Arianit Komneni e priti Ali Tepelenën të nesërmen. Gjatë ditës, Aliu kishte dërguar shokët e tij nëpër fshat dhe këta kishin marrë bukë, vaj, kripë, sheqer dhe fruta. Burrat e krishterë nuk kundërshtuan dhe shtëpia e Ibrahimit u mbush me ushqime. Pasi kishin ngrënë e kishin pirë, Aliu i tha Ibrahimit se donte
të takonte Mihalin në qilarin e shtëpisë. Kur zbritën, Mihali po rrinte i kërrusur. Duart i kishte të lidhura dhe fytyrën shumë të zbehtë. Ngriti kokën dhe pa Aliun drejt në sy. Të ka vënë poshtë mëkati, i tha Aliu. Mihali nuk foli, por dha të kuptonte se nuk e njihte. Aliu u afrua, e zuri nga flokët dhe i tha: Jam Ali Tepelena. Ibrahimi është miku im. Ka qenë miku im edhe kur ishte i krishterë, por tani e kam dy herë mik sepse ka ardhur në rrugën time. Unë do shkoj të takoj pleqësinë. Ata kërkojnë që ti të lirohesh, por, pa ndryshuar vendimin që kanë marrë, ti nuk do dalësh nga ky qilar. Çfarë do t’i them atyre në emrin tënd? Mihali dukej i pashpresë, por ndiqte me kujdes çdo fjalë të Aliut. U thuaj që në qoftë se nuk ndryshojnë çka kanë vendosur unë do vdes këtu. Jam shumë keq. Më ka hyrë pleviti në palcë dhe këmbët nuk më mbajnë më. Bota ka myslimanë në çdo cep. Edhe nëse unë vdes, prapë do ketë myslimanë. Ndoshta edhe më shumë. Vdekja ime nuk e ndryshon dot përhapjen e Islamit në Shqipëri dhe prandaj do ishte e kotë. Nuk dua të vdes, tha Mihali dhe filloi të qante. Ibrahimit iu dhimbs. Nuk është e nevojshme të bëhesh mysliman, tha vrazhdë Aliu. Të paktën jo sot. Unë dua që ky fshat të mësohet t’i pranojë myslimanët sepse kështu respekton ekuilibrat e botës. Kjo botë ka të bardhë dhe të zinj, ka të drejtë dhe të shtrembër, ka të djathtë dhe të mëngjër, ka lindje dhe perëndim, ka dimër dhe verë, ka femra dhe meshkuj dhe ka kaurë e myslimanë. Fshati do ishte i pajetueshëm sikur të kishte veç meshkuj që kishin vetëm dorën e djathtë, të kishte vetëm dimër, të kishte vetëm desh dhe të gjithë këta të ishin të zinj. E kupton ç’po të them? Mihali vari kokën dhe tha: Po kush na thotë çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe? E mirë është çdo gjë që na shërben për t’u bërë më të fortë se të tjerët. Po të mos kishte krishterim nuk do kishte myslimanë. Ibrahimi u bë mysliman sepse u ndie i kotë kur shkoi në Pazar dhe pa sesi të gjithë fitonin, por ai jo. sikur në këtë fshat të gjithë të bëhen myslimanë, atëherë punët do jenë më zi se sot. Kjo do të ndodhë dikur, por ti nuk do t’ia arrish asaj dite, tha Aliu duke dalë. Kali e priste jashtë, por ai vazhdoi në këmbë. Dielli i pasdites i hynte në kraharor duke e ngrohur të gjithin. Stomaku i mbushur, i shpërndante fuqi kockave të tij të reja, ndërsa zemra i rrihte si një daulle bajrami që lajmëron besimtarët se ka ardhur ora për të shijuar të mirat e kësaj bote. A do bëja të njëjtën gjë, për të mbrojtur një të krishterë nga myslimanët, mendoi me vete dhe i dha vetes përgjigjen që i kishte thënë Mihalit. Ia vlen të bësh çdo gjë që të bën më të fortë se të tjerët. Ali Tepelena