, fubulës etj., që nisin nga një material i thjeshtë, e që në fund marrin formë të stisur artistike. Diskursi rëndësi të posaçme i kushtoi ambientit epik, me komponente tipike malësore, dokenore, fisnore. Kujdesshëm i vizaton personazhet karakteristike me kolorit e në pamje, në veprime, jetën e rëndë të njerëzve të rëndomtë, por edhe botën e kreshnikëve e të zanave. Teksti i romanit ka gjuhë të veçantë, ku shpërpushen shumë çështje komplekse për visin, që lexuesit i krijon përshtypje se është prapa diellit, prapa shpinës, në mëshirën e maleve, të pa Zot. Në mesin e shumë çështjeve thelbësore autori i ngërthen raportet e acaruara të banorëve që përballen me vringëllimën e dhunën e pushkës vrastare të yshtur e të paguar nga dora kriminale, udhëhequr nga “pushteti”! Kjo tragjedi ushqehej nga forcat negative të sistemit që e paguanin, frymëzonin dhe zbatonin në male e katund në mënyrë misterioze, duke shrytëzuar doket e lashta a ligjet egra. Forcojnë sundimin, vënë në shërbim aleatë që kryejnë dhunë; pas shpinës i vrasin kundërshtarët “e sistemit”. Krimet bëhen ashtu siç nuk e lejojnë doket. I vrasin pa i gjykuar, pa pasur fakte, ashtu siç e ndalojnë ligjet qytetëruese! Pra, ka ligje të xhunglës e të diktaturave që rrojnë falë krimeve! Vepra në fjalë hap dimensione të shumta të lidhura ngushtë me artin dhe jetën e artistit popullor, pa harruar jetën intime të bujqve, të blegëtorëve, zvetënimin moral, epokën e fundit të cubave, pakënaqësitë e malësorëve etj., që dinë e nuhasin se: pushtetmbajtësit kanë kthetra të helmueshme, kanë dredhi, shkelin parimet sublime të dokeve të trashëguara. Tematika e këtij romani ka poetikë të ndërtuar përmes sekuencave letrare provokuese, ka shtresa të nduarduarshme estetike e artistike, me shqiptim modern. Hetohet poetika e romanit me përmasa fantastike që rrënjët i ka në traditën e pasur të letërsisë e etnisë sonë e të letërsisë popullore. Vepra është ndërtuar me elemente artistike si: alegoria, ironia, të shprehurit me rrotlla, fjalë me kode dëshifruese, mendime që duhen peshuar mirë. Romani si ngrehinë artistike vë në spikamë kornizat dinamike që veprojnë në një hapësirë të shlirë strukturore të tekstit letrar, që nis nga shkalla zero e rrëfimit dhe pasqyron ngjarjet në mënyrë kronologjike që i tejkalon ato, si formë edhe si materiale. Në këto raste autori rëndësi i kushton afektit përbuzës, disidencës në art, kokëfortësisë së Cubit, ruajtjes së dokeve, injorimit të pushtetit fushor, mbijetesës, pathyeshmërisë, etj. Linjë tjetër në këtë roman është pasqyrimi me ëndje i figurës së Bacit me natyrë origjinale të një intelektuali që nuk i përkulet oligarkisë sunduese. Materiali kompozicional i romanit vë në lëvizje ide të reja, krejt të pashqiptuara në poetikën e mëparshme romanësore shqiptare. Të qasurit e tillë estetik e artistik dëshmon se Martin Camaj edhe me këtë vepër provoi të bëjë eksperimente në art, pikërisht duke vënë në veprim mjete artistike e duke i përshtatur me fenomene, dukuri, paradokse, ndodhi të karakterit etnik, social, psikologjik, filozofik, etj., pa lënë anash edhe problemet negative siç janë: paranoja, infatelizmi, gjaknxehtësia, mosdurimi, urrejtja, etj. Të gjitha këto janë materiale pikënisëse të shtresave që vërshojnë tekstin letrar në këtë vepër. Sprovë e rëndësishme për ndërtimin e këtij romani është orientimi i autorit që tekstin e strukturuar ta thurë me vulën e posaçme, që në shumë motive të romanit përdor reflekset e shqisat që dëshmojnë përvojën dhe hulumtimin artistik i vë në spikamë sprovat që kanë diagonale zbërthyes e analitike. Qyteti camjan del mjaft kompleksiv. Ai pasqyron mbretërinë e ankthit, frikën, persekutimet dhe të papriturat e tij. Ndërkaq, ambienti i katundit, ose malësia, është indi kryesor i poetikës romanësore të tij. Ai është vendi ku gjallojnë kreshnikët, cubat, opozitarët, kundërshtarët, artistët, që pikërisht përmes tyre edhe lëvrijnë motivet e ndryshme në roman, që