Kur Ibrahimi mbushi 50 vjeç në fshat ra kolera. Në qershor, disa ushtarë turq që vinin nga larg për të shkuar në Janinë, ndaluan disa orë për t’u çlodhur. Ata u lanë dhe pinë ujë, duke futur gojët e etura në çezmat prej guri që kishte ngritur Arianit Komneni, në mes të fshatit. Njëri prej tyre e kishte sjellë
sëmundjen nga shkretëtira dhe pa e ditur ia kaloi çezmës së Arianitit. Një djali të vogël, që lagu buzët atje, iu fry barku si kacek dhe ethet e padurueshme ia shkatërruan sytë dhe veshët derisa vdiq. Tek e njëjta çezmë ishte freskuar edhe Vasili, i cili duke bërtitur nga dhimbjet i kërkoi Hanës që ta mbështillte me batanije dhe ta digjte të gjallë, për të mbytur mikrobin. Por Hana nuk pranoi dhe Vasili doli në oborr dhe u ngul mbi një sfurk. Pas tij dha shpirt mbesa e vogël e Mihalit dhe e Zoicës, e cila nuk vuajti gjatë, por vdiq në gjumë e mbuluar me të vjellat e veta. Pas saj u shuan me radhë kuanta e vëllait të Mihalit dhe vetë Zoica. Ashtu si Mihali përpara njëmbëdhjetë vjetësh, kolera kapërceu gardhin që ndante dy oborret dhe hyri në shtëpinë e Ibrahimit. Ibrahimi luftoi për shumë ditë duke përdorur gjithë dijen që kishte mësuar nga sëmundjet e kafshëve të tij dhe për pak kohë e zbuti kolerën. Por një natë, pabesisht, kolera u zgjua më e uritur se në fillim dhe, para se të linte shtëpinë e Ibrahimit, mori me vete Ademin trevjeçar dhe Anën. Ibrahimi bashkë me djemtë formuan një vig me drurë, e veshën gruan me rroba të bardha dhe i bënë një shëtitje nëpër fshatin e sëmurë, përpara se ta varrosnin në varrezat e të krishterëve. Pastaj morën Ademin e vogël, që nuk kishte nevojë për vig, dhe e varrosën në një vend tjetër jashtë fshatit, aty ku, që nga koh e Arianitit, ishte caktuar varreza e myslimanëve. Ademi shkoi i pari në atë varrezë siç kishte ardhur i pari në jetë Adami, që i kishte dhënë emrin. Pas tij vdiq Ismail Komneni që kur e kuptoi se nuk kishte shpëtim shkoi tek e bija Hana dhe pa i dhënë dorën nga frika e kolerës, tha se ia linte asaj gjithë tokat trashëgim. Hana e ndoqi nga pas të atin dhe pa sesi ai shkoi në pyll dhe aty ku ishte bashkuar me gruan e tij, duke u dridhur nga të ftohtët, hapi një gropë të cekët dhe u fut brenda. Hana nuk duroi dot dhe nxitoi ta mbulonte. Për tre muaj fshati i ngjau një spitali lufte. Dyert e shtëpive rrinin hapur, rrugët mbetën të papastruara, të sëmurët dergjeshin nëpër oborre, varrezat ishin mbushur me gropa bosh që njerëzit i bënin gati për vete dhe të afërmit, çezmat e rrugëve u mbyllën, ndërsa uji i pakët nuk përdorej pa u zier në zjarr. Qentë, macet dhe minjtë e ngordhur shtriheshin të lirë në diell për të ushqyer mizat e pangopura. Turqit e mbyllën fshatin në karantinë, si në një çark dhe askush nuk hyri dhe nuk doli edhe tre muaj pas kolerës. Kur filluan të mbarojnë ushqimet, të afërm dhe krushq të fshatrave fqinjë i linin ato në një vend të caktuar gjysmë ore larg në këmbë ku, pasi ata iknin, shkonte i merrte Petro, djali i Ibrahimit dhe Aleksi, djali i Mihalit. Ushqimet