shihte larg. Deri para disa vitesh, ishte një kusar që vidhte bagëti nëpër fshatra dhe sulmonte karvanët. Në qoftë se nuk sulmon, të sulmojnë. Ky ishte predikimi që ai mbante mend nga e ëma, të cilën për këtë arsye e konsideronte si të vetmin profet të dobishëm të jetës së vet. Duke sulmuar, kishte bërë emër dhe pasuri dhe kjo ishte një rrugë nga e cila ai besonte, se mund ta ndalte vetëm vdekja. Vetëm një herë ishte tërhequr Aliu. Në atë kohë nuk ishte më shumë se dhjetë vjeç. Sipas zakonit, djemtë e vegjël në fshatin e tij luftonin se cila familje do të merrte dashin e madh të ngjyer me bojë të kuqe, të pashkës. Ai i mundi një nga një të gjithë moshatarët e vet, të cilëve ua vinte shqelmin në fyt, derisa ata dorëzoheshin nga mungesa e frymës. Kur të gjithë prisnin që të njëjtën gjë t’i bënte edhe kundërshtarit të fundit ai e fali, i hoqi këmbën nga zverku dhe pastaj djali tjetër e shtriu dhe e poshtëroi në mes të fshatit. Familja e tij e humbi dashin e pashkës atë vit. E ëma e rrahu në shtëpi kur ai i tha se nuk e kishte mundur djalin sepse ishte shumë i bukur dhe atij i kishte ardhur keq. Më vinte ta puthja dhe jo t’i merrja firohen, i tha Hankos që e shikonte si egërsirë. Vish një nga fustanet e sat motre dhe futu në harem, e kishte përqeshur ajo. Aliu ia njihte këtë dobësi vetes. Atë e ndalte vetëm bukuria. Pushteti dhe paraja e joshnin dhe e ndërsenin. Ku po shkoj kështu, tha me vete të mbroj një mysliman? A kishte vërtet rëndësi për të fati i një myslimani në një fshat të humbur si ky? Iu kujtua Demir Hani që para njëqind vjetësh bridhte fshatrave të Shqipërisë për t’i bërë të krishterët t’i faleshin Muhamedit. Sa pa kuptim e kishte harxhuar jetën Demir Hani. A ia vlen të vdesësh për t’i kthyer njerëzit nga Jezu Krishti te Muhamedi dhe anasjelltas? Dy profetët ishin në qiell: njëri me një gotë qumësht e tjetri me një gotë verë, ndërsa shqiptarët grinden se gota e secilit prej të dyve zbrazet e para. Grinden sepse u mungon dikush, dikush prej mishi dhe kocke, dikush që të mund t’i drejtojë dhe që ata ta shohin me sy dhe ta prekin me dorë. Profetët janë të dobët sa janë mes njerëzve, por ata forcohen kur ngrihen në qiell. E kundërta ndodh me prijësit. Kur janë në tokë ata janë zot, kur ngrihen në qiell, harrohen. Sidomos myslimanët i harrojnë shpejt prijësit e tyre. Kjo sepse fuqia e tyre nuk trashëgohet, por jepet ose merret nga Porta e Lartë. Të krishterët e trashëgojnë pushtetin nga baballarët te bijtë dhe kjo i lidh njerëzit me emrin e të parit të tyre. Teksa përsiatej kështu i doli përpara një vajzë e vogël me sy të zinj dhe faqe të kuqe. Gërsheti i zi pas koke i varej deri te beli. Rruga ishte bosh dhe vajza nuk po luante me asnjeri. Si të quajnë, iu përkul Aliu. Sara, u përgjigj vajza. E kujt je ti Sara? Jam e Arianit Komnenit, tha vajza dhe tundi gërshetin siç tundte kali bishtin kur i kujtohej i zoti. Aliu u ngurtësua në fytyrë dhe vajza i tha: Mysliman je ti? Pa kuptuar, Aliu u skuq dhe ndoshta kjo ishte e para