shenjëzojnë dukuri, fenomene, pakënaqësi të shumta që lëvizin në damarët e tyre të përndezur. Të gjetur në këtë katrahurë të rrezikimit të jetës, ata e injorojnë, e bojkotojnë, por edhe i kapin armët kundër shtresës në pushtet. Personazhet e romanit ”Rrathë”, kanë tipare e veti sa të reja, po aq të vjetra danteske që, për habi, u rri petku i statizmi karizmatik i kreshnikëve, i dragonjve, cubave, orëve, perrive, i të lumeve, i shtriganëve, etj. Këto karakteristika hetohen fillimisht në të vërshuarit e tematikës së gjerë të romanit dhe në këtë mënyrë theks i posaçëm i kushtohet të folurit autokton, të ecurit të veçantë, pamjes fisnike, karakterit. Kështu, çështjet e trajtuara në këtë tekst letrar rrjedhin në mënyrë të magjishme, por edhe me nëmë e të mallkuara. Ky roman, parë nga forma teorike bën pjesë në kronotipin e prakut. Ka fakturë me shenjëzim të shtresave të veçanta të romanit, me elemente të gërshetuara me motive të ndryshme, por më i dallueshëm është konstituimi i personazheve, ideja e çiltër, vendosmëria, mbyllja në vetvete etj. Mbyllja e këtij romani lexuesit do t’i kujtojë fundin e veprës së parë të artit botëror të njohur si epi i “Gilgameshit”, që dihet se heroi me të njëjtin emër si edhe titulli, nuk e arrin pavdekësinë, por mbetet i pavdekshëm. Romani “Rrathë” bën pjesë në mesin e veprave nihiliste; rreth këtij problemi shkruan teoriku V. But: “(...) shumë vepra të ashtuquajtura nihiliste janë vepra aktive të protestës, por edhe të afirmimit, edhe pse mund të kenë mënyra të paformë në të shkruarit, Ato, nëse duhet, mund të kyçin rrëfyesin ose reflektorin që së paku për një farë mase janë të vetëdijshëm.”17 Kështu edhe Camaj krijon një vepër të tillë që më shpesh duket se zgjedh gjuhën e heshtjes mjaft aktive. Vepra ka një fjalësi që thuhet me figura therëse, ato çmohen dhe mbesin prova monumentale me elemenete të artit. Fjala a gjuha si mjet marrëveshës shfaqet e mençur e si filozofi e jetës, për t’i rezistuar të keqes. Ka mendime të veçanta e të përgjithshme që janë të lidhura me doke, rapsodi, burrëri, mite, legjenda që përfshihen në jetën karakteristike të shoqërisë së materarkatit, por edhe të patriarkatit, që për fat të keq mbështeten në ushtrimin e dhunës. Shtresa motivore të romanit nxjerrin në shesh fakturën reale të tematikës së romanit përmes të cilit edhe reflektohet natyrshëm faktura fiktive a trilluese artistike, pa u ikur shkencave shoqërore që fërkohen e bashkëjetojnë me të, por edhe gërshetohen mes vete dhe nga pësimet e dikurshme dalin mësime të nevojshme për jetën. Kështu, tematikat e sekuencat e këtij romani marrin formën e prozës aventuristike. Veç kësaj çështjeje problemore, në këtë roman syzheu i tyre shqiptohet mes dashurisë së të rinjve të preokupuar, aty ku dilemat e dashurisë variojnë mes ëndrrës e zhgëndrrës, mes së mundshmes dhe së pamundshmes. Në segmentin e nivelit kompozicional hyjnë edhe personazhet e tjera që kanë dallesat e veçanta të jetës së tyre; sa të fshehtë, po aq të hapur, ata, jepen qartë dhe të dashur a të urrejtur që vetëm kështu zbulohet natyra e tyre, mosha, gjinia, profesioni, ambienti, disponimi dhe nga shumë faktorë të tjerë që janë të lidhur me fijet e përafërta të së qenmes së këtij fizikumi, këtyre heronjve, ngjarjeve, motiveve, elementeve artistike etj., që i japin shpirt romanit duke ilustruar e gjallëruar sekuencat e poetikës së prozës artistike. Martin Camaj tërë këtë roman me përmasa nacionale a roman të hapësirës (siç e quan M. Bahtin) e shkruan duke u mbështetur mbase në fatin e vet, kur ai u arratis. Këtë problem më mirë e shpjegon teoriku bashkëkohor amerikan V. But, kur në librin e tij mes tjerash shkruan: ” (...) e përbashkëta e themeluesve të romanit modern është se ai (romani shën. ynë) ka gjendjen, frymën ose shpirtin e shkrimtarit.”18 Shkrimtari Martin Camaj, ka shkruar edhe një prozë poetike titulluar “Dranja”, 1981. Lidhur me termin prozë poetike “Fjalori i termave letrare” shkruan: ”Proza poetike është term i kushtëzuar me përmbajtje të shkurtër ose me formë kaluese artistike në mes të vargut të lirë e vargut josimetrik në prozë. Proza poetike e shtypur (shkruar) në formë proze përmban elemente lirike: ka ritëm të kujdesshëm e të alternuar, me asonancë, rimë, figura popullore që përsëriten. Si zhanër i veçantë, proza poetike paraqitet atëherë kur autori A. Bertrand, më 1836 botoi veprën: ”Nata e Gasperit” (Gaspard de la nuit). Edhe Bodëleri nën ndikimin e kësaj vepre e shkroi: ”Poezi të shkurtëra në prozë” (Petits Poems en prose), më 1862.” Prozës poetike autori ia shton edhe nëntitullin madrigale, e që edhe për këtë term në “Fjalor ...”, shkruan: ”Është formë e lirikës popullore me origjinë nga Italia rurale. Sipas një shpjegimi, fjala madrigale rrjedh nga fjala - mandra (kope) madriale që shpjegohet se këto krijime kanë origjinë rustikale. Është edhe një mendim tjetër se fjala madrigale rrjedh nga fjala: amatricius matrikale, që shpjegohet se ka domethënien e një poezie të dashurisë. Madrigali ka përmbajtje pastorale të dashurisë që shoqërohej me muzikë. Sipas formës e intonacionit dallohet në Renesancën e shkujve XIV-XV.”20 Proza poetike e këtij autori jep letërnjoftimin e saj shumë shkurt: “mbi fatin e një frymori të papërsosun”, për Dranjën a breshkën, rrashta e së cilës i ngjan gjarpërit dredha - dredha. Këtë vepër autori e ndërton me artin e të rrëfyerit, që ia arrin të krijojë copëza proze duke pasur si frymëzim e ilustrim breshkën, që pasqyron ngjyrën e saj fort të pëlqyeshme, veset e saj të ngathëta, hapi i saj i lagështë, durimi e mençuria e saj, qëndrueshmëria e vetia e pathyeshmëria e saj. Në këto tekste të shkurtra letrare e me formë medituese autori ndërton dhe strukturon një tregim sa real aq fantastik, ashtu si i ka krijuar edhe Borhesi. Proza poetike ka ngjashmëri, stili e fryma është version tipik i shkrimit europjan, version klasik. Struktura e prozës poetike “Dranja” është një sprovë e autorit, i cili duke ushtruar stilin e të shkruarit në gjini të ndryshme, bëri eksperiment në laboratorin e tij krijues dhe krijoi edhe këto copëza tregimesh në formë fragmentare e me mozaiqe arti meditues dhe në këtë mënyrë ndërtoi bazën e kësaj vepre që vuri në spikamë botën e fshehtë dhe të dukshme të gjallesës zoologjike që shumë pak i ngjan breshkës, fati i së cilës identifikohet me fatumin e njeriut tonë nëpër histori. Në këtë tekst letrar ka narracion, përshkrim, dialog, edhe monolog ekspresiv. Brenda tij autori zbërthen fshetësitë e mitologjisë sonë të lashtë. Shpalos jo pa dhimbje çështjet e së kaluarës sonë, gjuhës sonë dhe dredhitë e fqinjve janë të dukshme në tekst. Vepra letrare s’mbetet vetëm brenda kornizave të botës së rëndomtë, por merr përmasa të gjera që lë anash botën monotone të një gjallese që s’është gjallesë, por është më tepër se ajo. Autori përmes këtij rrëfimi alegorik, ironik, sarkastik, protestues etj., paraqet tërë armën e fuqishme në sekuencat e kësaj vepre. Dranja i ikën zezonës. Breshka di të kamuflohet në natyrë. Në shumë tekste të prozës poetike “Dranja” paraqitet me tipare e syzhe të karakterit të personazhit që me mjeshtëri shkruan për të. Vepra është shkruar me një vërshimë të qëllueshme me figura, metafora, alegori, ironi, sarkazëm, protestë surealiste etj., dhe si e tillë konstatojmë se një vepër e tillë me formë klasike dhe semiotikë moderne i ka munguar letërsisë sonë. Andaj, si e tillë, ajo është një gjerdan i rrallë i letrave tona bashkëkohore. Së fundi, tematika e prozave të Martin Camajt ka veçantinë e ripërtëritshme në nivelin fabulativ, të ngjeshura me semanatikë që kanë shumë motive, ide, mjete artistike; dialog, monolog, peizazh, peripeci, etj. Këtë natyrë e formë e hasim edhe në shumë vëllime me poezi e në drama që kanë motive të ngjashme. Në këtë rast veçojmë dramën “Loja e mbasdrekës”, (1981), tematika e së cilës nuk ikën larg motiveve të novelave e romaneve të shkrimtarit.