ndaheshin me racion nga Mihali, që duke qenë më i moshuari në fshat, mori rolin e kryetarit të pleqësisë pas vdekjes së Ismail Komnenit, ndërsa ilaçet jepeshin vetëm me urdhër të Ibrahimit që ishte bërë doktori i fshatit. Karantinën e çau vetëm Thanasi, i cili nuk ishte parë në fshat që kur kishte ikur me Ali Tepelenën. Ai bëri kryqin mbi varrin e së ëmës, por nuk shkoi te varrezat myslimane dhe tha që më mirë që nuk e kishte njohur Ademin, se do qante. Thanasi organizoi një grup djemsh me Petron, Aleksin dhe disa të tjerë dhe iu vu punës për të pastruar fshatin. Larguan kufomat e qenve dhe maceve nga rrugët, vunë regjim për përdorimin e çezmave dhe hapën disa gropa të mëdha në të cilat groposën me dhjetëra kokë bagëti të ngordhura. Thanasi e rregulloi vetë kambanën e kishës që dukej sikur ishte ndryshkur nga kolera dhe filloi ta tundte pas çdo vdekjeje. Ibrahimi i rrinte te koka të sëmurëve duke u bërë lavazh me çaj mali dhe raki. Pas dy muajsh, kolera ishte dobësuar, por nuk ishte zhdukur. Nuk kishte asnjë familje pa një apo dy të vdekur dhe ata që mbetën gjallë ishin aq sa burrat dhe gratë që themeluan fshatin dyqind vjet më parë, me në krye stërgjyshin e Arianit Komnenit. Ibrahimi i tha Thanasit se nëse vazhdonte kështu, fshati do të shuhej ngadalë për disa muaj. Nuk e besoj, i tha i biri, ky është një mallkim i shkurtër, por po të ishte Arianiti gjallë do të na e thoshte si mbaron kjo histori. Të nesërmen që pa gdhirë, Thanasi shkoi të takonte Sarën dhe i tha të kërkonte nëpër librat e të atit se çfarë shkruhej për kolerën. I kam parë, tha Sara dhe i tregoi me dhjetëra raste kolerash që kishin shfarosur myslimanë dhe të krishterë në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Mesdheut. Kolera është si era, tha Sara. Të kap në gjumë, e shton vrullin për të mbyllur nga frika në shtëpi, spastron çdo gjë që gjen në rrugë, pastaj futet tinëz nëpër oxhaqe, shuan zjarrin dhe ikën. Duhet të presim edhe pak, sa të ndizen oxhaqet, tha ajo. Edhe sa njerëz do vdesin, e pyeti Thanasi i zhgënjyer nga mënyra poetike me të cilën vajza përshkroi tekat e sëmundjes. Nuk e di, tha Sara, babai e mori me vete librin e vdekjeve. Pas disa ditësh, qielli u nxi dhe një dëborë e zezë e mbuloi një pëllëmbë fshatin. Por ishte fundi i shtatorit dhe dëbora e parakohshme nuk mbajti gjatë. Kur rrugët u hapën, Ibrahimi i kontrolloi një për një të gjitha shtëpitë që i kishin ndezur oxhaqet për t’u ngrohur, por askund nuk pa shenjë kolere. Të sëmurëve u ishin skuqur faqet e zbehta dhe barqet me lëngje u ishin shfryrë. U kthye në shtëpi i gëzuar dhe pranë arrës së vogël pa Thanasin dhe Sarën që bisedonin në këmbë. Më duket se shpëtuam, tha dhe u fut brenda. Sara ishte rritur dhe gërsheti i zi i dukej më i vogël. Thanasi po i tregonte sesi kishte jetuar mbi kalë, për dhjetë vjet duke ndjekur Ali Tepelenën, i cili e kishte zgjeruar pushtetin e tij në të gjitha fshatrat rreth Janinës. Po ti ç’ke bërë gjithë këto vite, e pyeti ai. Kam lexuar, tha vajza, por