dhe e fundit herë në jetë që i erdhi turp të pohonte se ishte mysliman. Sara nuk priti që ai t’i thoshte po. u zhduk pas një dere të madhe druri që dukej si derë kishe. Gërsheti e tërhiqte vajzën si një litar, të cilin Aliu e ndoqi pas. Duke ecur nëpër oborrin e gjatë të shtëpisë iu duk vetja si një njeri që kërkon të lidhë hënën me litar, për ta futur në trup. Arianit Komneni i mbuluar me një velenxë të kuqe dhe të trashë nuk u ngrit nga vendi kur Ali Tepelena u fut në dhomën e tij. Mjekra e tij e bardhë zgjatej si një njollë qumështi mbi të kuqen e velenxës. Kur Aliu u afrua për ta takuar, Arianiti u kollit fort. Aliu mendoi se plaku u kollit për të mos i uruar mirëseardhjen. Poshtë velenxës fshihej trupi i një burri të gjatë dhe kockëmadh, të cilin pleqëria e tregonte edhe më të madh. Flokët e bardhë dhe të lëshuar i binin mbi fytyrën pa rrudha gjë që të krijonte përshtypjen e një njeriu që mendohet në errësirë. Këtë fytyrë do desha të kem në moshën e tij, mendoi Aliu dhe vendosi të flasë i pari. Kam ardhur të flasim për Ibrahimin, i tha. Ai është bërë mysliman pa e detyruar kush. Pleqësia ka vendosur ta zhburrërojë ose ta detyrojë të largohet nga fshati. Ai nuk do të largohet sepse këtu ka gjithçka. Ju duhet ta pranoni myslimanin siç e pranon gjithë bota. Arianit Komneni nuk lëvizi, por velenxa e kuqe u duk sikur u fry kur ai u përgjigj. Pleqësia ka vendosur atë që gjykoi se ishte e drejtë, tha ai dhe u kollit prapë. Fshati nuk i do myslimanët. Ne kemi katërqind vjet që nuk pranojmë Islamin. Burra e gra janë therur nga turqit dhe nuk kanë pranuar të ndërrojnë fenë. Ibrahimi nuk mund të ndryshojë drejtimin e varreve tona. Në qoftë se do të jetojë si mysliman të gjejë një vend tjetër. Ali Tepelena e kishte menduar më të lehtë bisedën me Arianit Komnenin dhe kur e dëgjoi që foli ashtu ndjeu një flakë që i dogji gjoksin. E nxori pa zhurmë frymën që i digjte kraharorin, por në vend të tij, u kollit Arianiti. Islami ka një mijë vjet që pushton fshatra dhe qytete dhe miliona burra dhe ushtri janë përpjekur, por të gjithë kanë dështuar ta ndalin, tha Aliu. Mos mendo se je më i fortë se ata Arianit. Një pikë ujë nuk e kthen dot drejtimin e dallgës Skënderbeu i rezistoi Islamit 25 vjet dhe në fund dështoi dhe ai. Jam i bindur që ka vdekur duke menduar se sakrifica e tij ishte e kotë sepse jo vetëm që shumë shqiptarë vdiqën, por se lufta e tij i nxiti turqit të mendojnë se shqiptarët nuk i duan dhe prandaj kemi qindra vjet që përpëlitemi pa ushtri dhe pa shtetin tonë. Në qoftë se Skënderbeu do t’i ishte bindur turqve, shqiptarët nuk do kishin humbur kaq kohë dhe në paqe me islamin do kishin shtetin e tyre tri herë më të madh dhe më të fortë. Në fund të fundit ç’rëndësi ka nëse je mysliman apo i krishterë. Rëndësi ka si jeton. Më mirë një i krishterë i varfër dhe i mjerë apo një mysliman i pasur dhe i fortë? Unë zgjedh të dytën dhe këtë duhet të kishte zgjedhur dhe Skënderbeu e pas tij të gjithë ne të tjerët. Ne shqiptarët nuk kemi ditur të bëjmë paqe me kushtet tona me perandoritë, por si një tufë e përçarë dhe pa bari kemi pranuar një nga një zakonet dhe fenë e tyre. Këtë nuk e kemi bërë me marrëveshje dhe prandaj perandoritë, përfshi dhe Turqinë nuk na e kanë njohur nënshtrimin si pranim të arsyeshëm, por si detyrim të shkaktuar nga frika dhe varfëria. Arianiti po e ndiqte me të njëjtën qetësi, por Aliu e kuptoi se kjo temë i kishte prekur një tel të fshehtë të shpirtit të tij që ashtu si pamja e tij profetike jetonte në historitë e lashta. Skënderbeu nuk luftoi Islamin dhe kjo është një nga mashtrimet më të mëdha të historisë sonë, tha plaku qetësisht. Dikur e ka pohuar dhe vetë se nuk luftonte Islamin, por turqit. Duhet të dish se ai luftoi për pushtet, jo për besim. Gjatë gjithë jetës ëndërroi të ishte mbret i Shqipërisë dhe në qoftë se turqit do t’ia kishin njohur mbretërimin ai do të ishte bërë prapë mysliman siç ishte gjatë gjithë rinisë së tij. Skënderbeu, si gjithë shqiptarët deri më sot, besonte se mund të krijonte perandorinë e tij të vogël brenda perandorisë së madhe, por kjo ishte dhe është e pamundur dhe kushdo që do të përpiqet do të dështojë njëlloj si ai. Dështimi i Skënderbeut ishte dështim i racës sonë, e cila për fat të keq beson se mund të pasurohesh si turk duke jetuar si i krishterë. Shqiptarët e kanë të vështirë të zgjedhin dhe këtu u ngatërrua edhe Skënderbeu. Ai donte të kishte mbretërinë e tij brenda Islamit, por me kusht që atë ta qeveriste në stilin e evropianëve të krishterë, të cilët i trashëgojnë mbretëritë e tyre brez pas brezi. Por kjo është e pamundur, sepse Islami nuk ia njeh të drejtën e trashëgimisë njeriut. Islami beson se gjithçka ta jep dhe ta merr Zoti ose ai që përfaqëson Zotin mbi tokë dhe kësisoj shuan çdo ambicie të njeriut për të ndërtuar diçka që ia vlen ta lësh pas vdekjes, që njerëzit ta kujtojnë dhe ta nderojnë, kur ti të mos jesh më mes tyre. Islami e mëson njeriun të mendojë se në këtë tokë ai ka ardhur vetëm për të nderuar Allahun dhe për asgjë tjetër dhe prandaj myslimanët nuk punojnë, nuk pikturojnë dhe nuk kanë art, si të krishterët. Nga myslimanët, vetëm Muhamedi trashëgoi te pasardhësit e tij pushtet dhe pas tij edhe sulltanët e askush tjetër. Skënderbeu e kuptoi me vonesë se kjo e drejtë atij nuk do t’i njihej. Ambicien e tij prej të krishteri të dështuar e kuptuan shpejt edhe venecianët dhe me gjithë lutjet e tij, ata nuk e ndihmuan të krijonte një mbretëri të krishterë në Shqipëri. Venecianët kuptuan se shqiptarët nuk e kanë shqisën e të jetuarit nën një zot dhe nën një mbret të vetëm, të cilit i binden etër e bij. Këtë ata e kishin mësuar nga bizantinët dhe ata e kishin mësuar nga romakët. Më thuaj, çfarë mbretërish kemi pasur ne nën Bizantin e krishterë, i cili ishte e vetmja perandori e madhe e botës që i lejonte popujt e saj të krijonin mbretëritë e tyre të pavarura. Grekët i patën perandorët e tyre në Bizant. Bullgarët dhe serbët po ashtu. Hungarezët dhe rusët natyrisht. Po shqiptarët pse nuk