kur erdhi kolera librat më mbaruan. Po çfarë pret atëherë? Pse nuk martohesh, i tha Thanasi duke i prekur gërshetin. Mund të martohesha me ty, por ti ke qejf burrat më shumë se gratë, u përgjigj Sara duke qeshur. Martohu me babanë tim. Ai është njeri i mirë dhe është akoma i ri, tha Thanasi pa u skuqur. Kjo nuk mjafton. Ai është mysliman, tha Sara dhe u largua duke tërhequr gërshetin, në një syth të të cilit kishte ngecur një gjethe e vockël arre. Thanasi e kishte dashur shumë të ëmën, por kur pa se familja e tij ishte shtuar me tre djem, nga të cilët dy ishin shumë të vegjël, mendoi se i ti do ta kishte të pamundur t’i rriste ata, pa ndihmën e një gruaje. Thanasi vendosi të mos largohej nga fshati pa i gjetur një grua Ibrahimit. Shkoi të bisedonte me të dhe i foli për Sarën. Me vajzën e Arianit Komnenit, pyeti Ibrahimi i çuditur. Arianit Komneni ishte një burrë kokëfortë dhe i padurueshëm që nuk pyeste për njeri. sa ishte gjallë, bëri çfarë deshi dhe i trajtoi më mirë kalldrëmet se njerëzit. Kishte dëshirë të ndërtonte dhe ngriti çezma, hapi rrugë, thelloi kanale dhe ndërtoi kishën. Po të ishte grua, do kishte qenë një amvisë e shkëlqyer. Nuk e di si mund të jetë një Komnene femër. Ta mendoj, tha Ibrahimi. Thanasi e ndjeu se babai mund të pranonte dhe vendosi të takonte prapë Sarën. Për një muaj rresht vajza kundërshtoi. Thanasi u përpoq ta bindte përmes Hanës, të cilën e kishte pasur gruan e xhaxhait, por ajo i tha se Arianiti i kishte lënë porosi që vajza do martohej vetëm po t’i mbushej mendja. Thanasi nuk hoqi dorë dhe shkonte përditë në shtëpinë e tyre. Një ditë, Sara i tha se mund të pranonte të martohej me Ibrahimin, por vetëm me një kusht. Fol, i tha Thanasi duke e parë me dyshim. Pasi vdiq vëllai im Ismaili, që ishte babai i Hanës, nuk kanë mbetur më Komnenë meshkuj në fshat. Unë jam Komnenia e fundit, por, po të martohem, duhet të mbaj mbiemrin e burrit dhe Komnenët do zhduken. Do pranoj të martohem me babanë tënd vetëm në qoftë se ai pranon që fëmijët e mi të mbajnë mbiemrin tim. Nuk dua të jem Komnenia e fundit, tha Sara. Ky ishte një kusht që Thanasi nuk e kishte pritur. Nuk e di, tha ai i ngrysur, do flas me babanë. Vrapoi në shtëpi dhe ia tha babait. Mendova se do të ishte ndryshe, por nuk i paska lënë gjë të atit, tha Ibrahimi. Megjithatë e pranoi. Unë kam gjashtë djem dhe mbiemri im nuk ka rrezik të shuhet. Ibrahimi dhe Sara u martuan në fillim të nëntorit. Thanasi e tundi trembëdhjetë herë kambanën e kishës atë ditë. Nikoja dhe Muhamedi e mbajtën fustanin e bardhë të Sarës nga kisha deri në shtëpi. Kur pa çiftin e zbukuruar, Hana u përlot. Sara dhe Abrahami tani janë bashkë, tha me vete. Nusja dhe dhëndri fjetën në dhomën e madhe, mbi të cilën arra e re nuk bënte akoma hije. Për krishtlindje, Sara i tha Ibrahimit se priste një fëmijë, që ajo e lindi në korrik të vitit 1781. ishte vajzë dhe Ibrahimi kërkoi që ajo të quhej Ana, si nëna e djemve të tij. Sara pranoi. Sipas premtimit, Ana Komnena mori mbiemrin e nënës.