ndërtuan dot mbretëri gjatë një mijë vjetëve bizantine? Kam gjithë jetën që e mendoj atë që të thashë: shqiptarët nuk dinë të zgjedhin dhe ç’është më e keqja nuk dinë të mbrojnë atë që zgjedhin dhe akoma më keq ata e tradhtojnë shpejt atë që zgjedhin. Ibrahimi është një shqiptar i vërtetë, por historia më thotë se duke qenë kaq i vërtetë, ai është i padobishëm dhe madje është i dëmshëm. Prandaj nuk mund ta pranoj në fshat sepse nuk dua që historia të përsëritet duke e shkatërruar fshatin tim. Jetoj me shpresën se derisa të vdes nuk do të lejoj që Skënderbeu të lindë në këtë fshat. Ali Tepelena u ndie i dobët kur kuptoi se nuk dinte se si ta kundërshtonte Arianit Komnenin. Ai nuk i njihte si plaku historitë e vjetra dhe gjithnjë kishte menduar se sa më pak prej tyre të dinte aq më të lehtë do ta kishte jetën. Nëna i thoshte gjithnjë se historia e jetës së tij duhej të ishte krejtësisht e ndryshme nga historia e jetës së të atit. Por me kalimin e viteve Aliu ishte bindur se nuk mjafton të bësh pikë për pikë të kundërtën e babait për të qenë i pasur dhe i pushtetshëm. Po qe se ky rregull do të ishte i vlefshëm, historia e njerëzimit do të kishte mbetur në vend si një kalë, të cilit i janë lidhur këmbët. Një hap para dhe pastaj një hap prapa dhe nuk shkon asgjëkund. Tani që Arianiti e kishte lidhur edhe atë pas fijeve të historisë Aliut iu kujtua e ëma. Ndryshe nga Arianiti ai kishte arsye të mendonte se e vërteta e jetës së njeriut nuk mund të gjendet në të vërtetën e jetës së dikujt tjetër, por ndoshta është më lehtë të tentosh të kundërtën e jetës së dikujt, për të arritur tek e vërteta dhe suksesi. Këtë ia tha edhe Arianitit, i cili e shijonte me modestinë e një ikone të varur në mur habinë që i kishte shkaktuar vizitorit të vet. Dikush duhet të përpiqet të bëjë të kundërtën e Skënderbeut. Përderisa ti mendon se ai dështoi, dikush që bën të kundërtën e tij mund të ketë sukses. Në qoftë se njëri prej nesh bën paqe pa kushte me Islamin në emër të gjithë myslimanëve shqiptarë atëherë mund të arrijmë atë që nuk e kemi pasur kurrë, shtetin tonë, tha ai duke mbyllur sytë kur fliste. Gabohesh, foli Arianiti. Njeriu nuk e ndryshon dot historinë siç nuk mund të ndryshojë fytyrën e vet. Qindra burra kanë menduar si ti, përfshi edhe Ibrahimin, i cili beson se duke u bërë mysliman mund të mbetet një shqiptar qe e fiton bukën e përditshme në paqe me pushtuesin e vet. Kjo është një paqe e gënjeshtërt që nuk i jep njeriut lumturi, as në këtë botë dhe as në tjetrën, nëse ajo ekziston. Skënderbeu e humbi paqen me veten kur u bë mysliman që i vogël, në oborrin e Sulltanit dhe vuajti edhe më shumë kur u kthye në Shqipëri dhe u bë prapë i krishterë për të bindur shqiptarët e tjerë ta pranonin si mbretin e tyre. Skënderbeu e ndiente se shqiptarët nuk e besonin megjithëse ata iu bindën dhe luftuan bashkë me të duke shpresuar më kot në triumfin e një turku mbi turqit e tjerë. Shqiptarët e kanë parë gjithmonë Skënderbeun si turk prandaj kurrë nuk e besuan me të vërtetë. Por as turqit nuk e besuan Skënderbeun. Të parët sepse ai u bë mysliman dhe të dytët sepse ai u bë i krishterë. Duke kaluar ylberin e Zotit, Skënderbeu u bë i pabesueshëm. Shqiptarët e dinin se ai luftonte për pushtet dhe kjo është një ambicie që ata i lodh dhe nuk i inkurajon për një kohë të gjatë. Prandaj, qëllimi i tij mbaroi ditën që ai vdiq, sepse nuk kishte krijuar një bindje të trashëgueshme. Sot, shqiptarët mund ta duan paqen me turqit, por turqit nuk e duan më këtë sepse ata e dinë që shqiptarët mund t’i nënshtrosh më kollaj pa iu dhënë favoret që garanton paqja. Për faj të Skënderbeut, sot as turqit dhe as evropianët nuk i besojnë më shqiptarët. Në rrugët e historisë sonë gjithmonë kanë ecur burra, të cilët nuk kanë ditur ku shkojnë. Unë mendoj se këtu ka një dorë hyjnore, e cila vendos që shqiptarët të udhëhiqen nga njerëz, të cilët në fund munden nga dilemat e tyre. Ka popuj, të cilëve Zoti nuk i ka dhënë akoma asnjë rrugë, siç janë çifutët. Ka të tjerë, të cilëve ai ua ka përcaktuar rrugën, siç janë të krishterët dhe turqit. Por ka raste kur Zoti vendos të luajë me njerëzit sepse kjo me sa duket i shërben si çlodhje në mes të punëve të shumta që ka. Kur isha i vogël, unë merrja dy milingona që i vija një hap larg një copë bukë për të kuptuar se kush prej tyre dhe pse do ta gjente rrugën drejt ushqimit. Për çudinë time, të dyja e gjenin bukën me të njëjtën shpejtësi dhe në të njëjtën kohë dhe kurrë nuk më ka qëlluar ndryshe. Milingonat janë një racë, së cilës Zoti i ka dhënë vetëm një drejtim. Por ky nuk është rasti i shqiptarëve. Milingonat kanë më shumë fat se shqiptarët sepse janë më të vendosura. Zoti ka vendosur t’i lërë shqiptarëve dy rrugë dhe argëtohet kur sheh që atje lart se si ata lodhen dhe nuk e zgjedhin dot rrugën që duhet. Deri më sot të gjithë kanë zgjedhur rrugën e gabuar. Kështu i ndodhi edhe Skënderbeut. Historia do të kishte ecur ndryshe në qoftë se në vend të Skënderbeut do të kishte qenë dikush tjetër, i cili nuk vinte nga oborri i Sulltanit dhe të cilit shqiptarët do t’i kishin besuar bashkë me pushtetin dhe fenë e tyre, deri në atë kohë të papërlyer. Siç tregon historia, edhe venecianët dhe Papa në Romë këtij njeriu i besonin më shumë dhe do ta kishin ndihmuar të krijonte një mbretëri të krishterë, e cila mund t’i rezistonte kohës jo vetëm si kujtim, por si një gjë e gjallë. Aliu kroi kokën dhe iu duk sikur milingonat e historisë po i vraponin nëpër flokë. Kush ishte ky njeri, pyeti ai. Ky ishte Arianit Komneni, tha Arianit Komneni. Unë kam emrin e tij. Atij i thoshin edhe Gjergji, por këtë emër e mban im bir i madhi. Aliu nuk pati nevojë t’i kërkojë plakut më shumë sepse ky filloi t’i tregonte për historinë e familjes së vet. Duke dëgjuar, Aliu pati ndjesinë se po jetonte në një kohë tjetër, e cila e ndriçonte kohën e tij ashtu si dielli ndriçon hënën duke perënduar. Komnenët e kanë qeverisur Perandorinë e Bizantit për më shumë se njëqind e pesëdhjetë vjet. Grekët thonë se ata janë grekë, por unë dua të besoj se janë një racë me shqiptarët që jetojnë sot në Voskopojë. Ata kanë folur dhe kanë shkruar greqisht pa dyshim dhe e kanë drejtuar perandorinë deri kur Kostandinopoja u pushtua dhe u përdhunua nga kryqëzata e krishterë dhe kur Komnenët ikën të përndjekur nga qyteti. Njëri prej tyre, Mihali, i cili ishte nip i Teodorës, vajzës së perandorit të parë Komnen, erdhi në vitin 1204 në Shqipëri dhe u vendos në Janinë. Për shkak të emrit të madh që kishte familja e tij ai u bë princ dhe Janina ishte kryeqytet i kësaj principate dhe unë dua të besoj se kjo është e para mbretëri e pavarur e shqiptarëve. Komnenët e mbajtën principatën e Janinës deri në vitin 1318 me princin e fundit Thoma Komneni, i cili u vra nga djali i motrës së tij. Thoma Komneni, la pas një djalë, i cili, për t’i shpëtuar hakmarrjes së kushërinjve të tij, u fsheh në malësitë që ndajnë Vlorën me Gjirokastrën, në një fshat që quhej Arianit. Aty u martua me një shqiptare nga një derë e mirë e fshatit dhe jetoi pa kërkuar ofiq dhe pushtet derisa vdiq. Djali i tij, që trashëgoi emrin Arianit, si dhe emrin e fisit, ishte Arianit Komneni, i cili lindi ndoshta në vitin 1400. ky bëri krushqi me një nga vajzat e familjes së madhe të Muzakajve, të cilët i shtrinin zotërimet e tyre nga Korça deri në Gjirokastër. Arianit Komneni ishte prijësi i munguar i shqiptarëve. Në qoftë se Skënderbeu nuk do ta kishte mashtruar me mënyrën tipike turke, shqiptarët do të kishin gjetur tek ai mbretin e tyre, me prejardhje nga perandorët e Bizantit dhe kjo lidhje nuk do t’i kishte ndarë më ata nga krishterimi evropian dhe sot ne do të jetonim në një mbretëri të krishterë. Arianiti ishte një luftëtar i madh. Ai filloi i pari luftën kundër turqve në vitin 1432, dhjetë vjet përpara se Skënderbeu të kthehej si mysliman në Shqipëri për të ndërruar rrjedhën e gjërave. Arianiti nuk humbi asnjë nga betejat e tij me turqit dhe kryengritjet e tij vazhduan gati gjashtë vjet me radhë nga Voskopoja në Tepelenë, nga Gjirokastra në Elbasan, derisa Sulltan Murati u detyrua t’i njohë zotërimet e tij përgjatë lumenjve të Shkumbinit dhe të Vjosës. Kur Skënderbeu erdhi në Shqipëri, Arianit Komneni ishte kryezoti i Shqipërisë dhe pa dyshim princi, të cilin shqiptarët respektonin më shumë. Skënderbeu e kuptoi se pa mbështetjen e tij nuk mund të kishte sukses dhe në fillim ai u vu nën urdhrat e Arianit Komnenit, i cili vendoste për gjithçka. Arianiti besoi se Skënderbeu mund t’i printe luftërave kundër turqve duke qenë i stërvitur prej tyre si një ushtarak i zoti. Besimi që kishte ndaj tij si luftëtar e bindi ta mbështeste si kapedan të parë, kur në Lezhë u mblodhën gjithë princat e Shqipërisë në vitin 1444. në të vërtetë kjo ishte besëlidhja e Arianitit. Përfaqësuesit e familjeve të mëdha shqiptare erdhën për të shpallur Arianit Komnenin si sundimtar dhe mbrojtës të tyre dhe kërkuan që nën flamurin e tij të luftonin të gjithë bashkë kundër turqve. Por Skënderbeu iu lut Arianitit t’ia ngarkonte atij këtë mision duke i premtuar se në qoftë se do t’i mundnin turqit dhe Shqipëria do të shpallej shtet i pavarur, Arianiti do të ishte mbret i saj. Arianiti pranoi dhe bindi edhe princat e tjerë të vendit, të cilët nuk donin të pranonin një mysliman si Skënderbeu për të parin e tyre. Me ndihmën e ushtrisë që kishte krijuar Arianiti dhe që tani e drejtonte ai, Skënderbeu filloi t’u merrte turqve territore, të cilat më parë kishin qenë në zotërimin e Arianit Komnenit. Ky i kërkoi që këto toka t’i ktheheshin, por Skënderbeu nuk pranoi dhe filloi t’i qeveriste vetëm. Kur Skënderbeu u rrethua herën e parë në Krujë në vitin 1450, ai i kërkoi ndihmë Arianitit. Gjyshi im thoshte se kur të dy burrat u takuan në Durrës, Skënderbeu i kërkoi falje Arianit Komnenit duke i thënë se do t’ia kthente të gjithë tokat dhe sapo të iknin turqit ai do thërriste gjithë princat siç kishin vepruar në Lezhë për ta shpallur Arianit Komnenin mbret të Shqipërisë. Arianiti nuk e besoi Skënderbeun, por megjithatë i premtoi ta ndihmonte me para dhe ushtarë për të përballuar rrethimin. Arianit Komneni në atë kohë nuk kishte djem nga martesa e tij me Maria Muzakën dhe kishte frikë se nëse vdiste apo e vrisnin, askush nuk do të trashëgonte emrin dhe pronat e tij të shumta. Skënderbeu ia dinte këtë dobësi dhe e shfrytëzoi bukur duke i kërkuar dorën e së bijës, Donikës me qëllim që ta zbuste dhe të garantonte aleancën me të. Arianit Komneni i mençur pranoi dhe i tha Skënderbeut: Edhe në qoftë se unë nuk bëhem mbret i Shqipërisë një ditë nipi im do të bëhet. Skënderbeu djallëzor, për shkak të edukatës turke që kishte marrë, ia ktheu: Në qoftë se ti më pengon mua të bëhem Mbret i Shqipërisë djalin tim nuk e pengon dot. Rrethimi i Krujës u thye dhe po atë vit Skënderbeu u martua me Donikën, por marrëdhëniet me vjehrrin e tij të fuqishëm nuk i përmirësoi. Arianiti e humbi përfundimisht besimin te Skënderbeu kur më vonë mori vesh se ky i kishte ofruar Krujën Venedikut duke kërcënuar se në rast se ata nuk e ndihmonin, ai do t’ua linte atë turqve pa bërë asnjë rezistencë. Ftohja e tyre e dobësoi Skënderbeun, i cili filloi të humbte disa beteja ndaj turqve. Më e rënda ishte ajo e Beratit për të cilën ai akuzoi Moisi Golemin, luftëtarin më të shquar të asaj kohe që ishte nipi i Arianitit dhe që ky e mbante pas dhe e thërriste djalë. Moisiu, që kishte në zotërim Dibrën, i la turqit të kalonin nëpër tokat e tij dhe këta i ranë pas shpine mbrojtësve të kalasë së Beratit duke e shkatërruar ushtrinë e Skënderbeut. Im gjysh thoshte se Arianit Komneni donte t’i jepte një mësim Skënderbeut, i cili në fund të jetës kishte pranuar se prishja e aleancës me vjehrrin kishte shënuar fillimin e rënies së tij. Por Skënderbeu ishte edukuar si mysliman dhe unë nuk besoj se atë e ka vrarë ndërgjegjja, por është e vërtetë se në qoftë se do t’ia kish mbajtur fjalën Arianit Komnenit, ne sot do të jetonim ndryshe.
eseshkolle.blogspot.com. Powered by Blogger.

Popular Posts

Blog Archive